Categories: kosovë

Çfarë politike ndaj Kosovës mund të ndjekë Lista Studentore pas fitores?

Aleksandar Vuçiq e ka pranuar humbjen në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi dhe ka deklaruar se pret që Lista Studentore të marrë shumicën në parlamentin e ri.

Sipas të dhënave paraprake të CRTA-s, Lista Studentore renditet e para me 51,47 për qind të votave, ndërsa lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar” ka marrë 40,42 për qind. Shifrat nuk përbëjnë rezultate zyrtare përfundimtare.

Të lidhura

None found

Lista Studentore u krijua nga lëvizja e protestave studentore kundër korrupsionit, të cilat nisën pas shembjes së strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 2024. Në atë ngjarje humbën jetën 16 persona.

Lëvizja nuk drejtohet nga një udhëheqës i vetëm. Studentët i marrin vendimet bashkërisht përmes plenumeve dhe, në zgjedhje, mbështetën një listë me kandidatë nga fusha të ndryshme.

Gjatë fushatës, kandidatët thanë se duhen rishikuar të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ata kërkuan gjithashtu rikthimin e çështjes së statusit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që vendimet të merren vetëm pas konsultimit me serbët e Kosovës. Tani pritet të shihet nëse kjo platformë do të ruhet edhe pas zgjedhjeve.

Radio Evropa e Lirë shqyrtoi para zgjedhjeve të së dielës deklaratat publike të lëvizjes, e cila doli nga protestat kundër korrupsionit. Qëndrimi që përfaqësuesit e saj kanë paraqitur si të përbashkët është se “Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë, siç shkruan në Kushtetutën e vendit”.

Gjatë fushatës, përfaqësuesit e lëvizjes mbanin me vete Kushtetutën e Serbisë si simbol, duke thënë se do ta mbronin dhe se do të vepronin vetëm në përputhje me të.

Serbia nuk e njeh zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur. Megjithatë, që nga viti 2011, Beogradi dhe Prishtina zhvillojnë bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në këtë proces janë arritur dhjetëra marrëveshje, të cilat, sipas shumë analistëve politikë, përbëjnë njohje “de facto” të pavarësisë së Kosovës.

Ndër marrëveshjet e fundit të pranuara në nivel politik nga Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq është Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e njohur si Marrëveshja Bazë. Ajo u dakordua në Bruksel më 27 shkurt 2023, pas propozimit franko-gjerman. Marrëveshja kërkon respektimin e integritetit territorial dhe parashikon zotimin e Serbisë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Aneksi për zbatimin e saj, i njohur si Aneksi i Ohrit, u dakordua më 18 mars 2023 në Ohër.

Kosova, nga ana e saj, mori përsipër t’u garantojë serbëve të Kosovës një shkallë të caktuar vetëmenaxhimi, përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Çfarë pritet më tej?

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut të nivelit të lartë politik me ekstradimin nga Serbia të Millan Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë.

Deri tani, Lista Studentore nuk ka dhënë një qëndrim të qartë për këtë çështje, ndonëse mund të ketë ndikim në politikën shtetërore të Serbisë për katër vitet e ardhshme.

Kritikat për çështjet e Kosovës janë përqendruar kryesisht te Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e themeluar me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe të Aleksandar Vuçiqit. Deri në sulmin në Banjskë, Millan Radoiçiq ishte nënkryetar i saj.

Një ndryshim pushteti në Beograd, me largimin e Vuçiqit dhe ardhjen e Listës Studentore, mund të ndikojë në mënyrën se si Serbia ushtron ndikimin politik te serbët e Kosovës, veçanërisht përmes Listës Serbe. Por lidhjet e Beogradit me këtë komunitet nuk kufizohen te partia: institucionet e financuara nga Serbia sigurojnë punë, paga, pensione e ndihma sociale për mijëra serbë të Kosovës. Edhe arsimi dhe shëndetësia vazhdojnë të financohen nga Serbia dhe punësojnë mijëra pjesëtarë të komunitetit.

