Categories: kosovë

Katër herë të bllokuar brenda nëntë muajsh: minatorët e Stantërgut përballen me të njëjtin rrezik

“Kur ikën energjia, mendimi i parë është nëse do të arrij të dal.” Kështu e përshkruan Ymer Meholli ankthin që, sipas tij, e ka përjetuar tri herë gjatë 15 vjetëve si punëtor në Minierën e Stantërgut, pranë Mitrovicës, pjesë e ndërmarrjes minerare Trepça.

Të lidhura

None found

Më 7 tetor, rreth orës 19:30, Meholli ishte afërsisht 800 metra nën tokë, së bashku me 62 minatorë të tjerë, kur një avari ndërpreu rrymën. Ashensori u ndal dhe, siç tregon ai, ndërpreu punën edhe sistemi i ventilimit.

“Të pushton stresi sapo ndalet energjia: pyet veten nëse do të rikthehet apo do të mbetesh aty. Pastaj të kap paniku”, i tha Radios Evropa e Lirë 45-vjeçari.

Pasi pritën thuajse dy orë, Meholli dhe 17 kolegë vendosën të ngjiteshin në sipërfaqe nga shkallët e emergjencës. Udhëtimi prej horizontit të 11-të zgjati edhe dy orë e gjysmë.

“U lodhëm të gjithë; na u ftohën duart dhe këmbët, ndërsa disa nuk kishin më fuqi”, rrëfen ai.

Në grupe, 54 minatorë dolën nëpër shkallët emergjente. Nëntë punëtorë me vështirësi fizike dhe shëndetësore qëndruan nëntokë derisa u kthye rryma dhe arritën të dilnin rreth orës 02:50 të mëngjesit më 8 tetor.

Asnjëri prej tyre nuk pësoi lëndime, por ky nuk ishte rasti i parë i këtij lloji.

Katër raste dhe një çështje ende e pazgjidhur

Më 11 janar të këtij viti, pesë punëtorë u bllokuan në Minierën e Stantërgut për nëntë orë për shkak të problemeve me energjinë elektrike. Më 26 janar, vetëm dy javë më pas, një ndërprerje tjetër i mbajti minatorët të bllokuar për gjashtë deri në shtatë orë.

Një tjetër avari ndodhi më 14 maj. Në atë kohë në minierë ishin 47 punëtorë: 29 arritën të dilnin nga rrugët e emergjencës, kurse 18 mbetën nën tokë për më shumë se dhjetë orë.

Pas ngjarjes së majit, ministrja e atëhershme në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bëri të ditur se do të hetoheshin shkaqet dhe mundësia që avaria të ishte parandaluar. Edhe Policia e Kosovës konfirmoi se kishte nisur hetimet dhe se ishte njoftuar prokurori.

Pesë muaj më vonë, pas një tjetër incidenti në Stantërg, ende nuk dihet se në çfarë përfundimesh kanë arritur hetimet dhe nëse janë marrë masa për të shmangur përsëritjen e rasteve. Radio Evropa e Lirë kërkoi përgjigje nga Ministria e Ekonomisë, por nuk mori sqarime.

Avaritë e majit dhe të tetorit ndodhën në sistemin elektrik 35 kilovoltësh, por nuk është konfirmuar se shkaktari teknik ishte i njëjtë. Në të dyja rastet, minatorët u desh të përdornin shkallët e emergjencës ose të prisnin kthimin e energjisë për t’u larguar nga nëntoka.

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës i sheh përsëritjet si sinjal shqetësues për sigurinë. Kryetari i saj, Ibrahim Jonuzi, i tha Radios Evropa e Lirë se pajisjet janë të vjetra dhe se sistemi energjetik ka nevojë për investime.

Mungesë mjetesh pune në minierën e Trepçës

Jonuzi paralajmëron se ngjitja nëpër shkallë mund të jetë e pamundur për disa minatorë, veçanërisht për ata që kanë probleme shëndetësore ose fizike. Sipas tij, sindikata kërkon hetim të plotë, përcaktim të përgjegjësive dhe investime të menjëhershme.

“Nuk duhet të presim derisa të ndodhë një tragjedi që të veprojmë”, thuhej në reagimin publik të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, më 8 tetor.

