kosovë

Këshilli i Sigurisë: Serbia po tenton të sabotojë krijimin e institucioneve të reja të Kosovës

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka akuzuar Serbinë se po tenton që të “sabotojë themelimin e institucioneve të reja” dhe legjislaturës së nëntë të Kosovës të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Qeveria e Kosovës njoftoi se Këshilli i Sigurisë së Kosovës mbajti mbledhje më 6 prill me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar për gjendjen e sigurisë, por edhe për, siç u tha, planet destabilizuese të Serbisë.

Në njoftim u përsëritën akuzat e mëhershme të bëra nga Qeveria e Kosovës se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit përmes Listës Serbe – akuza që janë bërë edhe nga Gjermania dhe misioni i Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve.

“Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxisë tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit, pa përmendur se për cilët deputetë bëhet fjalë dhe nga cilat komunitete janë.

Këshilli i Sigurisë tha se kjo paraqet ndërhyrje ndaj “sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë”.

Kurti, partia e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, më herët gjatë javës ka zhvilluar takime me partitë e komuniteteve joshumicë në Kosovë, me të cilët ka diskutuar për konstituimin e Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.

Më 2 prill, Kurti u takua me kryetaren e Partisë së Re Demokratike nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi dhe me udhëheqësin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq. Që të dy shprehën gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit me LVV-në e Kurtit.

Një ditë më vonë, Kurti vazhdoi takimet me përfaqësuesit e partive të tjera joserbe. Ai u takua me kryetaren e Unionit Socialdemokrat nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, me kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka, si dhe kryetarin e Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinolli.

Po atë ditë, Kurti zhvilloi takim edhe me deputetin e zgjedhur të komunitetit goran, Kryetarin e Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, si dhe deputetin e zgjedhur nga radhët e komunitetit boshnjak, Rasim Demiri nga Koalicioni Vakat.

Hoxha ka qenë në të kaluarën pjesë e Grupit Parlamentar të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit fitoi nëntë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Pas takimeve, Balje, Berisha dhe Kinolli thanë se i kanë paraqitur kërkesat e tyre Kurtit për një bashkëpunim të mundshëm me LVV-në. Damka shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, ndërkaq Hoxha nuk dihet se çfarë qëndrimi ka sa i përket një bashkëpunimi të mundshëm me partinë e Kurtit.

Disa orë pas njoftimit për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kurti shkroi në Facebook se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “ua ka dhënë në dispozicion burimet dhe mjetet shtetërore për këtë Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq”, duke iu referuar ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në shtator të vitit 2023.

“Në shënjestër janë disa deputetë të pakicave joserbe. Institucionet e sigurisë kanë informacion të konfirmuar lidhur me këtë”, tha Kurti, sërish pa përmendur emra se për cilët deputetë bëhet fjalë.

LVV-ja – që ka 48 mandate në Kuvend, të pamjaftueshme që ta formojë e vetme ekzekutivin – ka thënë se dëshiron ta krijojë një qeveri me partitë e komuniteteve pakicë joserbe.

Komunitetet joshumicë kanë 20 ulëse në Kuvend, dhjetë janë të rezervuara për partitë joserbe dhe dhjetë për komunitetin serb.

Përveç çështjes së formimit të institucioneve, sipas njoftimit, Këshilli i Sigurisë ka diskutuar edhe për sulmin me granata dore ndaj Zyrës së Postës së Kosovës në Zveçan më 1 prill, por edhe për arrestimin të shtunën mbrëma “të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë”.

Sipas Këshillit, njëri nga ta ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë.

Policia, ndërkaq, në raportin 24-orësh ka thënë se në Gjakovë ka arrestuar më 5 prill katër të dyshuar, pasi gjatë kontrollit në bagazhin e veturës së tyre me targa të Serbisë, janë gjetur dhe sekuestruar dy thika dhe një sëpatë./rel

Tags: kosovekurti

të fundit

Shkrumbohet toka me grurë dhe 200 rrënjë ullinj në Lezhë, temperaturat e larta i vënë flakën vendit

Temperaturat e larta kanë shkaktuar djegien e një sipërfaqeje të madhe me grurë dhe ullinj në Ishull-Lezhë. Sipas raportimeve, 200…

15 minutes ago

Alarm për bombë në Kuvendin e Kosovës, reagon Prokuroria Themelore e Prishtinës: Pas kësaj fshihen vendet “jo mike”

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me kërcënimin për bombë të mbërritur ditën e sotme…

33 minutes ago

Zegjineja reagon pas dhurimit të mandatit të deputetes: Faleminderit Maldrita, Gazo je politikan i dështuar

Kandidatja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, ka reaguar për herë të parë pas sigurimit të mandatit të deputetes në qarkun…

45 minutes ago

Turqia në zjarre dhe borë, dy qytete ‘zbardhen’ në fillim të korrikut

Jugperëndimi i Turqisë po digjet, por nga verilindja e vendit mbërrin një lajm i pazakontë. Reshje te dendura bore u…

1 hour ago

Rinumërimi në Durrës/ Kandidati i PD akuzon KAS: Do të vazhdoj betejën, edhe pse kjo do të zemërojë kolegët

Rinumërimi i votave në qarkun e Durrësit, nuk solli asnjë ndryshim mandatesh mes forcave politike. Ajo që humbi më tepër…

1 hour ago

Pas kritikave të Ramës, ngrihet Task Forcë e Posaçme për Vlorën, ja kush do ta drejtojë

Kyeministri Edi Rama i ka dhënë ultimatum pronarëve të bareve dhe restoranteve në Vlorë për lirimin e trotuareve në zonën…

2 hours ago