Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit Special, caktimin e paraburgimit për nëntë persona të dyshuar për “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
None found
Sipas kërkesës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në mesin e të dyshuarve janë Dragan Gjuriq, Millosh Raskoviq, Miroslav Radojeviq, Radisav Raskoviq, Sasha Gjukiq, Svetislav Gjukiq, Vukoje Lepoviq, Rangel Raskoviq, i njohur me nofkën “Lane”, dhe Dalibor Gjuriq.
Prokuroria i lidh ata me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”, që ka të bëjë me vrasjen dhe zhdukjen e 23 civilëve shqiptarë në territorin e Zubin-Potokut. Sipas dosjes, viktimat fillimisht janë ndaluar, më pas janë plaçkitur dhe keqtrajtuar, ndërsa në fund janë ekzekutuar. Pas vrasjeve, të dyshuarit dyshohet se kanë tentuar t’i digjnin trupat me benzinë dhe i kanë masakruar me mjete të forta.
Ngjarja kryesore, sipas aktakuzës së dyshimit, ka ndodhur më 19 prill 1999, gjatë luftës në Kosovë. Në atë ditë, Dragan Gjuriq, Milomir Radojeviq, Millosh Raskoviq, Miroslav Radojeviq, Radisav Raskoviq, Sasha Gjukiq, Svetislav Gjukiq, Vladan Tomaseviq, Vukoje Lepoviq, Rangel Raskoviq me nofkën “Lane”, Jovica Utviq dhe Dalibor Gjuriq, së bashku me persona të tjerë të identifikuar nga Prokuroria si pjesëtarë të Mbrojtjes territoriale ushtarake, dyshohet se janë mobilizuar dhe armatosur me lloje të ndryshme armësh.
Grupi, i angazhuar në fshatrat e Zubin-Potokut, i ka ndaluar 23 civilët shqiptarë në vendin e quajtur Melaja, në fshatin Kalludër e Vogël. Sipas Prokurorisë, pas ndalimit ata janë plaçkitur, maltretuar dhe më pas janë vrarë.
Viktimat e identifikuara me emër janë Adem Ademi, Demir Ahmeti, Idriz Rreci, Adem Beqiri, Hasan Dervari, Sahit Barani, Fatmir Fazliu, Ali Haliti, Bekim, Naser, Sali, Samir, Selim, Shaqir, Tahir, Gjemajl, Gjevdet dhe Zymer Meziu, Faton, Mahit, Nazmi, Shaip dhe Shkelzen Ujkani.
Nga 23 civilët, 20 vazhdojnë të figurojnë si të zhdukur. Tre viktima janë identifikuar përmes analizave të ADN-së.
Dosja pretendon se të dyshuarit, në bashkëpunim me persona të tjerë të identifikuar, i kanë varrosur trupat në fund të një livadhi në Melaja, në Kalludër të Vogël, pranë lumit. Sipas Prokurorisë, qëllimi i varrosjes ka qenë fshehja e gjurmëve të krimit.
Më 20 prill 1999, rreth orës 10:00, të dyshuarit dyshohet se janë kthyer në të njëjtin vend. Fillimisht, ata kanë marrë trupat e 13 viktimave që i kishin vrarë dhe kanë nisur t’i djegin me benzinë. Kur benzina u ka mbaruar, kufomat dyshohet se i kanë goditur dhe copëtuar me sëpata, çekiç, tërnakop dhe mjete të tjera të forta. Më pas, trupat janë varrosur pranë lumit, rreth 200 metra larg vendit ku kishin ndodhur vrasjet.
Prokuroria i lidh të dyshuarit edhe me një ngjarje të ndodhur më 18 prill 1999, kur, sipas dosjes, me armë zjarri janë vrarë Sahit dhe Sadete Feka, Deli Isufi dhe Rabije Isufi.
Pas vrasjes, viktimat dyshohet se janë varrosur në fshatin Jabukë të Zubin-Potokut. Ndërkohë, dëshmitari dhe i dëmtuari Muharrem Feka është ndarë nga grupi. Sipas përshkrimit në dosje, ai fillimisht është sulmuar fizikisht dhe më pas është urdhëruar t’i vendoste duart pas kokës e të drejtohej në mal.
