Categories: kosovë

Haziri: LDK mund t’i bashkojë 18 votat vetëm nëse posti i presidentit i takon partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës mund t’i vërë në dispozicion 18 votat e deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, nëse në një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, posti i presidentit i jepet LDK-së.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha për REL se deputetët e partisë së tij mund të dalin të unifikuar vetëm nëse kandidati për president vjen nga radhët e LDK-së dhe jo nga jashtë saj.

Të lidhura

None found

“Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, theksoi Haziri.

Në garën zgjedhore të 7 qershorit, LDK-ja doli me Vjosa Osmanin si kandidate për presidente dhe me Lumir Abdixhikun si kandidat për kryeministër.

Megjithëse partia fitoi 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Haziri tha se për kandidaturën e Osmanit nuk do të ishte e mundur të sigurohej mbështetja e të gjithë deputetëve të LDK-së.

“Mund të jetë sikur herën e kaluar, pra, dy-tri vota, mund të ndahen, por në rastin e Lumirit ose rastin tim, mund të unifikohemi”, sqaroi Haziri.

Vetë Osmani kishte deklaruar më herët se emri i saj “nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve”.

Haziri u shpreh po ashtu se aktualisht ekziston vetëm një adresë zyrtare te LDK-ja për çdo komunikim të mundshëm nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me një marrëveshje eventuale.

“Vetëm me Lumir Abdixhikun. Ai është kryetar. Ne nuk kemi mbledhur Kuvendin [e LDK-së]. Nëse mblidhet Kuvendi ose ka akt të dorëheqjes, atëherë kemi situatë të re. Deri atëherë është vetëm një adresë dhe nuk ka adresë të dytë”, tha Haziri.

Kjo deklaratë e tij erdhi si reagim ndaj qëndrimeve të Donika Gërvallës, ministre në detyrë e Drejtësisë në Qeverinë e Albin Kurtit dhe pjesë e LVV-së.

Duke folur për zhvillimet e brendshme në LDK, Gërvalla tha se në këtë parti “janë disa rryma të ndryshme”.

Ajo shtoi se për LVV-në mbetet problem të zhvillojë bisedime me LDK-në, pasi, sipas saj, “nuk e dimë me cilën rrymë je duke folur”, kur bëhet fjalë për një marrëveshje të mundshme për konsolidimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Unë po kërkoj që ai që potencialisht ulet për të negociuar me ne, të jetë edhe personi që e përfaqëson këtë parti. Ne nuk mund të ulemi me pesë veta të ndryshëm në LDK. Sepse nëse LDK-ja dëshiron të jetë faktor në zgjedhjen e presidentit, atëherë ata duhet të garantojnë edhe votat e grupit të vetë parlamentar”, theksoi Gërvalla.

Nga ana tjetër, Haziri tha se deri tani LDK-ja “nuk ka ardhur nga LVV-ja ndonjë ftesë” për bisedime rreth një marrëveshjeje të mundshme.

Sipas tij, nëse një ftesë e tillë i dërgohet partisë, ajo do të trajtohet nga organet e LDK-së dhe vendimi do të merret brenda partisë, në varësi të ofertës që do të vijë nga LVV-ja.

Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit u mbajtën pasi legjislatura e kaluar nuk arriti të zgjidhte një president të ri brenda afatit kushtetues, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar të Vjosa Osmanit në prill.

Nga LVV-ja është thënë se janë të gatshëm të diskutojnë për formimin e institucioneve të reja pasi të certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit.

Kushtetuta parasheh që për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë nevojiten të paktën 61 vota deputetësh.

Si fituese e zgjedhjeve, LVV-ja e Albin Kurtit pritet të sigurojë 53 mandate në Kuvendin me 120 ulëse dhe, së bashku me pakicat joserbe, mund t’i arrijë numrat për Kuvendin dhe Qeverinë.

të fundit

Partizani nis testet e verës, Bratu debuton sot ndaj Besës së Kavajës

Klubi i Partizanit në seancën stërvitoreDitën e sotme, Partizani do të luajë miqësoren e parë përballë Besës së Kavajës, në…

4 minutes ago

Residents of Lutogllava and Surrounding Villages Protest Over Landfill Fire

Banorët e fshatit Lutogllavë, së bashku me banorët e disa fshatrave përreth, kanë paralajmëruar organizimin e një proteste paqësore për…

4 minutes ago

German and EU Officials Call for Serbian Minister’s Dismissal over Kosovo Statement

Deklarata e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, se nëse do të ishte në vendin e…

5 minutes ago

Trump kërkon një Botëror tjetër në SHBA, pa Kanadanë dhe Meksikën

Ndërsa ky Kupë Bote, që po mbahet në Amerikën e Veriut, po i afrohet fundit, Presidenti i Shteteve të Bashkuara,…

5 minutes ago

Tymi nga zjarret kanadeze përkeqëson ajrin në SHBA, mbi 100 milionë banorë të ekspozuar ndaj rrezikut

Më shumë se 100 milionë njerëz në 18 shtete amerikane dhe në Uashington DC janë prekur nga përkeqësimi i cilësisë…

5 minutes ago

Magnitude 5 Earthquake Hits Battalgazi in Eastern Turkey’s Malatya

Një tërmet me magnitudë 5 të shkallës Rihter është regjistruar mëngjesin e kësaj të shtune në rrethin Battalgazi, pjesë e…

5 minutes ago