Mesazhi që Shtetet e Bashkuara po dërgojnë në Serbi, duke paralajmëruar shitjen e raketave kundërtanke në Kosovë, është se Beogradi zyrtar nuk konsiderohet partner i besueshëm.
Kështu tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Kurt Bassuener, hulumtues i latë në Këshillin për Demokratizim të Politikave me seli në Berlin.
SHBA-ja njoftoi më 11 janar se ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 sistemeve kundërajrore Javelin, që prodhohen në SHBA.
Departamenti amerikan i Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se blerja e tyre do t’i kushtojë Kosovës 75 milionë dollarë.
Tani kjo çështje është dërguar në Kongresin amerikan për miratim dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se beson që kërkesa për blerjen e këtyre armëve do të miratohet. Ndërkaq, homologu i saj serb, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar lajmin si “zhgënjim të madh”.
Bassuener tha se beson se kjo lëvizje ende nuk shfaq një ndryshim të politikës së Perëndimit ndaj Vuçiqit, por është tregues se ndryshimi i politkës mund të shqyrtohet.
“Mesazhi që SHBA-ja po dërgon me këtë blerje është se Serbia, pavarësisht deklaratave të Perëndimit se është partnere në dialog, nuk po konsiderohet partnere e besueshme, ose e besueshme nën udhëheqjen aktuale”, tha ai.
Njoftimi për synimin e Kosovës që të blejë sisteme raketore nga SHBA-ja vjen në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta.
Në muajt e fundit, ushtria serbe disa herë ka lëvizur trupat drejt kufirit me Kosovën, kufi që ruhet nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, teksa u regjistruan disa incidente në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – përfshirë edhe një sulm të armatosur nga një grup serbësh ndaj Policisë së Kosovë në Banjskë të Zveçanit.
SHBA-ja ka thënë se dhuna e parë në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës dhe gjatë përleshjeve që pasuan u vranë dhe tre sulmues serb, nuk do të lejohet që të përsëritet.
Eksperti gjerman Bassuener tha se beson që incidenti në Banjskë është një prej motiveve që SHBA-ja dëshiron të forcojë kapacitetet mbrojtëse të Kosovës.
“Në takimet e mia në Uashington, nuk kam parë ndryshim të madh në mënyrën e mendimit. Por, ka më shumë njohje se politikat që janë ndjekur deri më tani nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. Prandaj, shpresoj se vendimi për raketat Javelin është sinjali i parë i një ndryshimi të strategjisë ndaj Ballkanit Perëndimor nga të dyja anët e Atlantikut”, tha ai.
Shitja e sistemeve Javelin, sipas DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”.
Kosova edhe në të kaluarën ka blerë ose ka pranuar në formë donacioni armë nga Shtetet e Bashkuara.
Dashi Të lindur më: 21 Mars - 19 Prill Në fushën e dashurisë, dita e sotme sjell ngrohtësi dhe mundësi…
Demokratët ndryshuan mendje. Nuk do të bojkotojnë as Reformën Territoriale dhe as atë Zgjedhore. Sali Berisha i bëri ballë presionit…
Analisti Baton Haxhiu, duke komentuar idenë e një forumi intelektualësh për të bashkuar partitë e opozitës, u shpreh në emisionin…
Të paktën 13 persona kanë vdekur në New York City nga i ftohti ekstrem. Vendi po përballet me valën e…
Teksa forcat amerikane po grumbullohen pranë kufijve të Iranit dhe në kohën kur Teherani po paralajmëron për pasoja nëse shpërthen…
Gazetari Elton Tozaj ka bërë së fundmi një paralajmërim në rrjetet sociale, duke deklaruar se pritet të publikojë materiale që,…