Ministrja serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, nuk është tërhequr nga qëndrimet e saj, ndonëse deklaratat e saj kanë nxitur reagime të shumta dhe janë dënuar nga Bashkimi Evropian.
None found
Debati për komentet e saj lidhur me Kosovën ka vazhduar, pasi Paunoviq refuzoi të kërkonte falje apo të distancohej nga pohimi se, po të ndodhej në vendin e ish-presidentit serb Slobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën”. Në vend të kësaj, ajo i sulmoi kritikët, duke i akuzuar për “urrejtje ndaj Kosovës” dhe “tradhti të brendshme”.
Në një reagim të publikuar në Instagram, ministrja serbe iu drejtua sërish shqiptarëve të Kosovës me një deklaratë kundërshtuese, duke thënë se do t’i kthente në Shqipëri, të cilën e quajti vendin e tyre të lindjes.
Paunoviq shkroi se nuk do të vriste asnjërin prej tyre, por thjesht do t’i kthente në “vendin tuaj të lindjes, Shqipëri”, duke shtuar se besonte se ata do t’i pranonin.
Në krah të saj është rreshtuar zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq. Ai i quajti “të turpshme dhe hipokrite” kritikat e drejtuara ndaj ministres.
Sipas Daçiqit, personat që e akuzojnë Paunoviqin për nxitje të spastrimit etnik nuk kanë reaguar ndaj asaj që ai e përshkroi si “spastrim etnik të serbëve nga Kosova”, duke iu referuar largimit të serbëve nga vendi.
Analistët konsiderojnë se prononcimet e fundit të zyrtarëve të lartë serbë dëshmojnë praninë e vazhdueshme të nacionalizmit dhe të qasjeve të lidhura me trashëgiminë e viteve ’90 në Serbi. Sipas tyre, kjo paraqet rrezik për stabilitetin e Ballkanit.
Ata vlerësojnë se reagimet vetëm në nivel diplomatik nuk mjaftojnë. Bashkimi Evropian, sipas tyre, duhet të ndërmarrë hapa konkretë ndaj Beogradit, duke e kushtëzuar mbështetjen dhe rrugën integruese me respektimin e vlerave evropiane dhe largimin nga gjuha që arsyeton krimet e së kaluarës.
Po ashtu, analistët theksojnë nevojën që Kosova dhe shqiptarët të jenë të bashkuar e vigjilentë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar duhet të ketë qëndrim më të prerë ndaj çdo tentative për rikthimin e ideologjive nacionaliste që kanë prodhuar konflikte në rajon.
Tahiraj: Elaboratet serbe nuk janë ndërprerë asnjëherë, shqiptarët duhet të ruajnë unitetin dhe vigjilencën
Veprimtari Saim Tahiraj ka deklaruar për “Bota sot” se politika shoviniste e Serbisë, për më shumë se një shekull, ka ndjekur vazhdimisht politikën e hartimit dhe zbatimit të elaborateve kundër shqiptarëve.
Sipas Tahirajt, e kaluara tregon se krimet dhe spastrimet etnike kundër shqiptarëve nuk kanë qenë raste të veçuara, por pjesë e një politike të pandërprerë.
Ai ka thënë se elaboratet serbe janë përgatitur dhe zbatuar vazhdimisht, ndërsa spastrimet etnike dhe krimet masive ndaj shqiptarëve nuk janë ndalur. Tahiraj përmendi dëbimet e shqiptarëve nga Toplica e gjerë dhe luftën e fundit në Kosovë, duke vlerësuar se politika shoviniste serbe zhvilloi një seri fushatash të dhunshme me pasoja të rënda për popullin shqiptar.
Për më tepër se një shekull, sipas tij, shqiptarët janë përballur me terror, masakra, spastrim etnik dhe krime të rënda, me synimin që të dobësoheshin dhe të zhdukeshin nga trojet e tyre në Gadishullin Ilirik. Ai tha se këto synime u provuan disa herë, por nuk u realizuan, ndonëse Serbia kishte mbështetjen e Rusisë dhe të disa aleatëve të saj tradicionalë në Evropë.