Në listën zgjedhore të studentëve u përfshinë edhe katër përfaqësues të Universitetit në Mitrovicën e Veriut, që funksionon sipas sistemit serb. Njëri prej tyre ishte Jugosllav Gashiq, docent në Fakultetin e Mjekësisë. Në një intervistë për gazetën beogradase “Danas”, ai foli për integrimin e mundshëm në Kosovë të institucioneve arsimore dhe shëndetësore që veprojnë në zonat me shumicë serbe sipas sistemit të Serbisë.

“Nëse ai [integrimi] është vetëm regjistrim në të ashtuquajturin sistem të Kosovës, për mua është i pranueshëm, por integrimi si kosovarizim është absolutisht i papranueshëm”, tha Gashiq.

Kosova e ngriti këtë çështje në shtator të vitit të kaluar, duke argumentuar se funksionimi i dy sistemeve nuk është i qëndrueshëm. Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare kërkon që çdo integrim i mundshëm të bëhet në konsultim me komunitetin serb. Ajo i ka kritikuar edhe më parë autoritetet kosovare për mbylljen e institucioneve të Serbisë pa krijuar alternativa për ofrimin e shërbimeve qytetarëve.

Sipas Marko Savkoviqit, largimi i Vuçiqit nga pushteti do të vinte në pikëpyetje infrastrukturën politike të ngritur gjatë qeverisjes së tij.

“Ajo infrastrukturë do të përballej me kriza që do ta kishte shumë të vështirë t’i kapërcente: kriza financimi, kriza udhëheqjeje dhe kriza identiteti”, tha Savkoviq, bashkëpunëtor i Qendrës për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Beograd, për programin Expose të Radios Evropa e Lirë në fillim të tetorit.

Kjo nuk do të thotë se Serbia do të ndalonte mbështetjen për serbët e Kosovës. Megjithatë, mbetet e hapur pyetja se si do të organizohej kjo ndihmë dhe në ç’masë do të lidhej me kontrollin politik të Beogradit.

Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, mendon se ndërrimi i pushtetit mund të hapë rrugë për një politikë tjetër ndaj serbëve të Kosovës.

“Për serbët e Kosovës do të ishte e rëndësishme që një pushtet i ri në Serbi të kishte një qasje realiste ndaj tyre, t’i ndihmonte ta forconin pozitën e tyre në Kosovë dhe t’i orientonte drejt dialogut me Prishtinën. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për ta”, tha Biserko për Expose të Radios Evropa e Lirë.

Në një debat të transmetuar nga televizioni publik i Serbisë, Gashiq deklaroi se, në rast se Lista Studentore merr pushtetin, do të kërkojë që marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën të kalojnë në parlament dhe të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese. Ai tha se ato mund edhe të rishikohen.

Ende nuk dihet nëse ky proces do të synonte kundërshtimin ligjor të detyrimeve të mëparshme, rishqyrtimin politik të tyre apo ndryshimin e mënyrës së zbatimit nga Beogradi.

Politologët Ognjen Gogiq dhe Aleksandar Shljuka, të cilët ndjekin marrëdhëniet Kosovë–Serbi, i kanë thënë më herët REL-it se qeveria e ardhshme serbe nuk do të mund të largohej nga dialogu pa rrezikuar marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Memorandumi për Kosovën

Në mesin e vitit, në një prej tubimeve të saj, Lista Studentore prezantoi Memorandumin për Kosovën. Dokumenti e përshkruan Kosovën si “pjesë të patjetërsueshme dhe përbërëse të Republikës së Serbisë”.

Teksti u kritikua nga një pjesë e opinionit publik në Serbi, e cila argumentoi se Partia Përparimtare Serbe nuk mund të mposhtet përmes politikave nacionaliste. Memorandumi përbëhet nga katër pika.

Njëra prej tyre thotë se çështja e Kosovës “nuk mund të zgjidhet në izolim, por vetëm brenda zhvillimeve komplekse të bashkësisë ndërkombëtare”. Aty thuhet gjithashtu se autoritetet serbe duhet “të bashkëpunojnë në mënyrë aktive dhe konstruktive me të gjitha organizatat përkatëse ndërkombëtare”, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme “brenda kuadrit të Kushtetutës së tyre”.

