Ish-ligjvënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka shprehur mendimin se formacioni i tij politik nuk duhet ta mbyllë derën ndaj një marrëveshjeje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje, në rast se kjo do t’i shërbente interesit kombëtar dhe tejkalimit të bllokadës institucionale.
None found
Haliti thekson se forcat politike duhet të jenë të gatshme për bisedime dhe lëshime reciproke, pa përjashtuar asnjë alternativë që garanton qëndrueshmëri dhe vënie në lëvizje të mekanizmave shtetërorë.
Nga ana tjetër, një ton krejt tjetër ka ardhur nga udhëheqësi i PDK-së, Bedri Hamza. Pas takimit që pati me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, Hamza bëri të qartë se partia e tij do të vijojë të jetë në opozitë, duke sinjalizuar se për momentin nuk ka ndërmend të bëhet pjesë e një ekzekutivi të përbashkët me Vetëvendosjen.
Fjalët e Hamzës u lexuan si një rikonfirmim i kursit politik të PDK-së pas votimeve, teksa vërejtjet e Halitit kanë hapur debat për një qasje më pragmatike, nëse dinamika politike do të diktonte një marrëveshje mes dy partive më të mëdha në vend. Këto pozicione të përplasura brenda PDK-së shfaqen në një moment kur peizazhi politik kosovar po përballet ende me vështirësi në ngritjen dhe funksionimin e plotë të institucioneve.
Krasniqi: Qëndrimi i z. Haliti dëshmon se brenda PDK-së nuk mbizotëron një linjë krejtësisht e njësuar për bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje
Profesori Kolë Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se deklarata e Xhavit Halitit nxit një diskutim strategjik brenda radhëve të PDK-së mbi mundësinë e një aleance me LVV-në.
Sipas tij, Haliti nuk ka kërkuar thjesht një marrëveshje kalimtare, por një debat mbi një program të përbashkët qeverisjeje. Krasniqi thekson se kjo tregon se brenda PDK-së nuk ekziston një qëndrim plotësisht i unifikuar ndaj bashkëpunimit me LVV-në.
“Prononcimi i Xhavit Halitit mund të shihet si një përpjekje për të hapur një debat strategjik brenda PDK-së, por jo si një ndryshim i qëndrimit zyrtar të partisë. Haliti nuk ka propozuar vetëm një marrëveshje të përkohshme për zgjedhjen e presidentit, por ka kërkuar që mundësia e bashkëqeverisjes me LVV-në të diskutohet në organet e PDK-së dhe në rast pajtimi, të ndërtohet një program i përbashkët qeverisës për një mandat katërvjeçar.
Qëndrimi i z. Haliti dëshmon se brenda PDK-së nuk ekziston domosdoshmërisht një linjë plotësisht homogjene ndaj bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje. Haliti e trajton LVV-në si kundërshtare politike, por jo si një subjekt me të cilin marrëveshja duhet të përjashtohet paraprakisht.
Gjithashtu, deklarata e z. Haliti përbën edhe një sinjal ndaj LVV-së, nëse ajo kërkon mbështetjen e PDK-së, atëherë nuk mund të kërkojë vetëm votat e saj për zgjedhjen e presidentit, por duhet të ofrojë një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse, të mbështetur në një program të përbashkët, në përgjegjësi të përcaktuara dhe në një ndarje të qartë të pushtetit.
Mirëpo, një deklaratë e tillë, përderisa nuk është e koordinuar me udhëheqjen e partisë, mund të krijojë përshtypjen e paqartësisë strategjike ose të dobësimit të autoritetit të kryetarit të PDK-së.
Bedri Hamza, pas takimit me Albin Kurtin më 10 korrik, ka deklaruar se PDK-ja do të mbetet në opozitë gjatë këtij mandati. Megjithatë, ai ka theksuar se PDK-ja nuk ka vija të kuqe absolute dhe se do t’i mbështesë në Kuvend marrëveshjet ndërkombëtare dhe çështjet që janë në interes të Kosovës”, deklaroi ai për gazetën.
Më tej, ai ka shtuar se midis qëndrimit të Bedri Hamzës dhe deklaratës së Xhavit Halitit ekziston një dallim, pasi i pari paraqet qëndrimin aktual të PDK-së, ndërsa i dyti një alternativë për diskutim.
