Dakordësia në parim që Shqipëria dhe Serbia të hapin përkatësisht konsullata në Bujanoc dhe Shkodër ka sjellë diskutime për pasojat diplomatike e politike të këtij hapi. Në qendër të debatit janë pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe çështjet që vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
None found
Arritjen e marrëveshjes e bëri publike ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriç. Ai tha se për këtë çështje ishte rënë dakord gjatë takimit që zhvilloi me homologun e tij shqiptar, Ferit Hoxha.
Për disa, prania konsullore e Shqipërisë në Bujanoc mund të krijojë një kanal më të drejtpërdrejtë institucional me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ndërkaq, ideja për hapjen e konsullatës së Serbisë në Shkodër ka ngritur pikëpyetje rreth nevojës konkrete dhe synimit politik të saj.
Duke folur për “Bota sot”, publicisti Lis Bukuroca e cilësoi pozitiv vendimin për një konsullatë shqiptare në Bujanoc, megjithëse nënvizoi se mundësitë e saj për të ndikuar në statusin politik dhe juridik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë të kufizuara.
Sipas Bukurocës, ndryshimi i gjendjes së shqiptarëve në këtë zonë varet nga politikat që ndjek shteti serb dhe nuk mund të realizohet vetëm përmes një përfaqësie konsullore. Megjithatë, ai vlerëson se konsullata mund të ofrojë ndihmë institucionale dhe konsullore, të lehtësojë komunikimin dhe të sigurojë të dhëna të drejtpërdrejta mbi diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve.
“Konsullata shqiptare në Bujanoc është një zhvillim pozitiv, por efektet e saj konkrete do të jenë mjaft të kufizuara. Pozita politike dhe juridike e shqiptarëve në Luginën e Preshevës përcaktohet nga qasja e shtetit serb, ndaj kjo përfaqësi nuk mund ta ndryshojë vetë realitetin. Sidoqoftë, ajo mund të shndërrohet në një urë të rëndësishme komunikimi, të dokumentojë drejtpërdrejt diskriminimin sistematik dhe t’u japë shqiptarëve mbështetje institucionale e konsullore”, deklaroi Bukuroca.
Vlerësimi i tij ishte më kritik për konsullatën serbe që parashikohet të hapet në Shkodër. Publicisti tha se në këtë qytet nuk ka një komunitet serb aq të madh sa të justifikojë një përfaqësi të tillë, ndaj vendimi i ngjan më shumë një lëvizjeje politike për të krijuar balancë sesa përgjigjes ndaj një nevoje konsullore.
“Nuk duket se ka arsye të mjaftueshme për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër. Mungesa e një komuniteti të konsiderueshëm serb në këtë qytet e bën të vështirë justifikimin praktik të saj. Për rrjedhojë, ky hap të krijon përshtypjen e një gjesti politik balancues dhe jo të një domosdoshmërie konsullore”, u shpreh ai.
Bukuroca sqaroi se bashkëpunimi mes shteteve është i mirëpritur dhe nuk duhet hedhur poshtë, por kërkoi që ai të zhvillohet mbi baza të barabarta dhe duke marrë parasysh realitetin politik të rajonit.
Ai kujtoi se Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon retorikën kërcënuese dhe ushtron presion ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në këto kushte, sipas tij, është e arsyeshme të ngrihet çështja nëse përpara ndërmarrjes së hapave të tillë duhej treguar më shumë ndjeshmëri politike dhe të kërkohej reciprocitet më i madh.
Duke analizuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj Serbisë, publicisti tha se ai lidhet me politikën e tij për ruajtjen e raporteve konstruktive dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal, përfshirë edhe në funksion të integrimit europian. Megjithatë, Bukuroca paralajmëroi se kjo linjë nuk duhet të kthehet në tolerim të veprimeve që cenojnë interesat shqiptare.
“Politika e Edi Ramës synon të mbajë marrëdhënie sa më konstruktive me Serbinë dhe të paraqesë një frymë bashkëpunuese në rajon, edhe në kuadër të procesit të integrimit europian. Kjo qasje u reflektua gjithashtu te reagimet e tij dhe të institucioneve shqiptare ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve serbë, të cilat ishin dukshëm më të përmbajtura nga sa pritej”, deklaroi Bukuroca.
Sipas tij, edhe Bashkimi Europian reagoi butë ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Ai vlerësoi se mungesa e një pozicioni më të prerë përballë retorikës destabilizuese ngjall shqetësim në rajon.
Në lidhje me Kosovën, Bukuroca kërkoi që institucionet dhe subjektet politike të tregohen të matura në reagimet e tyre, por njëherësh të mbajnë një qëndrim të qartë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave të vendit.
Publicisti theksoi se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm, por duhet të mbështetet te reciprociteti, respekti i dyanshëm, mbrojtja e interesave kombëtare dhe zgjidhja e problemeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova, përmes institucioneve dhe partive të saj politike, duhet të përgjigjet me maturi, por pa humbur qartësinë. Bashkëpunimi në rajon nuk duhet kundërshtuar, por themeli i tij duhet të jetë reciprociteti, respekti i ndërsjellë dhe mbrojtja e interesave kombëtare. Kur ndërmerren veprime që krijojnë idenë se raportet me Serbinë janë normalizuar plotësisht, ndërsa çështjet thelbësore mes saj dhe Kosovës vazhdojnë të jenë të pazgjidhura, ekziston rreziku që të përcillen mesazhe të gabuara si ndërkombëtarisht, ashtu edhe brenda rajonit”, tha ai.
Në përfundim, Bukuroca paralajmëroi se mirëkuptimi i njëanshëm ndaj Serbisë mund të sjellë pasoja të dëmshme. Sipas tij, raportet ndërmjet vendeve duhet të ndërtohen duke zbatuar të njëjtat standarde për të gjitha palët.
“Sa më shumë që Serbia trajtohet me tolerancë të njëanshme, aq më shumë ajo inkurajohet. Pikërisht për këtë arsye nuk i arreston personat përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë, por i paraqet ata si heronj, ndërkohë që vijon provokimet ndaj Kosovës. Reciprociteti është parim themelor në politikë. Edi Rama mendon se përmes përkëdheljes së Serbisë mund ta bindë Bashkimin Europian, por integrimi sigurohet me një shtet ligjor funksional, institucione të fuqishme dhe standarde demokratike, jo me zvarritje”, përfundoi Lis Bukuroca për “Bota sot”.
Policia e Shtetit ka intensifikuar monitorimet në të gjithë vendin për respektimin e niveleve të lejuara të zhurmave, veçanërisht gjatë…
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Izraeli është [...] Read More... The post Çarmatimi i Hamasit apo largimi i…
Pas disa orësh marshimi në rrugët kryesore të Tiranës, protestuesit janë rikthyer sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke vijuar…
Sulmuesi shqiptar Olti Hyseni ka kompletuar një transferim të rëndësishëm në futbollin danez, duke iu bashkuar Brondbyt me një kontratë…
Policia e Shtetit ka intensifikuar monitorimet në të gjithë vendin për respektimin e niveleve të lejuara të zhurmave, veçanërisht gjatë…
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Izraeli është [...]Read More...