Në fund të shtatorit, studentët publikuan një tjetër episod të fushatës zgjedhore, të titulluar “Tradhtia e Kosovës”.

Lista Studentore nuk e kritikon Vuçiqin sepse ai nuk e njeh Kosovën. Ajo ia vë në dukje zhvillimet gjatë qeverisjes së tij, duke përmendur heqjen e targave dhe të dinarit serb në Kosovë, si dhe mbylljen nga autoritetet kosovare të institucioneve që vepronin sipas sistemit të Serbisë.

Megjithatë, bindja se Kosova është pjesë e Serbisë, që është mbajtur nga qeveritë pas rënies së regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ndahet edhe nga shumica e qytetarëve serbë. Në një sondazh të Institutit për Çështje Evropiane të vitit 2023, mbi 50 për qind e të anketuarve u shprehën kundër pavarësisë së Kosovës.

Marko Savkoviq vëren se kundërshtimi i shtetësisë së Kosovës nuk nisi me Vuçiqin dhe, me gjasë, nuk do të marrë fund pas tij.

Savkoviq i tha Radios Evropa e Lirë se në Serbi ka ende shumë pak hapësirë politike për një ndryshim thelbësor të qëndrimit ndaj statusit të Kosovës.

“Kur bëhet fjalë për kundërshtimin e vetë shtetësisë së Kosovës si koncept, kjo është sigurisht politikë shtetërore dhe këtu mund të pritet njëfarë vazhdimësie, kushdo që të jetë në pushtet në Serbi. Opsionet politike që e pranojnë gjendjen de facto, sepse Kosova de facto është shtet, janë të pakta, janë në margjinat politike”, tha Savkoviq për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Edhe Biserko nuk pret që qëndrimi për statusin e Kosovës të pësojë ndryshim të shpejtë, edhe nëse në Beograd vjen një qeveri e re.

“Është e sigurt se, në situata të ndryshme krize, secili do të përpiqet ta përdorë Kosovën për mobilizim emocional, për të mbledhur njerëz rreth vetes. Mendoj se, në thelb, nuk do të ketë ndryshime sa i përket statusit të Kosovës. Kjo përjashtohet”, tha Biserko për Exposenë./REL/

të fundit

Analizat konfirmojnë se uji i pijshëm në Shkup është i sigurt

NP "Ujësjellësi dhe Kanalizime" Shkup njofton se uji në Shkup është i sigurt për pije.NP "Ujësjellësi dhe Kanalizime" Shkup, me…

2 minutes ago

VIDEO/ Studentët i kërkojnë dorëheqjen, Rama mbërrin te Kuvendi për mbledhjen e grupit të PS

PS mbledh Grupin Parlamentar në orën 10:00 në Kryesinë e Kuvendit. I pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama. Lajm në…

2 minutes ago

Mediumi italian raporton për fyerje ndaj Edon Zhegrovës nga tifozët e Lecces

Tifozët e Lecces dyshohet se kanë fyer sulmuesin Edon Zhegrovën gjatë përgatitjes para ndeshjes, ndërsa futbollisti kosovar ka reaguar me…

4 minutes ago

Pas zgjedhjeve në Serbi, deputeti i AfD-së kërkon riorganizimin e së djathtës

Deputeti gjerman i partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), Maximilian Krah, ka reaguar pas humbjes së Aleksandër Vuçiqit në zgjedhjet e…

5 minutes ago

Punëtorët e “Infrakos”-it kërkojnë indeksim të pagave dhe paralajmërojnë grevë të përgjithshme

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Infrakos” kanë protestuar të hënën para Stacionit Hekurudhor në Fushë Kosovë, duke kërkuar indeksimin e pagave…

5 minutes ago

Komisioni miraton projektligjin për Byronë, Haxhiu e cilëson antikushtetues

Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim ka miratuar me shtatë vota për, asnjë kundër dhe asnjë…

6 minutes ago