Tahiraj vlerësoi se populli shqiptar mbeti i pamposhtur në periudha të ndryshme historike dhe, edhe në rrethanat kur ishte i vetmuar, qëndroi stoik duke paguar çmim shumë të lartë për lirinë dhe mbijetesën e vet.
Ai tha se edhe sot nga politika serbe dëgjohen deklarata shoviniste ndaj shqiptarëve, çka sipas tij dëshmon se kjo frymë nuk ka përfunduar.
Sipas Tahirajt, retorika shoviniste kundër shqiptarëve fatkeqësisht vazhdon të ekzistojë. Ai vlerësoi se deklaratat e përfaqësuesve serbë nuk janë të parat dhe mund të mos jenë as të fundit, ndaj shqiptarët nuk duhet të befasohen, por të qëndrojnë të bashkuar dhe vigjilentë.
Ai shtoi se shqiptarët po ecin përpara pavarësisht provokimeve dhe deklaratave të tilla. Sipas tij, sot ekzistojnë dy shtete shqiptare që po forcohen çdo ditë, si edhe një mërgatë e fuqishme në gjithë botën, e gatshme të ndihmojë vendin e saj në çdo mënyrë.
Tahiraj deklaroi se fjalët e shovinistëve serbë nuk mund ta pengojnë rrugëtimin e shqiptarëve dhe se synimi i tyre për spastrim etnik të shqiptarëve ka dështuar përfundimisht.
Ai tha se shekulli XXI duhet të jetë periudha e zhvillimit, suksesit dhe afirmimit të shqiptarëve. Sipas tij, pikërisht këto arritje nuk mund t’i përballojë shovinizmi serb, prandaj reagimet e tilla nuk janë të rastësishme. Tahiraj përfundoi duke thënë se, pavarësisht sa mund të flasin kundërshtarët, karvani i sukseseve shqiptare vazhdon të ecë fuqishëm përpara.
Gashi: Prononcimi i ministres serbe është sinjal alarmi për Ballkanin, BE-ja duhet të veprojë
Njohësi i çështjeve politike, Eduard Gashi, ka deklaruar për “Bota sot” se qëndrimi i ministres serbe është një sinjal serioz për rajonin dhe tregon se ideologjia nacionaliste mbetet e pranishme në Serbi.
Gashi tha se shpallja e Paunoviqit persona non grata nga institucionet e Kosovës, si edhe mbështetja publike që ajo mori nga lideri i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq, tregojnë se retorika e kohës së Millosheviqit nuk është zhdukur.
Sipas tij, deklarata e Paunoviqit se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do të kryente “spastrim etnik në Kosovë në vitin 1998”, ka ngritur një alarm të ri në Ballkan. Gashi tha se vendimi i menjëhershëm i Prishtinës për ta shpallur atë persona non grata të përhershme dhe mbrojtja e ofruar nga Daçiq dëshmojnë se rrymat e vjetra nacionaliste në Beograd nuk janë shuar, por vetëm janë fshehur pas diplomacisë pragmatike.
Ai vlerësoi se, kur një ministre e kabinetit qeveritar nuk shpreh pendesë për promovimin e spastrimit etnik dhe e paraqet atë si “pjesë të strategjisë” së Partisë Socialiste të Serbisë, nuk mund të bëhet fjalë për një gafë individuale.
Sipas Gashit, përkrahja e hapur e zëvendëskryeministrit dhe liderit të SPS-së, Ivica Daçiq, ndaj Paunoviqit konfirmon se trashëgimia ideologjike e Millosheviqit mbetet aktive në politikën serbe. Ai tha se Daçiq, i cili dikur ishte zëdhënës i Millosheviqit, e përdor këtë retorikë për të kënaqur elektoratin e djathtë dhe për të testuar kufijtë e durimit të Perëndimit.