Teksa Feka po largohej, të pandehurit dyshohet se kanë shtënë në drejtim të tij, duke e plagosur në kokë dhe në kraharor. Ai është rrëzuar dhe ka humbur vetëdijen, por, pasi është përmendur, ka dëgjuar krismat e armëve dhe ka vërejtur se familjarët, bashkudhëtarët dhe policia nuk ndodheshin më në vendin e ngjarjes.
Në gjendje të rëndë, Feka ka vazhduar rrugën përmes maleve deri në fshatin Germovë, ku ndihmën e parë ia ka dhënë një fqinje e tij, e cila punonte si teknike medicinale.
Me këto veprime, të pandehurit dyshohen për kryerjen e veprës penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, të paraparë dhe të dënueshme sipas neneve 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ-së, ndërsa aktualisht e penalizuar nga nenet 31 dhe 153 të KPRKS-së.
Prokuroria pretendon se veprimet janë kryer në kundërshtim me nenin e përbashkët 3 të katër Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949, si dhe me nenet 4 dhe 5 (1) të Protokollit 3 të 8 qershorit 1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës të vitit 1949, dhe me të gjitha rregullat e së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë.
Prokurorja speciale Florije Salihu-Shamolli ka kërkuar paraburgimin e të pandehurve, duke vlerësuar se kjo masë nevojitet për garantimin e pranisë së tyre në procedurën penale. Sipas kërkesës, janë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara në nenin 184, paragrafin 1, nënparagrafët 1 dhe 2, pikat 1.2.1 dhe 1.2.2 të Kodit të Procedurës Penale.
Një nga arsyet e paraqitura nga Prokuroria është rreziku i arratisjes. Sipas saj, të pandehurit kanë shtetësi dhe vendbanim në Serbi, ndërsa posedojnë edhe pasaporta të Republikës së Serbisë, të cilat u mundësojnë udhëtimin në çdo vend të botës pa iu nënshtruar regjimit të vizave.
Prokuroria ka theksuar gjithashtu se Republika e Serbisë nuk bashkëpunon në asnjë mënyrë me Republikën e Kosovës për çështjet që lidhen me krimet e luftës. Për këtë arsye, nëse të pandehurit do të largoheshin drejt Serbisë, autoritetet e drejtësisë së Kosovës do ta kishin të pamundur sigurimin e pranisë së tyre në proceset gjyqësore.
Një tjetër rrezik i evidentuar është mundësia që të pandehurit, nëse do të qëndronin të lirë, të ndikonin te dëshmitarët dhe të dëmtuarit ose të bashkëpunonin me bashkëkryerësit e tjerë. Prokuroria ka sqaruar se rasti ndodhet ende në fazën e hetimeve dhe se nuk janë intervistuar të gjithë dëshmitarët që mund të japin informacion për mënyrën, rrethanat, mjetet, kohën dhe vendin e kryerjes së veprave.
Sipas Prokurorisë, ekziston gjithashtu mundësia që të dyshuarit të përpiqen të zhdukin ose dëmtojnë provat materiale. Për këtë arsye, si dhe duke marrë parasysh natyrën e veprave, rrethanat e kryerjes së tyre dhe sjelljen e të pandehurve pas përfundimit të luftës e deri më tani, masat e tjera për sigurimin e pranisë së tyre janë vlerësuar të pamjaftueshme.
Prokuroria ka arritur në përfundimin se paraburgimi përbën masën e përshtatshme dhe të domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale.
Ish-banorja e “Big Brother VIP 4”, Amber, ka qenë sot e ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Stenaldo Mëhillin,…
Gjykata Old Bailey në Londër ka vendosur një garanci prej 100 mijë paundësh për Dr. Vincent Brown, i akuzuar për…
Pesë burrat e arrestuar pranë bazës ajrore Fairford po merren në pyetje nga policia britanike kundër terrorizmit, ndërsa shtohen dyshimet…
Një fëmijë vetëm dy vjeç iu nënshtrua eutanazisë në Holandë, në rastin e parë të njohur në vend të një…
Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri thirrje Europës të rikthehet te guximi i themeluesve të saj, përballë ringjalljes së nacionalizmit.…
SpaceX ka kryer të hënën, më 28 shtator, një nga testet më të rëndësishme të programit Starship, me anijen gjigante…