“Severna Brigada”, e shpallur organizatë terroriste, dyshohet se ka rikthyer kërcënimet për vrasje ndaj zyrtarëve institucionalë në Kosovë. Policia e Kosovës e ka regjistruar rastin si vepër penale të terrorizmit dhe ka nisur hetimet.
None found
Raporti i Policisë së Kosovës bën të ditur se mesazhet kërcënuese janë publikuar në rrjetet sociale dhe dyshohet se janë shpërndarë nga organizata e vetëquajtur “Severna Brigada”. Rasti është regjistruar më 28 korrik dhe po trajtohet nga njësitet përgjegjëse të Policisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës e shpalli këtë organizatë terroriste më 29 qershor 2023, në të njëjtën kohë me “Mbrojtjen Civile”, për shkak të aktiviteteve që konsideroheshin cenim i rendit kushtetues dhe sigurisë së vendit.
Shfaqja sërish e këtyre mesazheve në internet ka shtuar shqetësimet rreth veprimtarisë së strukturave ekstremiste dhe rreziqeve me të cilat institucionet e Kosovës përballen ende në aspektin e sigurisë.
Një nga çështjet kryesore të ngritura është nëse bëhet fjalë vetëm për presion virtual apo nëse kërcënimet dëshmojnë se këto struktura vazhdojnë të kenë kapacitete për të ndikuar në stabilitetin dhe klimën e sigurisë në vend.
Po ashtu, mbetet për t’u vlerësuar nëse masat e deritanishme të institucioneve të sigurisë kanë qenë të mjaftueshme dhe nëse për parandalimin e rasteve të tilla kërkohet një bashkëpunim më i madh mes aktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë.
Për këto zhvillime, për gazetën “Bota sot” kanë dhënë vlerësimet e tyre eksperti i sigurisë Arben Dashevci dhe profesori i sigurisë, gjenerali në pension Muhamet Racaj.
Dashevci: Organizata mbetet kërcënim për sigurinë kombëtare
Eksperti Arben Dashevci thotë se kërcënimet e fundit nuk përbëjnë një dukuri të re. Sipas tij, “Severna Brigada” ka vepruar edhe më parë dhe vazhdon të përbëjë rrezik për sigurinë e Kosovës.
Ai e vendos këtë organizatë në të njëjtin kontekst me strukturën e ashtuquajtur “Mbrojtja Civile”, duke theksuar se të dyja janë dyshuar për aktivitete terroriste dhe për përpjekje destabilizuese.
“Po, organizata e shpallur terroriste ‘Severna Brigada’ ka publikuar sërish kërcënime me jetë ndaj zyrtarëve institucionalë në Kosovë, pasi këtë e ka bërë në vazhdimësi edhe më parë. Pikërisht kjo organizatë dhe e ashtuquajtura ‘Mbrojtja Civile’ e kanë rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të vendit tonë në vitin 2023”, deklaron Dashevci për “Bota sot”.
Sipas ekspertit, synimi i këtyre strukturave ka qenë përhapja e frikës dhe pasigurisë përmes kërcënimeve, sulmeve dhe presioneve të tjera.
“Këta janë të dyshuar për vepra penale të terrorizmit, sepse qëllimi i tyre ka qenë mbjellja e panikut, kërcënimet, sulmet terroriste, si rasti i Banjskës, shantazhet dhe sabotazhet. Publikimet e tyre në rrjetet sociale ngjallin shqetësime për sigurinë institucionale dhe ndikimin e grupeve të tilla në stabilitetin e vendit”, thekson ai.
Dashevci vlerëson se organet e Kosovës po i trajtojnë me seriozitet këto raste dhe kanë treguar gatishmëri, por paralajmëron se kërcënimi nga grupet ekstremiste nuk është zhdukur.
“Vazhdimësia e kërcënimeve nga ‘Severna Brigada’ tregon se institucionet e Kosovës ende përballen me sfida serioze nga grupet ekstremiste, por ekziston një vigjilencë maksimale. Organet tona të sigurisë janë shumë efektive dhe masat e ndërmarra deri tani për parandalimin e veprimeve të tilla janë trajtuar me shumë seriozitet”, shprehet ai.
Ai i konsideron këto zhvillime pjesë të një lufte hibride të zhvilluar ndaj Kosovës.
“Këto kërcënime ndaj sigurisë së zyrtarëve dhe ndaj klimës politike në Kosovë janë pjesë e luftës së egër hibride. Sipas vlerësimit tim, ato drejtohen nga Serbia. Këto struktura nuk gjenden në territorin e Republikës së Kosovës, por veprojnë nga jashtë dhe kërcënojnë të lirë nga rrethi i tyre në Serbi”, deklaron Dashevci.
