Categories: kosovë

IKD: Programi Kombëtar për kryerësit e dhunës ndaj grave nuk është zbatuar ende plotësisht dhe vazhdon kryesisht mbi baza vullnetare

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), mbajti një tryezë me rastin e publikimit të raportit të IKD-së me titull “Zbatimi i Programit Kombëtar për Kryerësit e Dhunës ndaj Grave në Kosovë (Analizë e kornizës ligjore, praktikës gjyqësore dhe zbatimit institucional)”.

Sipas një njoftimi për media, në këtë diskutim morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, si dhe të organizatave vendore e ndërkombëtare, çka, sipas njoftimit, pasqyron rëndësinë e çështjes dhe natyrën e saj ndërinstitucionale.

Të lidhura

None found

Në njoftim thuhet se të pranishëm ishin përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), Shërbimi Sprovues i Kosovës (SHSK), Akademia e Drejtësisë, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave (ZMNV), strehimoret për viktimat e dhunës, Institucioni i Avokatit të Popullit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX-i, UNMIK-u dhe KFOR-i, si dhe avokatë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë.

Në fjalën hyrëse, Adelina Berisha, Drejtore e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, theksoi se qasja ndaj dhunës ndaj grave nuk duhet të mbetet vetëm te reagimi emergjent dhe ndjekja penale, por duhet të përfshijë edhe shërbimet për viktimat dhe rehabilitimin e kryerësve, me synimin që dhuna të mos përsëritet.

Njoftimi bën të ditur gjithashtu se drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, shprehu keqardhje për mungesën e përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë në këtë tryezë, duke vlerësuar se kjo mungesë nuk pasqyron nivelin e duhur të angazhimit institucional në trajtimin e dhunës në familje.

Gjetjet e raportit i paraqiti Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në IKD, e cila theksoi se, ndonëse në Kosovë është krijuar baza e nevojshme për rehabilitimin e kryerësve të dhunës ndaj grave, Programi Kombëtar ende nuk është funksionalizuar në tërësi.

Ajo tha se programi vazhdon të zbatohet kryesisht mbi baza vullnetare dhe se në asnjë prej 50 aktgjykimeve të analizuara, gjykatat nuk kanë urdhëruar pjesëmarrjen e kryerësve në programe rehabilituese. Sipas saj, Programi aktualisht zbatohet vetëm në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ndërsa ende nuk është funksionalizuar në Shërbimin Sprovues të Kosovës, duke e kufizuar qasjen e kryerësve në këtë ndërhyrje rehabilituese. Rezniqi shtoi se raporti ka identifikuar mangësi në kornizën ligjore dhe institucionale, përfshirë mungesën e një akti nënligjor që do të rregullonte organizimin, standardet, monitorimin dhe vlerësimin e Programit.

Sipas Rezniqit, raporti ka evidentuar edhe mospërputhje mes të dhënave të institucioneve për numrin e pjesëmarrësve në Program, duke krijuar paqartësi në vlerësimin e rezultateve reale. Megjithatë, ajo nënvizoi se gjetjet sjellin edhe elemente inkurajuese, pasi pjesëmarrësit kanë treguar rritje të vetëdijesimit për sjelljet e tyre, marrje më të madhe të përgjegjësisë dhe ulje të disa formave të sjelljes abuzive, çka dëshmon potencialin e Programit.

Njëherësh, ajo ngriti shqetësimin se vlerësimi i rezultateve aktualisht mbështetet kryesisht në vetëvlerësimin e kryerësve dhe perceptimet e lehtësuesve, pa përfshirë perspektivën e viktimave. Sipas saj, kjo mund të ndikojë në paraqitjen e plotë të efektivitetit të Programit dhe të ndikimit të tij në sigurinë dhe mirëqenien e viktimave.

Duke folur për rëndësinë e Programit Kombëtar, Adelina Berisha nga RrGK ritheksoi se trajtimi i dhunës ndaj grave nuk duhet të kufizohet vetëm te ndjekja penale, por duhet të përfshijë edhe rehabilitimin e kryerësve me qëllim parandalimin e përsëritjes së dhunës.

Në të njëjtën frymë, gjyqtari Albert Haliti e vlerësoi raportin e IKD-së si një kontribut të rëndësishëm për llogaridhënien dhe transparencën në sistemin e drejtësisë, duke nënvizuar se gjetjet e tij tregojnë ngecje në zbatimin e Programit Kombëtar për Kryerësit e Dhunës ndaj Grave. Ai deklaroi se, megjithëse sistemi gjyqësor përballet me sfida, përfshirë mungesën e stafit dhe burimeve, të dhënat e raportit nuk mund të arsyetohen. Haliti theksoi se Kodi Penal i ofron mekanizmat e nevojshëm për rehabilitimin e kryerësve dhe parandalimin e përsëritjes së dhunës, ndërsa u pajtua me rekomandimet e raportit, duke vlerësuar se detyrimet e parapara në nenin 56 të Kodit Penal duhet të bëhen pjesë e praktikës gjyqësore dhe se nevojiten më shumë trajnime për gjyqtarët për zbatimin e këtyre masave.

Lidhur me zbatimin praktik të Programit, Trëndelina Qorraj nga Shërbimi Korrektues i Kosovës bëri të ditur se janë ndërmarrë hapa për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe se aktualisht 17 zyrtarë janë certifikuar për zbatimin e tij. Ndërkaq, Fusharza Kelmendi nga Shërbimi Sprovues i Kosovës tha se programi ende nuk është funksionalizuar në këtë institucion për shkak të sfidave buxhetore dhe operative, duke theksuar nevojën për një rol më aktiv të gjykatave në përcaktimin e detyrimeve që lidhen me trajtimin e kryerësve.

të fundit

Ushtria ukrainase godet ura hekurudhore në Krime, të përdorura nga forcat ruse për armë dhe furnizime

Forcat ukrainase kanë ndërmarrë sulme ndaj urave hekurudhore në Krimenë e pushtuar nga Rusia.Në një njoftim të publikuar në Telegram,…

32 seconds ago

Granit Xhaka tregon pse nuk ia la penalltinë Manzambit për të kompletuar het-trikun

Talenti zviceran Johan Manzambi shënoi dy gola në ndeshjen e mbrëmshme kundër Bosnjës dhe Hercegovinës, duke hyrë kështu në histori…

6 minutes ago

Muçaj dhe Konigsberg udhëhoqën konsultimet politike mes Kosovës dhe Estonisë

Kosova dhe Estonia zhvilluan në Tallinn Konsultimet Politike, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive të jashtme dhe angazhimit të…

16 minutes ago

Protestat për Zvërnecin, PD kërkon interpelancë urgjente me Ramën: Të japë llogari për kërkesat e protestuesve dhe rezolutën e PE

Partia Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama në seancën më të afërt plenare, duke…

18 minutes ago

Mërgim Pefqeli pranë ndarjes me Dukagjinin, në tavolinë oferta nga Kosova dhe Shqipëria

E ardhmja e Mërgim Pefqelit te Dukagjini mbetet e paqartë, ndërsa gjithçka tregon se mesfushori ofensiv është pranë mbylljes së…

21 minutes ago

Vedat Muriqi flet për herë të parë pas rikthimit te Fenerbahce

Fenerbahce ka njoftuar zyrtarisht transferimin e Vedat Muriqit. Ylli kosovar ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me gjigantin turk.“Klubi ynë ka…

31 minutes ago