Vazhdimi i krizës institucionale po shton shqetësimet për ndikimin që mund të ketë si në zhvillimin ekonomik, ashtu edhe në funksionimin e shtetit.
None found
Ekspertët vlerësojnë se institucionet jo të plota po përkeqësojnë mjedisin për investime, po shtojnë pasigurinë te bizneset dhe po vënë në rrezik shfrytëzimin e fondeve të rëndësishme të Bashkimit Evropian, të parashikuara për reforma dhe zhvillim.
Ndonëse sektori privat mund të ketë përfitime nga një kornizë ligjore më e qëndrueshme, për shkak se rregullat nuk ndryshojnë shpesh, ngërçi po shkakton vonesa të konsiderueshme në projektet publike, investimet infrastrukturore dhe reformat strategjike.
Zgjatja e bllokadës po krijon gjithashtu boshllëk në funksionimin e shtetit, duke shtuar rreziqet në fushën e sigurisë dhe duke dobësuar mbikëqyrjen demokratike.
Sipas ekspertëve, ekonomia nuk mund të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, investimet nuk mund të tërhiqen dhe shteti nuk mund të forcohet pa institucione të plota dhe funksionale.
Eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se mungesa e institucioneve të plota në Kosovë po sjell pasoja të rënda për ekonominë.
Sipas Bellaqës, boshllëku institucional prodhon pasoja njëkohësisht në planin politik dhe ekonomik. Ai shpjegon se paqëndrueshmëria politike përkthehet drejtpërdrejt në destabilitet ekonomik, duke dëmtuar kushtet e të bërit biznes dhe treguesit makroekonomikë e makrofiskalë, si dhe duke zmbrapsur investitorët e huaj nga sektorët strategjikë të ekonomisë.
Ai vlerëson se efektet negative të kësaj gjendjeje shfaqen në rritjen ekonomike, mirëqenien sociale dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve.
Bellaqa thekson se institucionet jofunksionale nuk mund të arrijnë nivelin më të lartë të efikasitetit, ndërsa pasojat e kësaj pamundësie reflektohen drejtpërdrejt te zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e popullsisë.
Eksperti paralajmëron gjithashtu për mundësinë që Kosova të humbasë një burim të rëndësishëm financiar të Bashkimit Evropian.
Sipas tij, vendi rrezikon të mos i përdorë kreditë e BE-së me vlerë mbi 800 milionë euro, të ndara për Planin e Rritjes dhe të destinuara për reformat strukturore ekonomike dhe administratën publike.
Bellaqa nënvizon se integrimi ekonomik i Kosovës vështirësohet nëse vendi nuk ka institucione të qëndrueshme, funksionale dhe të plota.
Ai thotë se, në këto rrethana, ekonomia nuk mund të integrohet as në tregun rajonal dhe as në atë evropian. Investitorët e huaj, sipas tij, tregohen të rezervuar për nënshkrimin e kontratave afatmesme dhe afatgjata, pasi Kosovën e shohin si vend me paqëndrueshmëri ekonomike dhe pasiguri juridike.
Pasojat, sipas ekspertit, prekin edhe tregun e punës. Gjendja aktuale ndikon drejtpërdrejt në rritjen e Bruto Produktit Vendor dhe sjell paqëndrueshmëri në punësim, veçanërisht për gjeneratat e reja, të cilat ende nuk janë përgatitur mjaftueshëm për kërkesat e tregut të punës, përfundon Jakup Bellaqa.
Një këndvështrim tjetër paraqet deputeti shqiptar në Bernë të Zvicrës, Korab Rashiti. Ai vlerëson se, kur shqyrtohen pasojat e mungesës së institucioneve të plota, duhet bërë dallim i qartë ndërmjet ekonomisë private dhe funksionimit të shtetit.
Në deklaratën për “Bota sot”, Rashiti thotë se një analizë e qetë e situatës kërkon ndarjen e këtyre dy aspekteve. Ai nuk është i bindur se ekonomia private dëmtohet domosdoshmërisht nga mungesa e institucioneve të plota.
Sipas tij, fakti që Parlamenti nuk miraton vazhdimisht ligje dhe rregullore të reja mund të sjellë më shumë stabilitet juridik. Bizneseve u nevojitet mbi të gjitha parashikueshmëria dhe, kur rregullat nuk ndryshojnë çdo muaj, sipërmarrësit e kanë më të lehtë të planifikojnë dhe të investojnë.
