Një hulumtim ka nxjerrë se kompania “Rad 028”, në pronësi të Radulle Steviqit, ka siguruar kontrata publike me vlerë miliona euro nga institucionet e Serbisë, ndonëse pronari i saj akuzohet nga autoritetet e Kosovës për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë dhe për pastrim parash.
None found
Sipas dokumenteve të shqyrtuara, kjo kompani ka vijuar të përfitojë tenderë shtetërorë edhe pas sulmit në Banjskë. Vetëm gjatë këtij viti janë lidhur kontrata të reja me vlerë mbi një milion euro, ndërsa për disa projekte janë ngritur dyshime nëse punët janë kryer në mënyrën që paraqitet në dokumentacionin zyrtar.
Po ashtu, Steviqi dhe kompania e tij prej vitesh janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të dyshuara me krimin e organizuar dhe me Millan Radoiçiqin.
Ndërkohë, autoritetet e Kosovës e ngarkojnë atë me akuza për pastrim parash dhe për ndihmë në fshehjen e pasurisë që lidhet me rastin e Banjskës.
Artikulli nënvizon se institucionet serbe nuk kanë ofruar sqarime të plota për arsyen pse kompania ka vazhduar të fitojë kontrata publike, pavarësisht akuzave dhe sanksioneve ndërkombëtare ndaj pronarit të saj. Kjo situatë ka hapur pikëpyetje mbi transparencën dhe llogaridhënien në procedurat e prokurimit publik.
Në fund, hulumtimi thekson se kompania vazhdon të marrë fonde shtetërore, ndërsa pronari i saj mbetet nën akuza të rënda në Kosovë.
Rasti ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën se si trajtohen kompanitë dhe individët e përfshirë me rastin e Banjskës, si edhe për përdorimin e parasë publike në Serbi.
Halili: Ky rast mund të cenojë besimin e partnerëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve serbe
Për këtë çështje ka folur për “Bota sot” profesori Nijazi Halili.
Ai vlerëson se në planin politik, nëse këto gjetje vërtetohen, financimi i kompanive të lidhura me Milan Radoiçiqin mund të dëshmojë mungesë të vullnetit institucional dhe të shkaktojë shqetësime politike, juridike dhe të sigurisë.
“Nëse konfirmohen gjetjet e publikuara nga Radio Evropa e Lirë, sipas të cilave kompani të lidhura me Milan Radoiçiq kanë vazhduar të përfitojnë kontrata publike nga institucionet shtetërore të Serbisë edhe pas ngritjes së aktakuzës nga autoritetet e Republikës së Kosovës, atëherë kjo çështje tejkalon kufijtë e një problemi të zakonshëm të prokurimit publik dhe shndërrohet në një sfidë serioze politike, juridike dhe të sigurisë rajonale.
Nga këndvështrimi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i procesit të integrimit evropian, një praktikë e tillë mund të interpretohet si mungesë e vullnetit institucional për t’u distancuar nga individë apo struktura që ndërlidhen me veprimtari të rënda kriminale dhe me akte që cenojnë stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Nëse institucionet shtetërore vazhdojnë të financojnë subjekte ekonomike të lidhura me persona të akuzuar për vepra të rënda penale, krijohet perceptimi se ekziston një tolerancë institucionale ndaj rrjeteve të ndikimit politik dhe ekonomik, të cilat mund të jenë të ndërthurura me forma të krimit të organizuar”, u shpreh ai.
Më tej, profesori thekson se nëse këto pretendime provohen, ato mund të dëmtojnë rrugëtimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian dhe të zbehin besimin e partnerëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve serbe në luftën kundër krimit të organizuar.
“Një situatë e tillë mund të prodhojë pasoja të drejtpërdrejta në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Një ndër kushtet themelore të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian është forcimi i sundimit të ligjit, garantimi i pavarësisë së institucioneve, lufta efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe respektimi i standardeve të transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik. Çdo dyshim për favorizimin e kompanive të lidhura me individë të akuzuar për ngjarje që kanë prodhuar pasoja serioze për sigurinë rajonale mund të ndikojë negativisht në vlerësimin që institucionet evropiane bëjnë për përparimin e Serbisë në përmbushjen e këtyre kritereve.