Gashi konsideron se kjo mbështetje institucionale tregon se glorifikimi i krimeve të luftës dhe rishikimi i historisë janë pjesë e një politike të organizuar shtetërore, e cila bashkëjeton brenda koalicionit qeverisës në Beograd.
Ai kritikoi edhe reagimin e Bashkimit Evropian, duke theksuar se dënimet deklarative nuk kanë vlerë të mjaftueshme nëse nuk shoqërohen me masa konkrete ndaj Serbisë.
Gashi tha se reagimi i Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, ishte i qartë në parim, pasi ajo deklaroi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton, avokon apo glorifikon spastrimin etnik. Megjithatë, sipas tij, Brukseli vazhdon të shfaqë plogështinë që e ka karakterizuar politikën e tij të jashtme ndaj Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, përderisa deklaratat që bëjnë thirrje për dhunë gjenocidale ndëshkohen vetëm verbalisht dhe nuk sjellin pasoja reale politike apo financiare, Serbia nuk do të ketë arsye për të ndryshuar sjellje. Gashi vlerësoi se politika e BE-së për “përkëdheljen” e Beogradit, me arsyetimin e largimit të tij nga ndikimi rus, nuk ka prodhuar stabilitet demokratik dhe, përkundrazi, po forcon ndjenjën e mosndëshkimit.
Ai tha se BE-ja ka mekanizma të qartë për të ushtruar presion ndaj Beogradit, por theksoi se deri tani ato nuk janë përdorur në mënyrë efektive.
Gashi shtroi pyetjen nëse ka ardhur momenti që kancelaritë evropiane të kalojnë nga deklaratat në veprime. Ai përmendi ngrirjen e fondeve të para-anëtarësimit, IPA, duke theksuar se Serbia përfiton qindra miliona euro nga BE-ja dhe se kushtëzimi i këtyre fondeve me respektimin e vlerave evropiane do të ishte masa më e shpejtë dhe më e ndjeshme.
Si masa të tjera, ai përmendi pezullimin e negociatave për anëtarësim dhe mos-hapjen e kapitujve të rinj për një shtet ku anëtarët e qeverisë bëjnë thirrje publikisht për spastrim etnik. Gashi sugjeroi gjithashtu sanksione të shënjestruara, përfshirë ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e pasurive në BE për zyrtarë si Paunoviq dhe Daçiq, duke thënë se kjo do të përcillte mesazhin se tejkalimi i vijës së kuqe evropiane ka kosto personale.
Në përfundim, Gashi deklaroi se rasti “Paunoviq” tregon se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk bllokohet vetëm nga çështje teknike, por edhe nga mungesa e ballafaqimit të thellë të Serbisë me të kaluarën e saj kriminale. Ai paralajmëroi se, nëse BE-ja vazhdon të sillet si spektator neutral, rrezikon të humbë kredibilitetin si ndërmjetësues dhe të lejojë që rajoni të rrëshqasë sërish drejt skenarëve të errët të viteve ’90.
Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka zhvilluar takim me të Ngarkuarën me Punë të…
Një fëmijë 3-vjeçar, i cili pësoi plagë të rënda pasi dyshohet se përfundoi në kafazin e krokodilëve në një kopsht…
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka marrë vendim për shkëputjen e kontratave të punës për 20 zyrtarë nga…
Kosova mori pjesë për herë të parë si anëtare kandidate për Zgjerim (Enlargement Candidate Member) në sesionin plenar të Komitetit…
Misteri rreth mungesës së minutave për Kobbie Mainoo në Kupën e Botës duket se është sqaruar, pasi kanë dalë në…
Autoritetet Portuale të Korfuzit kanë arrestuar një kapiten shqiptar 45-vjeçar, pasi trageti i pasagjerëve që ai drejtonte rezultoi të kishte…