Rashiti kundërshton idenë se zhvillimi ekonomik matet me sasinë e ligjeve të miratuara. Ai vëren se politika nganjëherë sillet sikur ekonomia varet nga numri i akteve të votuara, kur në të vërtetë pasuria krijohet nga qytetarët dhe bizneset, jo në sallat e Parlamentit.
Megjithatë, ai thekson se tabloja ndryshon tërësisht kur bëhet fjalë për funksionimin e aparatit shtetëror.
Projektet publike, investimet në infrastrukturë dhe reformat strategjike, sipas Rashitit, nuk mund të realizohen pa institucione funksionale. Pas më shumë se dy vitesh bllokadë politike, shumë projekte janë shtyrë dhe është e arsyeshme të pritet që disa prej tyre të pësojnë vonesa shumëvjeçare. Ai shton se kostoja e kohës së humbur në politikë u kalon më vonë administratës dhe qytetarëve.
Duke e përmbledhur dallimin, Rashiti thotë se sektori privat mund të përfitojë nga qëndrueshmëria më e madhe ligjore kur politika nuk i ndryshon pandërprerë rregullat, ndërsa janë projektet shtetërore ato që bartin barrën më të madhe të ngërçit institucional.
Sipas tij, shqetësimi nuk kufizohet vetëm te ekonomia, pasi bllokada prek edhe sigurinë dhe funksionimin institucional.
Rashiti paralajmëron se funksionimi për një kohë të gjatë i institucioneve me gjysmën e kapacitetit krijon vakum institucional. Ai rikujton se historia tregon që boshllëqe të tilla nuk mbeten asnjëherë të paplotësuara, sepse aktorë të ndryshëm, qoftë të brendshëm apo të jashtëm, mund ta shtrijnë ndikimin e tyre mbi institucionet dhe shoqërinë.
Për këtë arsye, sipas tij, funksionimi i rregullt i shtetit është vendimtar jo për të nxjerrë sa më shumë ligje, por për të siguruar rendin, sigurinë dhe zbatimin e ligjit.
Rashiti drejton kritika edhe ndaj klasës politike për zvarritjen e krizës. Ai thotë se ekonomia nuk ndalet kur ndalen politikanët: bizneset hapen çdo mëngjes, punëtorët paraqiten në vendet e punës, sipërmarrësit ndërmarrin rreziqe dhe qytetarët prodhojnë vlerë, ndërkohë që politika vazhdon debatin se kujt do t’i takojë secila karrige.
Në vlerësimin e tij, Kosovës nuk i mungon politika, por qeverisja. Rashiti shtron mundësinë që problemi gjatë këtyre viteve të mos ketë qenë sasia e vogël e politikës, por teprica e saj dhe mungesa e qeverisjes.
Ai thekson se shtetet nuk përparojnë përmes numrit të deklaratave ose krizave të fabrikuara, por falë institucioneve funksionale dhe qytetarëve të cilëve u mundësohet të punojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen.
Duke komentuar zhvillimet aktuale politike, Rashiti ngre edhe dilemën nëse kjo gjendje mund t’i përshtatet Kryeministrit në detyrë.
Sipas tij, nga pikëpamja politike është më komode të qeveriset pa një Parlament plotësisht funksional dhe pa kontrollin e vazhdueshëm të komisioneve parlamentare, sesa të kërkohet llogari çdo ditë. Pikërisht këtu, sipas Rashitit, qëndron problemi, sepse në një demokraci serioze pushteti nuk duhet të ndihet asnjëherë rehat kur mungon kontrolli institucional.
Rashiti përfundon se, kur një qeveri mësohet të ushtrojë pushtetin pa mbikëqyrje, humbësja nuk është më opozita, por vetë demokracia.
Kriza institucionale po vazhdon të ngjallë shqetësime për pasojat që mund të ketë në zhvillimin ekonomik dhe funksionimin e shtetit.…
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se ka nxjerrë një vendim me masa të detyrueshme për organizatorët…
Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura çdo ditë. Falë ndërhyrjeve në kohë të…
Sot në Sofje u mbajt takimi i parë i grupit të përbashkët të punës të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë,…
Kryetari i LSDM‑së, Venko Filipçe, paralajmëroi se standardi i jetesës do të vazhdojë të bjerë dhe se qytetarët i pret…
Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura çdo ditë. Falë ndërhyrjeve në kohë të…