Gjykata Themelore në Prishtinë e ka gjetur fajtor ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për përdorimin e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës më 21 mars 2018.
None found
Sveçla u shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Vendimi u mor të mërkurën nga gjykatësi i çështjes, Sabit Sadikaj.
Sa i përket akuzës për “Pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, Gjykata nxori aktgjykim refuzues, pasi ndjekja penale për këtë vepër ishte parashkruar.
Dënimi për veprën për të cilën Sveçla u shpall fajtor do të caktohet pas një seance të posaçme, ku palët do të paraqesin rrethanat lehtësuese dhe rënduese. Kjo seancë është caktuar të mbahet më 8 shtator 2026, bëri të ditur gjykatësi Sadikaj.
I akuzuari nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa në emër të tij mori pjesë avokati Laur Prenaj.
Procedura ndaj Sveçlës ishte veçuar nga ajo ndaj të akuzuarve të tjerë, pasi ai mungoi në seancën e 16 janarit 2026 dhe përmes e-mailit njoftoi Gjykatën se ndodhej jashtë vendit.
Në seancën e 10 prillit 2026, Sveçla ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e ngritur ndaj tij.
Ndërkohë, gjatë seancës së 28 gushtit 2026, prokurori Avni Namani njoftoi se Prokuroria kishte ndryshuar dispozitivin e aktakuzës kundër Sveçlës.
Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, më 21 mars 2018, nga ora 12:10 deri në 15:40, gjatë një seance të jashtëzakonshme plenare në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sveçla dyshohej se kishte përdorur një bombolë gazi lotsjellës me përmbajtje të agjentit kimik CS.
Prokuroria pretendon se ai e kishte aktivizuar bombolën në disa raste dhe e kishte hedhur brenda sallës, pa paralajmërim dhe pa u mundësuar personave të pranishëm largimi nga hapësira.
Si pasojë e këtij veprimi, sipas aktakuzës, gazi irritues ishte shpërndarë në ambientet e mbyllura të sallës. Të pranishmit, të frikësuar për shëndetin dhe sigurinë e tyre, ishin detyruar ta braktisnin atë, ndërsa seanca ishte ndërprerë.
Namani deklaroi se Sveçla ndiqet penalisht për “Përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm”, vepër e paraparë në nenin 375, paragrafin 2 të Kodit Penal të vitit 2012. Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit, ndërsa pjesa tjetër e aktakuzës ka mbetur e pandryshuar.
Në të njëjtin rast janë të përfshirë edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ish-deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, si dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku.
Aktakuza ndaj Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit ishte konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024, ndërsa vendimi i saj më pas ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Në seancën fillestare, të mbajtur më 26 mars 2024, të katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Përveç kësaj vepre, ata akuzoheshin edhe për “Pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”. Megjithatë, në seancën fillestare gjykatësi Sabit Sadikaj kishte njoftuar se për këtë vepër kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila ishte ngritur më 29 korrik 2019 dhe për të cilën “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar ekskluzivisht në tetor të vitit 2021, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi dyshoheshin se më 21 mars 2018, nga rreth ora 12:10 deri në 15:40, kishin ndezur disa bombola me gaz lotsjellës dhe i kishin hedhur në sallën e Kuvendit të Kosovës gjatë zhvillimit të seancës plenare.
Aktakuza theksonte se, për shkak të gazit, të gjithë deputetët ishin detyruar të dilnin nga salla, duke e pamundësuar vazhdimin e seancës.
Për këtë veprim, secili prej tyre akuzohej veçmas për “Përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm”, sipas nenit 375, paragrafit 1 të Kodit Penal. Për këtë vepër parashihet dënim me burgim prej një deri në tetë vjet.
Ndërsa, sipas pikës së dytë të aktakuzës, të akuzuarit dyshoheshin veçmas edhe për “Pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal, me pretendimin se kishin penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës në ushtrimin e detyrave të tyre zyrtare. Për këtë vepër parashihet burgim nga tre muaj deri në tre vjet.
Lëvizja Vetëvendosje është duke zhvilluar diskutime me Partinë Demokratike të Kosovës për mënyrën se si do të vazhdohet me Projektligjin…
Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e radhës të enjten, më 12 nëntor, duke filluar nga ora 10:00. Kështu…
Sistemi gjyqësor duhet të bazohet në parimin e lingua franca, që është gjuha maqedonase, dhe kjo lidhet me sundimin e…
Reforma Zgjedhore rikthen në tryezë Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, ndërsa opozita ka bërë të qarta kushtet e saj për…
Sami Sermaxhaj më nuk është trajner i Ballkanit të Suharekës, ka njoftuar të hënën ekipi i Superligës së Kosovës në…
Mosrespektimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve po shndërrohet në një trend shqetësues në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut,…