Categories: kosovë

IKD i kërkon presidentes Shiroka-Pula të udhëheqë me pavarësi, transparencë dhe në mbrojtje të Kushtetutës

Pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së Republikës së Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka theksuar rëndësinë e rolit të saj në garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve dhe në përfaqësimin e Kosovës brenda dhe jashtë vendit.

Të lidhura

None found

IKD rikujton se Kushtetuta i jep presidentes kompetenca të rëndësishme në fushën e ligjeve, drejtësisë, sigurisë, politikës së jashtme dhe institucioneve të pavarura, përfshirë edhe detyrën e Komandantes Supreme të FSK-së. Sipas institutit, presidentja duhet të përfaqësojë të gjithë qytetarët dhe të qëndrojë mbi interesat partiake dhe kalkulimet e shumicave të përkohshme politike.

Për këtë arsye, IKD i kërkon presidentes Shiroka-Pula që në nisje të mandatit të bëjë publike qëndrimet dhe angazhimet e saj për dhjetë çështje kryesore.

1. Kushtetuta dhe funksionimi demokratik i institucioneve

Instituti kërkon të dijë se si do ta përmbushë presidentja detyrimin kushtetues për të garantuar funksionimin e institucioneve dhe nëse do të reagojë publikisht e në kohë në rastet kur cenohen ndarja e pushteteve, mandatet institucionale, procedurat kushtetuese apo kur vendi përballet me bllokim institucional.

2. Dhomat e Specializuara, personat e zhdukur dhe drejtësia për viktimat

IKD kërkon që presidentja të qartësojë qëndrimin e saj ndaj zhvillimeve të fundit lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara, të drejtat e të akuzuarve e të viktimave dhe respektimin e pavarësisë së gjyqësorit. Gjithashtu, ajo duhet të tregojë nëse zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe dokumentimin e krimeve të luftës do t’i trajtojë si prioritete të përhershme shtetërore.

3. Partneriteti me SHBA-në, BE-në dhe integrimi euroatlantik

Instituti pyet se si do ta drejtojë presidentja politikën e jashtme për rifillimin e dialogut strategjik dhe thellimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me synim avancimin e statusit të Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe shtimin e njohjeve ndërkombëtare. Po ashtu, kërkohet të sqarohet nëse do të sigurojë bashkërendimin e institucioneve në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë.

4. Pavarësia nga partitë politike dhe përfaqësimi i të gjithë qytetarëve

Presidentja duhet të bëjë të qartë se cilin standard do të ndjekë për të dëshmuar se nuk do të përfaqësojë interesat e subjekteve politike që mbështetën zgjedhjen e saj. IKD kërkon të dijë edhe se si do të garantojë komunikim dhe konsultim të barabartë me opozitën, shoqërinë civile, komunitetet dhe qytetarët.

5. Kthimi i ligjeve për rishqyrtim dhe mbrojtja e interesit publik

IKD kërkon sqarime mbi mënyrën se si do ta përdorë presidentja kompetencën për t’i kthyer ligjet në Kuvend për rishqyrtim, kur vlerëson se ato dëmtojnë interesat legjitime të Republikës. Sipas institutit, duhet të ketë një praktikë transparente për arsyetimin publik të dekreteve që lidhen me shpalljen ose kthimin e ligjeve.

6. Sundimi i ligjit, drejtësia dhe emërimet në sistemin gjyqësor e prokurorial

Një tjetër çështje e ngritur nga IKD është mënyra se si do të ushtrohen kompetencat për emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, prokurorëve, Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit. Këto vendime, sipas institutit, duhet të merren me integritet, pa ndikim politik dhe duke respektuar plotësisht pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

7. Lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e institucioneve të pavarura

Presidentja pritet të sqarojë se si do të reagojë ndaj përpjekjeve për kapjen e institucioneve, emërimeve jomeritore, nepotizmit dhe konflikteve të interesit. IKD e pyet nëse do ta përdorë autoritetin kushtetues për të kërkuar llogaridhënie dhe zbatimin e standardeve të integritetit në institucionet publike.