Sipas Krasniqit, PDK mund ta rishikojë pozicionin e saj vetëm nëse paraqiten rrethana të reja ose një ofertë konkrete nga LVV-ja. Ai ka theksuar se çdo marrëveshje duhet të bazohet në interesin e vendit dhe të përfshijë çështje si institucionet, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.
“Prandaj, ndërmjet këtyre dy qëndrimeve ekziston një dallim i rëndësishëm. Në njërën anë, Hamza ka paraqitur pozicionin aktual dhe zyrtar të PDK-së, pas bisedimeve konkrete me Kurtin. Ndërkaq Haliti ka paraqitur një alternativë politike, e cila, sipas tij, duhet të shqyrtohet dhe të votohet në organet e partisë.
Këto qëndrime nuk janë krejtësisht të papajtueshme, sepse edhe Hamza më parë kishte deklaruar se PDK-ja ishte e hapur për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Mirëpo, pas takimit me Kurtin, ai ka konstatuar se nuk janë krijuar kushtet për një marrëveshje të tillë me LVV.
PDK-ja ka të drejtë dhe mundësi që ta rishqyrtojë pozicionin e saj, por ky rishqyrtim nuk duhet nënkuptuar automatikisht hyrjen në koalicion. Ndryshimi i qëndrimit do të ishte politikisht i arsyeshëm vetëm nëse paraqiten rrethana të reja ose një ofertë konkrete dhe serioze nga LVV-ja.
Një marrëveshje kompromisi në interes të vendit duhet të përfshijë konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e Qeverisë dhe të Presidentit/es si dhe zotimet konkrete për sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe koordinimin e aktiviteteve strategjike me aleatët perëndimorë”.
Halili: Deklarata e Bedri Hamzës se PDK do të mbetet në opozitë tregon se qëndrimi aktual i partisë është i qartë
Edhe profesori Nijazi Halili për “Bota sot” ka komentuar deklaratën e Xhavit Halitit për mundësinë e një marrëveshjeje politike mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Halili ka thënë se një bashkëpunim i tillë duhet të shqyrtohet mbi bazën e interesit të vendit dhe jo ndarjeve të së kaluarës. Sipas tij, një marrëveshje eventuale do të kishte kuptim vetëm nëse do të ndërtohej mbi një program të qartë, përgjegjësi konkrete dhe synime të përbashkëta.
“Deklarata e Xhavit Halitit se PDK nuk duhet ta përjashtojë mundësinë e një marrëveshjeje politike me Lëvizjen Vetëvendosje hap një debat të rëndësishëm për të ardhmen e skenës politike në Kosovë.
PDK duhet ta analizojë çdo mundësi në bazë të interesit të vendit dhe jo vetëm mbi ndarjet e së kaluarës. Një bashkëpunim eventual do të kishte kuptim vetëm nëse do të bazohej në një program të qartë, përgjegjësi konkrete dhe synime të përbashkëta për stabilitetin institucional”, tha ai.
“Megjithatë, deklarata e Bedri Hamzës se PDK do të mbetet në opozitë tregon se qëndrimi aktual i partisë është i qartë. Prandaj, çdo rishqyrtim i këtij pozicioni do të kërkonte një vlerësim të brendshëm politik dhe një marrëveshje që do të ishte në interes të qytetarëve.
Në politikë duhet të ekzistojë hapësirë për dialog, por çdo marrëveshje duhet të ndërtohet mbi parime dhe jo vetëm mbi kalkulime të momentit” – u shpreh ai për “Bota sot”.
Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka reaguar pasi u gjobit nga gjykata për mungesë në një…
Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kundërshtoi vendimin për pezullimin e…
Ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhe, deklaroi se nëse do të kishte një nipt, fatura e financimit prej 4…
Fituesja e Big Brother VIP Albania 5, Selin Bollati, ka ndarë një detaj të veçantë nga jeta e saj personale…
Presidenti amerikan Donald Trump do të takohet të martën në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Libanit, Joseph Aoun, ndërsa…
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në mbledhjen e mbajtur më 20 korrik, hodhi poshtë kërkesën e pesë prokurorëve serbë dhe…