Categories: kosovë

Eksperti ngre shqetësime për infiltrim dhe luftë hibride pas protestave të Hagës: Të hetohen incidentet e dhunshme

Sonte do të mbahet protesta e tetë pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku u dënuan katër ish-drejtues të UÇK-së.

Të lidhura

None found

Ato përveç reagimit qytetar, sollën edhe incidente të izoluara me persona të maskuar që hodhën mjete të ndryshme drejt institucioneve dhe forcave të sigurisë.

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, thotë se situata duhet të analizohet përtej dimensionit të një proteste të zakonshme, duke bërë dallim mes qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore dhe individëve që përdorin dhunë apo tentojnë të shkaktojnë përshkallëzim.

Sipas tij, protesta qytetare është një e drejtë demokratike dhe zemërimi i qytetarëve për një çështje që prek drejtpërdrejt historinë dhe ndjenjat e shoqërisë kosovare është i kuptueshëm. Megjithatë, Elezi thekson se momenti kur persona të maskuar përdorin dhunë dhe sulmojnë institucione apo forcat e sigurisë, çështja nuk mund të trajtohet vetëm si protestë politike.

“Ajo që ndodhi pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë duhet të analizohet përtej dimensionit të një proteste të zakonshme. Protesta qytetare është një e drejtë demokratike dhe zemërimi i qytetarëve, veçanërisht për një çështje që prek drejtpërdrejt ndjenjat dhe historinë e shoqërisë kosovare, është i kuptueshëm. Por momenti kur persona të maskuar fillojnë të përdorin dhunë, të hedhin gurë apo mjete të tjera drejt institucioneve dhe forcave të sigurisë, situata kalon nga protesta politike në një çështje të sigurisë publike dhe potencialisht të sigurisë kombëtare”, shprehet Elezi.

Eksperti i sigurisë thotë se nuk duhet të barazohet protestuesi paqësor me personin që kryen veprime të dhunshme. Sipas tij, hetimi duhet të përqendrohet te veprimet konkrete të individëve dhe te provat që mund të dëshmojnë nëse incidentet kanë qenë spontane apo të nxitura dhe të koordinuara.

“Këtu duhet të bëjmë një dallim shumë të qartë: protestuesi paqësor nuk është kërcënim për shtetin; personi që përdor dhunë, maskohet për të fshehur identitetin dhe përpiqet të shkaktojë përshkallëzim, duhet të trajtohet mbi bazën e veprimeve të tij konkrete dhe provave. Pikërisht kjo ndarje është e rëndësishme, sepse nuk mund të vendoset e gjithë një protestë qytetare nën të njëjtin emërtim për shkak të veprimeve të një grupi të vogël individësh”, thotë ai.

Elezi vlerëson se një nga rreziqet kryesore në situata të tilla është instrumentalizimi i zemërimit real qytetar nga individë apo struktura që mund të kenë agjenda të tjera.

Ai përmend mundësinë e luftës hibride, ku, sipas tij, një aktor i jashtëm nuk ka nevojë domosdoshmërisht ta organizojë një protestë nga fillimi, por mund të tentojë të ndikojë në një situatë ekzistuese tensioni.

“Rreziku kryesor në një situatë të tillë është që zemërimi real qytetar të instrumentalizohet nga individë ose struktura me agjenda të tjera. Kjo është pikërisht një nga karakteristikat e luftës hibride. Nuk është e domosdoshme që një aktor i jashtëm të organizojë një protestë nga fillimi. Mjafton që të përpiqet të ndikojë në një moment ekzistues tensioni, të identifikojë pikat e dobëta, të nxisë përshkallëzimin, të manipulojë informacionin dhe ta kthejë një protestë legjitime në përplasje me institucionet”, deklaron eksperti i sigurisë.

Duke folur për mundësinë e përfshirjes së shërbimeve të huaja, Elezi përmend edhe BIA-n serbe, por thekson se çdo pretendim për infiltrimin e protestave duhet të mbështetet në prova konkrete.

Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet ta marrin në konsideratë edhe skenarin e ndërhyrjes së një shërbimi të huaj, pa e shpallur atë si fakt para se të përfundojnë hetimet.

“A mund të jetë BIA e Serbisë e interesuar për një skenar të tillë? Kjo duhet të trajtohet me shumë seriozitet, por edhe me standard profesional të provave. Nuk duhet të deklarojmë se personat e maskuar ishin të infiltruar të BIA-s pa pasur prova konkrete. Por, nga perspektiva e kundërzbulimit, mundësia e përpjekjes së një shërbimi të huaj për të shfrytëzuar një situatë të tillë është skenar që institucionet duhet ta marrin në konsideratë dhe ta hetojnë”, thotë Elezi.

Ai kujton se në Kosovë janë trajtuar edhe më herët raste të dyshuara të spiunazhit që, sipas tij, lidhen me BIA-n, duke vlerësuar se kjo e bën të nevojshme që çdo dyshim për ndërhyrje të jashtme të shqyrtohet nga institucionet kompetente.

“Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në kontekstin e rasteve të spiunazhit që janë hetuar në Kosovë. Prokuroria Speciale ka bërë publike se ka trajtuar disa raste të dyshuara të spiunazhit të lidhura me BIA-n, përfshirë raste që kanë përfunduar me dënime. Prandaj, pyetja e sigurisë nuk duhet të jetë vetëm ‘Kush po proteston?’. Pyetja duhet të jetë edhe kush po përpiqet ta ndryshojë karakterin e protestës, kush po e nxit dhunën, kush përfiton nga destabilizimi dhe a ekzistojnë lidhje organizative, financiare, informative apo operative ndërmjet personave të përfshirë”, shprehet ai.