Përballimi i këtij rreziku, sipas tij, kërkon një bashkërendim më të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë.
“Nevojitet një reagim i koordinuar mes institucioneve tona të sigurisë dhe partnerëve ndërkombëtarë nga Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithmonë si masë parandaluese për të shmangur përshkallëzimin e situatës”, përfundon ai.
Racaj: Sulmet ndaj institucioneve cenojnë funksionimin e shtetit
Profesori i sigurisë dhe gjenerali në pension Muhamet Racaj mendon se rikthimi i kërcënimeve nuk mund të konsiderohet thjesht një episod i veçuar.
Ai argumenton se kjo mund të jetë shenjë se strukturat ekstremiste që kanë vepruar në veri të Kosovës nuk janë shpërbërë tërësisht dhe se ato mund të përdorin forma të ndryshme për të vazhduar aktivitetin.
“Rikthimi i kërcënimeve nga organizata terroriste ‘Severna Brigada’ nuk duhet të shihet si një incident i izoluar apo vetëm si një kërcënim virtual në rrjetet sociale. Përkundrazi, ai paraqet një indikator serioz se strukturat ekstremiste që kanë vepruar në veri të Kosovës nuk janë çmontuar plotësisht”, deklaron Racaj për “Bota sot”.
Racaj nënvizon se kërcënimi ndaj niveleve më të larta të institucioneve nuk prek vetëm personat që mbajnë ato poste, por vetë rendin kushtetues.
“Kur objekt i kërcënimit bëhen Presidentja, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit apo institucionet e tjera shtetërore, atëherë nuk kemi të bëjmë me kërcënime ndaj individëve, por ndaj funksionimit normal të shtetit”, shprehet ai.
Ngjarjet e viteve të fundit, sipas gjeneralit në pension, kanë dëshmuar se në veri të Kosovës kanë ekzistuar struktura të organizuara kriminale dhe terroriste.
“Ngjarjet në Banjskë, sulmet ndaj Policisë së Kosovës, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe veprimet e organizuara kriminale tregojnë se këto struktura kanë poseduar organizim, financim dhe mbështetje logjistike. Për këtë arsye, çdo kërcënim i ri duhet të trajtohet me seriozitet maksimal”, thekson ai.
Ai pranon se institucionet e sigurisë kanë shënuar progres në përballjen me këto grupe, por thekson se lufta kundër ekstremizmit kërkon përpjekje të pandërprera.
“Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Prokuroria Speciale dhe institucionet e tjera të sigurisë kanë bërë përparim të dukshëm në goditjen e grupeve kriminale dhe terroriste. Megjithatë, fakti që ‘Severna Brigada’ vazhdon të shfaqet tregon se lufta kundër ekstremizmit nuk ka përfunduar”, deklaron Racaj.
Sipas tij, mesazhet kërcënuese synojnë të krijojnë pasiguri psikologjike, të ndikojnë në vendimmarrjen e institucioneve dhe të dobësojnë besimin e qytetarëve te shteti.
“Këto kërcënime ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e zyrtarëve shtetërorë dhe në klimën politike në vend. Ato synojnë të krijojnë pasiguri psikologjike, të ushtrojnë presion mbi vendimmarrjen institucionale dhe të minojnë besimin e qytetarëve në aftësinë e shtetit për të garantuar sigurinë”, thotë ai.
Racaj kërkon forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve vendore dhe partnerëve të huaj për t’iu përgjigjur këtyre rreziqeve.
“Policia e Kosovës, AKI-ja, Prokuroria Speciale, Ministria e Punëve të Brendshme, Forca e Sigurisë së Kosovës, KFOR-i dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të shkëmbejnë informacion në kohë reale, të identifikojnë burimet e financimit dhe komandimit të këtyre grupeve dhe të ndërmarrin masa parandaluese”, përfundon ai për “Bota sot”.
Interi ka vendosur kontakte të reja të drejtpërdrejta me Liverpoolin në përpjekje për ta transferuar Curtis Jones në ‘San Siro’,…
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka dërguar të hënën ftesa për takim tri subjekteve politike, tri ditë para seancës…
Ferran Torres ka shtuar edhe më shumë spekulimet rreth së ardhmes së tij, pasi nuk e përjashtoi mundësinë e një…
Autoritetet ligjzbatuese në Kosovë njoftuan të dielën se kanë zbuluar një lokacion të ri në Zubin Potok, ku dyshohet se…
Shkencëtarët kinezë kanë propozuar një plan ambicioz për mbrojtjen e Tokës nga asteroidët që mund të përbëjnë kërcënim për planetin.…
Është identifikuar një nga viktimat e sulmit me armë që tronditi shtetin amerikan të Idaho-s, ku një person i armatosur…