Që nga lufta, miniera furnizohet pa një linjë rezervë

Shyqyri Sadiku, udhëheqës i njësisë biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stantërg, konfirmon se furnizimi me energji bëhet përmes vetëm një linje. Sipas tij, dikur ekzistonin dy, por pas përfundimit të luftës ka mbetur në funksion vetëm një. Ai iu referua luftës së viteve 1998-1999.

Sadiku thotë se ndërmarrja i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë ta vërë në funksion linjën e dytë, por nuk ka caktuar një afat për këtë. Ai shton se është kërkuar edhe një gjenerator në treg, por nuk është gjetur pajisje që mund ta përballojë ngarkesën elektrike.

Basri Ibrahimi, ish-drejtor i Trepçës, vlerëson se rreziku i bllokimit të minatorëve gjatë avarive do të zvogëlohej nëse vihej në punë linja e dytë ose instalohej një gjenerator me fuqi të mjaftueshme për ashensorin. Sipas tij, furnizimi alternativ është i domosdoshëm për të shmangur bllokimin e punëtorëve në rast të avarive.

Kush mban përgjegjësi për sigurinë?

Në Kosovë, siguria në veprimtarinë minerare rregullohet me legjislacion të posaçëm. Ligji nr. 05/L-062 për Sigurinë në Punë në Veprimtarinë Minerare, i miratuar më 2016, shoqërohet nga rregullore për masat e sigurisë, pajisjet dhe organizimin e ekipeve të shpëtimit.

Megjithatë, nuk dihet nëse në Stantërg është vlerësuar që sistemet e ventilimit, ndriçimit, komunikimit dhe evakuimit garantojnë sigurinë e minatorëve kur ndërpritet rryma.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), institucionit që rregullon dhe mbikëqyr veprimtaritë minerare, për të pyetur nëse ishte kryer një vlerësim i tillë. Përgjigje nuk mori.

Pa përgjigje mbetën edhe kërkesat për informacion drejtuar Ministrisë së Ekonomisë dhe menaxhmentit të Trepçës, lidhur me investimet në rrjetin elektrik, masat e sigurisë dhe vënien në punë të linjës rezervë. Ministria nuk sqaroi as nëse e kishte marrë kërkesën për linjën e dytë dhe nëse kishte plan për financimin e saj.

Pasuria e Trepçës që po “ndryshket”

Trepça, ndër komplekset më të rëndësishme minerare të Kosovës, prej dekadash përballet me vështirësi teknike dhe financiare. Tetëdhjetë për qind të aksioneve i zotëron Qeveria, ndërsa 20 për qind janë në pronësi të punonjësve.

Për Mehollin, ndërprerjet e energjisë sjellin pasoja përtej problemeve teknike: ato shqetësojnë edhe familjarët, të cilët nuk mund të komunikojnë drejtpërdrejt me minatorët kur ata janë nëntokë.

“Sigurisht që familjet shqetësohen, siç do të shqetësohej çdo familje me një të afërm poshtë”, përfundon ai. / REL

të fundit

Dëshmia e recepsionistes në rigjykimin ndaj Endrit Nikës: “E pamundur të bjerë nga krevati, ishte shumë larg dritares

Erza Limani, ish-recepcioniste e hotelit “Sonoma”, ka rrëfyer në Gjykatën Themelore në Prishtinë momentet pas rënies së Maria Clarës nga…

3 minutes ago

Naim Murseli contests life sentence at appeal on October 29, Liridona Ademaj’s family has also filed its appeal

Më 29 tetor në Apel shqyrtohet ankesa e Naim Murselit, ankesë paraqiti edhe familja e Liridona Ademajt Më 29 tetor,…

4 minutes ago

Special Prosecution files war crimes indictment against former police commander in Zveçan

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.Gj. për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë…

5 minutes ago

Kurti becomes a campaign topic in Serbia, Islami: Opposition pressures Vučić with Kosovo and the Radoičić scandal

Profesori i sigurisë, Avni Islami, në një reagim ka vlerësuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kthyer në një…

5 minutes ago

Kosovo customs finds undeclared goods at Vërmica, value exceeds €10,000

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar mallra të padeklaruara në vlerë 10 mijë e 300 euro, gjatë kontrollit të…

5 minutes ago

VLEN: Six police officers suspended, no one can escape responsibility

Gjashtë policë janë suspenduar pas dhunës brutale të ushtruar ndaj dy të rinjve nga Saraji. Institucionet reaguan në kohë rekord…

8 minutes ago