Njëkohësisht, ky rast mund të cenojë besimin e partnerëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve serbe në kuadër të bashkëpunimit policor dhe gjyqësor për luftimin e krimit të organizuar. Bashkëpunimi ndërkombëtar në këtë fushë mbështetet mbi parimin e besimit reciprok ndërmjet institucioneve. Nëse krijohet përshtypja se fondet publike mund të përdoren, drejtpërdrejt ose tërthorazi, për të mbështetur subjekte të lidhura me persona të akuzuar për vepra të rënda penale, atëherë ky besim rrezikon të zbehet, duke ndikuar edhe në cilësinë dhe intensitetin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë”, thekson profesori.
Sipas profesorit, ky rast mund të dëmtojë edhe imazhin ndërkombëtar të Serbisë. Ai nënvizon se, megjithëse prezumimi i pafajësisë duhet respektuar, institucionet publike kanë detyrimin të veprojnë me transparencë, integritet dhe përgjegjësi në administrimin e fondeve shtetërore.
“Nga aspekti politik, ky rast mund të shërbejë si argument shtesë në diskutimet ndërkombëtare për nevojën e monitorimit më rigoroz të zbatimit të standardeve të sundimit të ligjit në Serbi. Për më tepër, ai mund të ndikojë në perceptimin e partnerëve ndërkombëtarë lidhur me seriozitetin e angazhimit të shtetit serb në luftën kundër krimit të organizuar dhe në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian.
Përfundimisht, është e rëndësishme të theksohet se prezumimi i pafajësisë mbetet një nga parimet themelore të së drejtës dhe duhet të respektohet në çdo rast. Megjithatë, po aq themelor është edhe detyrimi i institucioneve publike që, në administrimin e fondeve shtetërore, të veprojnë me standardet më të larta të transparencës, integritetit dhe përgjegjësisë institucionale. Vetëm një qasje e tillë mund të forcojë besimin e qytetarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë në sundimin e ligjit, në funksionimin e institucioneve demokratike dhe në kredibilitetin e shtetit”, përfundoi Halili për “Bota sot”.
Bajraktari: Lidhjet e Radoiçiqit me autoritetet serbe, këto hulumtime vetëm sa i bëjnë edhe më të dukshme këto raport
Për anën juridike të çështjes, në një prononcim për “Bota sot” foli edhe avokati Ardian Bajraktari, i cili tha se ky hulumtim i forcon dyshimet për lidhjet e Milan Radoiçiqit me autoritetet serbe dhe mbështet pretendimet se shteti serb ka pasur rol në sulmin në Banjskë.
“Lidhjet e Radoiçiqit me autoritetet serbe e specifikisht me presidentit Vuçiq, janë evidente, këto hulumtime vetëm sa i bëjnë edhe më të dukshme këto raporte, çka natyrisht se vetëm sa forcohen tezat se prapa sulmit terrorist në Bansjkë qëndron shteti serb dhe politika e Vuçiqit”, potencoi avokati.
Ai shtoi se ky rast duhet të shërbejë si provë shtesë që bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin ndaj Serbisë për ta sjellë Milan Radoiçiqin dhe të akuzuarit e tjerë përpara drejtësisë në Kosovë.
“Prandaj ky para së gjithash duhet me qenë një dëshmi shtesë që bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi e BE-ja në veçanti ta mbajnë përgjegjës shtetin serb duke e detyruar atë që Radoiçiqin dhe të tjerët ti sjellin para organeve të drejtësisë së Kosovës për t’u ballafaquar me akuzat”, përmbylli Bajraktari për “Bota sot”.
Sistemi Kombëtar i Sportelit të Vetëm është një nga projektet më të rëndësishme për digjitalizimin dhe modernizimin e procedurave për…
Festimi i famshëm i Donald Trumpit është rikthyer në qendër të vëmendjes në botën e sportit, pasi lojtarët e Belgjikës…
Lotina Haziri po shijon një nga periudhat më të bukura të jetës së saj. Pak ditë pasi bëri publike se…
Zëvendëskryeministri i Parë në detyrë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim eurodeputetin…
Le ta themi qartë menjëherë - po, ky lloj përfundimi për Portugalinë në Kupën e Botës 2026 është vërtet një…
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se PD mbështet protestën qytetare, por nuk synon ta përvetësojë apo ta përçajë…