8. Dialogu me Serbinë, sovraniteti dhe marrëveshjet ndërkombëtare

IKD kërkon të njihet vizioni i presidentes për dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e njohjes reciproke. Çdo marrëveshje ndërkombëtare, sipas institutit, duhet të jetë në përputhje me sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

9. Siguria kombëtare, FSK-ja dhe veriu i Kosovës

Në cilësinë e Komandantes Supreme, presidentja duhet të përcaktojë prioritetet për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, bashkëpunimin me aleatët dhe KFOR-in, si dhe garantimin e sigurisë dhe rendit kushtetues në çdo pjesë të territorit të Republikës.

10. Të drejtat e njeriut, komunitetet, mirëqenia sociale dhe llogaridhënia para qytetarëve

IKD kërkon të dijë se si do ta drejtojë presidentja Këshillin Konsultativ për Komunitete dhe çfarë hapash do të ndërmarrë për mbrojtjen nga diskriminimi, barazinë gjinore, të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe përfshirjen e tyre në jetën institucionale.

Instituti e pyet gjithashtu nëse do ta përdorë autoritetin e saj për të nxitur konsensus institucional rreth arsimit, shëndetësisë, mundësive për të rinjtë, punësimit, uljes së varfërisë dhe trajtimit të emigrimit. Në fokus është edhe krijimi i një praktike të rregullt të konferencave për media, shpjegimi i vendimeve, transparenca e dekreteve dhe raportimi publik mbi punën e presidentes.

IKD vlerëson se presidentja duhet të shprehë publikisht edhe qëndrimin për procesin përmes të cilit është zgjedhur. Ajo duhet të deklarojë nëse konsideron se zgjedhja e saj është kryer në pajtim të plotë me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe procedurat parlamentare.

Po ashtu, presidentja duhet të tregojë nëse do t’i respektojë të gjitha vlerësimet juridike dhe kushtetuese lidhur me këtë proces, në rast se për të do të iniciohet një çështje në Gjykatën Kushtetuese.

IKD thekson se mandati pesëvjeçar i znj. Shiroka-Pula nuk do të vlerësohet vetëm mbi bazën e deklaratave, por përmes gatishmërisë së saj për ta mbrojtur Kushtetutën edhe kur kjo nënkupton përballje me shumicën që e zgjodhi.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë të ditur se do ta monitorojë ushtrimin e këtij mandati në raport me Kushtetutën, sundimin e ligjit, interesin publik dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve.

të fundit

Kallëzim penal për katër punonjës të “Pyjeve Kombëtare” në Demir Kapi

MPB njofton se është ngritur kallëzim penal ndaj katër të punësuarve në „Pyjet Kombëtare“ në Demir Kap të cilët dyshohen…

2 minutes ago

Avaria në “Trepça”, kryeshefi Ahmeti: Flotacioni mbetet jashtë funksionit

Kryeshefi i ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, ka dhënë detaje pas avarisë së 7 tetorit e cila shkaktoi ndërprerjen e energjisë…

4 minutes ago

Granit Xhaka bën të ditur vendimin për çështjen e certifikatës së falsifikuar të COVID-19

Kapiteni i ekipit kombëtar të Zvicrës, Granit Xhaka e njoftoi publikisht dënimin e dhënë në lidhje me certifikatën e falsifikuar…

10 minutes ago

IPK nis verifikimin e pretendimeve për përdorimin e gazit lotsjellës me afat të skaduar

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar…

14 minutes ago

A mund të rishikohet marrëveshja për Specialen vetëm me ligj të Kosovës?

Kuvendi i Kosovës miratoi më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.…

14 minutes ago

Territorial reform/Mazniku to opposition: People do not want maps, but improved services from municipalities

Një prej hartuesve të ligjit të Reformës Territoriale dhe bashkëkryetari i Komisionit të ngritur në lidhje me këtë nismë ligjore,…

14 minutes ago