Deputeti shqiptar nga Bujanoci në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka dorëzuar një draft-rezolutë në këtë institucion lidhur me situatën e shqiptarëve në jug të Serbisë, dhe ka propozuar që kjo temë të jetë pjesë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.
Ata jetojnë në Luginën e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin. Në draft-rezolutën e Kamberit kërkohet që Kuvendi i Serbisë “të pranojë qasjen diskriminuese dhe të shprehë përkushtim institucional për të përmirësuar pozicionin e komunitetit shqiptar në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”. Dokumenti bën thirrje për zbatim të marrëveshjeve të viteve 2001, 2009 dhe 2013, dhe për pezullim të menjëhershëm të masave administrative për pasivizim të adresave.
Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar. Kjo çështje është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.
Në të është thënë se pasivizimi i adresave duket se është kryer në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, sidomos në Medvegjë. Përveç kësaj, në mesin e problemeve tjera të shqiptarëve janë përmendur edhe: mosnjohja e diplomave të lëshuara nga autoritetet e Kosovës, mungesa e një përfaqësimi të drejtë dhe proporcional në institucione shtetërore, pengesat në përdorim zyrtar të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, si dhe mungesa e zhvillimit ekonomik në atë rajon. Në draft-rezolutë është thënë se për shkak të mungesës së rezultateve nga përpjekjet e kaluara institucionale, propozohet që statusi i shqiptarëve në jug të Serbisë të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, “në kuadër të përpjekjeve gjithëpërfshirëse për të arritur paqe të qëndrueshme”.
“Miratimi i rezolutës do të ishte dëshmi e gatishmërisë politike për t’i zgjidhur problemet e zvarritura me dekada dhe për të garatuar qasje të barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht etnisë – çka është kusht bazik për zhvillim demokratik dhe përparim drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Kamberi.
Draft-rezoluta është nënshkruar nga dy deputetë tjerë nga Partia për Veprim Demokratik e Sanxhakut. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, e ka hedhur poshtë propozimin e Kamberit, duke thënë se pozita e shqiptarëve në jug të Serbisë nuk është, dhe nuk do të jetë pjesë e negociatave mes Serbisë dhe Kosovës.
“Nuk do të kenë sukses tentimet për ta keqpërdorur dialogun me Prishtinën dhe për ta instrumentalizuar politikisht nga politikanë të papërgjegjshëm në pjesën qendrore të Serbisë”, ka thënë Petkovio.
Ai pretendon se “Serbia njihet si shtet që ka bashkëpunim të jashtëzakonshëm me minoritetet dhe që është model për të gjithë në rajon”.
Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, prej vitit 2011. Palët i kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar. Aktualisht dialogu është ngrirë edhe për faktin që Kosova ka Qeveri në detyrë me kompetenca të kufizuara. Përfaqësuesit e shqiptarëve nga jugu i Serbisë janë deklaruar shpesh për problemet dhe kanë thënë se diskriminohen, diçka që Beogradi e mohon.
Autoritetet e Kosovës kanë përsëritur disa herë se janë të përkushtuara për të ngritur zërin për shqetësimet e banorëve të Luginës së Preshevës, dhe kanë ndarë miliona euro si ndihmë për ta. Megjithatë, mungesa e investimeve dhe barrierat e vazhdueshme besohet se kanë ndikuar në largimin e rreth 20.000 shqiptarëve prej këtij rajoni, kryesisht drejt shtetit të Kosovës./ REL
Dashi Të lindur më: 21 Mars - 19 Prill Në dashuri, sot mund të ndiheni më të hapur ndaj partnerit…
Sesioni i ri parlamentar në shtator do të nisë me diskutimet për Kodin e ri Penal, të bërë nga Arben…
Pjesëtarët e Brigadës së 72-të për Operacione Speciale në ushtrinë serbe dhe njëra prej brigadave speciale në ushtrinë e Kinës,…
Granit Xhaka është gati të kompletojë transferimin e pritur te skuadra e Sunderland në Premier Ligën angleze. Kontrata e tij…
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ka reaguar së fundmi lidhur me reagimet publike të dy aktorëve të pushuar nga puna…
Duke filluar nga data 29 korrik, Vladimir Putin ka 10 ditë kohë për të arritur një armëpushim me Ukrainën, ndryshe…