Institucionet e drejtësisë dhe policisë e njihnin rastin e Arlinda Zekajt, 49-vjeçares nga Vitomirica e Pejës. Ajo kishte kërkuar mbrojtje, kishte bërë disa denoncime dhe i kishte dërguar letër edhe kryeprokurores. Por mbrëmjen e 25 tetorit u vra me sëpatë, pak minuta pasi u kthye nga stacioni policor.
Sipas raportimeve të fundit, Albert Sylaj, kunati i saj dhe i dyshuari për vrasjen, është ende në arrati. Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim me autorizimin e Prokurorisë Themelore në Pejë. Ndërkohë, Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e ish-bashkëshortit të Arlindës, Jeton Sylaj, nën dyshimin për veprën penale “mospërfillja e gjykatës”.
None found
Kryeministri Albin Kurti u ka kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë që brenda një afati të shkurtër ta përmbyllin raportin për mënyrën si u trajtua rasti. Disa nga çështjet kryesore që kërkojnë sqarim janë këto:
1. A u mbikëqyr zbatimi i urdhrit të mbrojtjes?Më 16 tetor, gjykata nxori urdhër mbrojtjeje, me të cilin ish-bashkëshortit i ndalohej t’i afrohej Arlindës brenda shtëpisë ku banonin. Në deklaratën e saj në polici, ajo tha se pas vendimit, kunati u vendos në shtëpi me familjen e tij, pa miratimin e saj. Kush u kujdes që urdhri të zbatohej dhe a u shqyrtua mundësia që rreziku të kishte marrë një formë tjetër?
2. Pse nuk pati masa pas denoncimit të 22 tetorit?Tri ditë para se të vritej, Arlinda raportoi në polici Albert Sylajn për kanosje dhe uzurpim të shtëpisë. Sipas raportimeve, ai u mor në pyetje si dëshmitar dhe i mohoi akuzat. A u ndërmor ndonjë veprim pas denoncimit të saj?
3. Si u trajtua letra për kryeprokuroren?Arlinda i kishte shkruar edhe Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë. Mediat kanë bërë publike një pjesë të letrës: “Mos jepni llogari pasi të jetë marrë jeta ime”. Kush e pranoi ose e lexoi letrën dhe çfarë hapash u ndërmorën më pas?
4. Pse aktakuza nuk solli mbrojtje konkrete?Vetëm tri ditë para vrasjes, Prokuroria ngriti aktakuzë për kanosje. Kjo tregon se institucionet e kishin vlerësuar kërcënimin si real, por ende nuk është sqaruar pse nuk u mor ndonjë masë konkrete për ta mbrojtur Arlindën.
5. Çfarë ndodhi mbrëmjen e 25 tetorit?Sipas raportimeve, ish-bashkëshorti ishte ndaluar atë ditë për 48 orë, pas një rasti tjetër të raportuar dhune. Rreth orës 21:00, policia e shoqëroi Arlindën deri në shtëpi, ku, sipas denoncimit të saj, ishte vendosur kunati. Vetëm pak minuta më vonë, policia u njoftua se ajo ishte sulmuar për vdekje. A u vlerësua rreziku para se ajo të kthehej në shtëpi? Gjatë kontrollit të mëvonshëm në shtëpinë e të dyshuarit, policia sekuestroi një pushkë gjahu, mbi 150 fishekë, thika, një bajonetë dhe një sëpatë.
6. Si u largua i dyshuari dhe pse nuk është arrestuar ende?Sulmi ndodhi pak minuta pasi policia e kishte lënë Arlindën në shtëpi. I dyshuari arriti të largohej dhe vazhdon të kërkohet.
Vrasja ka nxitur reagime të shumta. Kuvendi i Kosovës mbajti seancë të jashtëzakonshme, organizatat e shoqërisë civile kërkojnë që institucionet të mbajnë përgjegjësi për dështimet, ndërsa në qendër të Pejës është vendosur letra e Arlindës me pyetjen “Deri kur?”. Për të mërkurën është thirrur protestë kombëtare.
Arlinda Zekaj raportoi dhunën, kërkoi urdhër mbrojtjeje, shkroi dhe këmbënguli që të dëgjohej. Që raporti qeveritar të jetë i besueshëm, ai duhet të tregojë qartë se në cilën hallkë dështoi zinxhiri institucional dhe kush përgjigjet për secilin dështim.
"Ribalancimi i dytë i buxhetit për vitin 2026 është një dokument që nuk përfaqëson thjesht një rregullim kozmetik ose teknik,…
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski sot ka pritur në…
Presidentja Justina Shiroka-Pula ktheu në Kuvend Ligjin për Dhomat e Specializuara pas kërkesës që Grupi Parlamentar i PDK’së i bëri…
Sot, është mbajtur seanca e radhës për të akuzuarit Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi të cilët akuzohen për veprën penale…
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare nga Vitomirica e Pejës, nuk ishte një viktimë e panjohur për institucionet. Përkundrazi, rasti i saj kishte…
Autoritetet spanjolle dhe marokene kanë goditur një nga rrjetet e mëdha të trafikimit të kanabisit në Spanjë, duke arrestuar 86…