Elezi thekson se institucionet e sigurisë duhet të shmangin përgjithësimet dhe të fokusohen te sjellja e individëve të përfshirë në incidentet e dhunshme.

Sipas tij, personat që protestojnë në mënyrë paqësore duhet të kenë të garantuar të drejtën e protestës, ndërsa ata që sulmojnë institucione apo dëmtojnë pronën duhet të hetohen dhe të përgjigjen para ligjit.

“Në këtë drejtim, institucionet e sigurisë duhet të analizojnë veçanërisht sjelljen, jo përkatësinë politike të protestuesve. Personat paqësorë duhet të mbrohen dhe të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e protestës. Ndërsa individët që përdorin dhunë, sulmojnë institucionet, dëmtojnë pronën apo përpiqen të provokojnë përplasje duhet të identifikohen dhe të trajtohen mbi bazën e ligjit dhe provave”, thotë Elezi.

Ai kërkon koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, institucioneve të inteligjencës dhe kundërzbulimit, prokurorisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Sipas tij, përveç materialeve filmike, duhet të analizohen edhe komunikimet publike e dixhitale, lëvizjet e personave të dyshimtë, koordinimi i grupeve dhe mënyra se si janë siguruar mjetet e përdorura gjatë incidenteve.

“Duhet të përdoren në mënyrë të koordinuar kapacitetet e Policisë së Kosovës, strukturave të inteligjencës dhe kundërzbulimit, prokurorisë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Në veçanti duhet të analizohet materiali filmik, komunikimet publike dhe dixhitale, lëvizjet e personave të dyshimtë, koordinimi i grupeve, mënyra e sigurimit të mjeteve të dhunës dhe çdo lidhje e mundshme ndërmjet individëve. Vetëm përmes një analize të tillë mund të kuptohet nëse kemi të bëjmë me veprime individuale, me një grup të koordinuar apo me ndonjë përpjekje më të gjerë për të ndikuar në situatën e sigurisë”, deklaron ai.

Në fund, eksperti i sigurisë vlerëson se Kosova duhet të jetë veçanërisht e kujdesshme ndaj përpjekjeve për manipulim të tensioneve shoqërore, dezinformimit dhe ndikimit të jashtëm.

Ai thotë se institucionet nuk duhet të presin që një situatë e tillë të përshkallëzohet për të ndërmarrë masa, por duhet të identifikojnë paraprakisht indikatorët e mundshëm të rrezikut.

“Nuk duhet lejuar që një aktor i jashtëm apo një grup i vogël individësh ta marrë peng një protestë qytetare dhe ta shndërrojë atë në instrument destabilizimi. Nëse një person hyn në një turmë me qëllim të provokimit të dhunës, ai nuk duhet të identifikohet automatikisht me gjithë protestuesit. Pikërisht kjo ndarje është thelbësore për sigurinë kombëtare: të mbrohet e drejta e protestës dhe njëkohësisht të neutralizohet dhuna e organizuar”, thekson Elezi.

Ai shton se nëse ekzistojnë prova për ndërhyrje të jashtme, ato duhet të dokumentohen dhe t’u dorëzohen institucioneve kompetente, ndërsa në mungesë të tyre nuk duhet të krijohen akuza të pabazuara.

“Nëse ekzistojnë prova për ndërhyrje të jashtme, ato duhet të dokumentohen, të hetohen dhe t’u paraqiten institucioneve kompetente. Nëse nuk ekzistojnë prova, nuk duhet të krijohen akuza politike apo publike të pabazuara. Por një gjë është e qartë: në një shtet të ekspozuar ndaj luftës hibride dhe që tashmë ka përjetuar raste të hetimeve e dënimeve për spiunazh, çdo përpjekje për ta kthyer zemërimin qytetar në dhunë duhet të trajtohet si indikator serioz sigurie dhe jo thjesht si incident proteste”, përfundon Bedri Elezi, ekspert i sigurisë.

të fundit

Prokuroria nis hetimin për dhunën ndaj gjinekologut në Shkup

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar Urdhër për të zhvilluar procedurë hetimore kundër një personi për të cilin ekziston dyshim…

1 minute ago

VLEN e përgatitur për zgjedhje, por nuk i kërkon ato – Kasami shpreh bindjen për fitore

Kryetari i Komunës së Tetovës dhe një nga bashkëkryetarët e partisë VLEN, Bilall Kasami, komentoi sot situatën aktuale politike me…

1 minute ago

Melania Trump: Presidenti punon pa pushim, nga mëngjesi në darkë

Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, ka folur për marrëdhënien me bashkëshortin e saj, presidentin Donald Trump, duke e…

9 minutes ago

Foda: “Synimi është fitorja”, Kaçuri dhe Osmani pajisen me aprovimin e FIFA-s

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka bërë të qartë se objektivi i “Dardanëve” në ndeshjen e parë të Ligës së…

10 minutes ago

Constitutional Court rejects the Left’s initiative on election campaign

Gjykata Kushtetuese vendosi sot se Kuvendi ka të drejtë të vendosë se si do t'u ndahen fondet partive politike për…

20 minutes ago

Shasivari announces he will present proposal for jurisprudence exam in October

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari do t’i ftojë studentët dhe dekanët e fakulteteve në një takim konsultativ dhe informues në…

21 minutes ago