Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) u ka bërë thirrje autoriteteve që të hetojnë autenticitetin e një dokumenti të cilësuar “Top sekret”, i përfshirë në aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, i dyshuar për spiunazh në favor të Serbisë. BIK kërkon gjithashtu verifikimin e pretendimeve se kjo bashkësi fetare është ndikuar nga shërbimet sekrete të shtetit fqinj.
None found
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, deklaroi të shtunën se publikimi i materialeve të paraqitura si pjesë e aktakuzës së ngritur këtë javë dhe i dokumentit të njohur publikisht si “Top sekret” ka krijuar “një situatë që kërkon maturi, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, zbardhjen e plotë të së vërtetës”.
Sheholli ndodhet në paraburgim prej arrestimit të tij në tetor të vitit të kaluar. Prokurorët pretendojnë se ai ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).
Sipas aktakuzës, në telefonin e sekuestruar të Shehollit është gjetur fotografia e një dokumenti të shkruar në gjuhën serbe, i cili mban shënimin “Top sekret 2”.
Dokumenti pretendon se paratë e mbledhura nga ambasadat islamike në Beograd do të përdoreshin për ndërtimin e xhamive në Kosovë. Sipas përmbajtjes së tij, synimi do të ishte zgjerimi i ndikimit të islamit në Kosovë, përçarja e shqiptarëve, nxitja e emigrimit dhe ndryshimi i perceptimit të Perëndimit për Kosovën, me qëllim krijimin e kushteve që Serbia ta rikthente Kosovën nën juridiksionin e saj.
Tërnava i cilësoi këto pretendime si “jashtëzakonisht të rënda” dhe tha se ato nuk mund të pranohen si fakte të mirëqena apo të mbeten vetëm në nivelin e interpretimeve dhe deklaratave publike.
“Për këtë arsye, ato duhet t’i nënshtrohen verifikimit të plotë institucional, mbi bazën e fakteve, dokumenteve dhe provave”, theksoi ai.
Myftiu iu drejtua qytetarëve, institucioneve kompetente, Prokurorisë Speciale dhe të gjitha organeve profesionale të Kosovës me kërkesën që çdo pretendim i bërë publik të shqyrtohet “në mënyrë të plotë, profesionale dhe institucionale”.
“Nëse një dokument i tillë ekziston dhe nëse është autentik, duhet të bëhet e qartë kush e ka hartuar, nga cili burim ka ardhur, për çfarë qëllimi është përgatitur, në çfarë rrethanash është përdorur dhe çfarë vlere ka në aspektin faktik dhe provues”, u shpreh kreu i BIK-ut.
Tërnava kërkoi gjithashtu të sqarohet nëse dhe në çfarë mase ky dokument, ose materiale të tjera të ngjashme, janë përdorur gjatë viteve të fundit si bazë për akuza, fushata apo veprime kundër Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj, xhamive, medreseve, teologëve, imamëve dhe udhëheqësve të saj.
Ai shtoi se Bashkësia Islame e Kosovës ka të drejtë dhe detyrë të kërkojë mbrojtjen e emrit, veprimtarisë dhe kredibilitetit të saj nga pretendime të paverifikuara.
Kosova është një vend me shumicë myslimane. Në regjistrimin e fundit të popullsisë, të zhvilluar më 2024, rreth 95 për qind e banorëve deklaruan se i përkasin besimit islam.
Pretendimet se shërbimi sekret serb synon të shfrytëzojë grupet islame në Kosovë nuk janë të reja.
Në një kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj Fehim Salit, i akuzuar për spiunazh për Serbinë, Prokuroria Speciale kishte deklaruar se ai mblidhte, ndër të tjera, informacione për persona që i përkasin sektit vehabi.
Seanca gjyqësore ndaj Fatmir Shehollit pritet të nisë më 7 shtator.
Rasti i tij është një nga disa hetime për spiunazh të dyshuar në favor të Serbisë, të zhvilluara nga autoritetet kosovare gjatë viteve të fundit. / REL
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza ka reaguar ndaj Milaim Zekës, duke e akuzuar për shpifje dhe duke paralajmëruar padi…
UEFA ka konfirmuar kalendarin e fazës së Ligës së Kampionëve për sezonin 2026/27, me 36 skuadrat që do të nisin…
Sipas informacionit operacional të përditësuar më 29.08.2026, ora 14:00, në territorin e vendit janë raportuar 12 vatra zjarri, nga të…
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka reaguar pas publikimeve për Fatmir Shehollin, duke pretenduar se disa media në Kosovë…
Sulmuesi anësor kosovar, Edon Zhegrova nuk është grumbulluar fare për ndeshjen e sotme (e shtunë) të Juventusit dhe kjo ka…
Nga 28 gushti deri më 29 gusht, në orën 07:30, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 31 zjarre në…