Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që brenda pak ditësh të bëjë certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.
None found
Sipas rezultateve finale, forca e parë politike ka dalë Lëvizja Vetëvendosje në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, me 47.13% dhe 53 ulëse. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 19.44% dhe 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 16.69% dhe 18 ulëse, ndërsa Aleanca me 6.74% ka siguruar shtatë ulëse.
Lideri i subjektit fitues, Albin Kurti, nuk i ka nisur ende diskutimet me partitë e tjera politike për një koalicion qeverisës apo për çështjen e presidentit, pasi ka deklaruar se fillimisht duhet pritur certifikimi.
Nga ana tjetër, ndërkombëtarët po kërkojnë ruajtjen e stabilitetit institucional.
Shefja në detyrë e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, është shprehur se për Kosovën stabiliteti institucional mbetet vendimtar në rrugën drejt përfitimeve nga Bashkimi Evropian.
Këtë deklaratë Palatova e bëri pasi priti në Prishtinë Drejtoreshën për Zgjerim të BE-së dhe Fqinjësinë Lindore për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti.
Sipas Palatovës, Kosova ka nevojë për institucione të qëndrueshme që të përfitojë plotësisht nga dinamika e re e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe nga mekanizmat mbështetës të BE-së, përfshirë Planin e Rritjes dhe programin IPA.
“Kosovës i duhet stabilitet institucional për të përfituar plotësisht nga momentumi i ri i zgjerimit të BE-së, Plani i Rritjes dhe IPA”, thuhet në njoftimin e zyrës së BE-së.
Lidhur me këto thirrje të BE-së, njohës të zhvillimeve politike në vend kanë folur për “Bota sot”, duke vlerësuar se Brukseli është i shqetësuar dhe synon ta shohë Kosovën si përfituese dhe partnere të vetën.
Sipas tyre, nëse kriza politike zgjatet, pasojat mund të shtrihen jo vetëm në rrafshin financiar dhe politik, por edhe në atë zhvillimor e strategjik.
Analisti politik Skënder Zogaj thotë se mesazhet e bashkësisë ndërkombëtare kanë qenë prej kohësh të qarta dhe nuk kanë ndryshuar.
Ai vlerëson se deklarata e Palatovës nënkupton se Kosova duhet të krijojë institucione funksionale në mënyrë që të përfitojë, përndryshe do të përballet me pasoja dhe ndëshkime.
“Mesazhet e bashkësisë ndërkombëtare prej kohësh janë theksuar qartë dhe nuk ndryshojnë: që Kosova të bëhet partnere dhe përfituese e Bashkimit Evropian, duhet së paku të jetë një shtet normal, pra të ketë institucione funksionale. Nëse këtë nuk e bën, Kosova nuk mund të gëzojë asnjë lloj përfitimi. Përkundrazi, do të përballet me pasoja dhe ndëshkime. Këtë mesazh e përcjell edhe deklarata e re e shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, e cila, duke ndjekur zhvillimet në skenën politike të Kosovës, ka arsye të jetë e brengosur. Me qëllimin më të mirë miqësor, ajo po thotë: mblidhni mend, mos veproni kundër vetvetes, krijoni institucionet dhe, më në fund, kuptojeni se jeni afër fundosjes politike”, deklaron Zogaj për “Bota sot”.
Sipas Zogajt, është plotësisht e kuptueshme që vazhdimi i ngërçeve do të sillte pasoja drastike.
“Unë kështu e kuptoj këtë, si edhe të gjitha deklaratat e miqve tanë, të cilët po mbeten të habitur nga indiferenca jonë e rrezikshme ndaj interesit historik për funksionalizimin e shtetësisë. Është krejtësisht e kuptueshme se, nëse vazhdohet me ngërçet, pasojat do të jenë drastike. Për këtë përgjegjësinë e mban e gjithë klasa jonë politike, pa asnjë dallim mes pozitës dhe opozitës, të cilat nuk duhet ta sakrifikojnë shtetin për pushtetin”, thekson analisti.
Ndërkohë, analisti Eudard Gashi i cilëson komentet e Palatovës si një paralajmërim të drejtpërdrejtë për klasën politike të Kosovës.
Sipas tij, BE-ja po e bën të qartë se Kosova nuk mund të futet seriozisht në fazën e re të integrimit evropian nëse ka institucione të bllokuara, vendimmarrje të vonuar dhe mungesë të përgjegjësisë politike.
“Deklarata e shefes në detyrë të Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, nuk duhet lexuar si një formulim diplomatik rutinor. Ajo është një paralajmërim i drejtpërdrejtë për klasën politike në Kosovë: stabiliteti institucional nuk është më vetëm çështje e brendshme politike, por kusht praktik për të përfituar nga momenti i ri i zgjerimit të Bashkimit Evropian. BE-ja po thotë qartë se Kosova nuk mund të hyjë seriozisht në fazën e re të integrimit evropian me institucione të bllokuara, me vendimmarrje të vonuar dhe me mungesë të përgjegjësisë politike. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është i lidhur me reforma konkrete, afate konkrete dhe pagesa të kushtëzuara. Komisioni Evropian e ka miratuar Agjendën e Reformave të Kosovës në tetor 2024, ndërsa fondet varen nga zbatimi i hapave reformues. (Enlargement and Eastern Neighbourhood). Për Kosovën, kjo nuk është çështje simbolike. BE-ja tashmë ka nisur parafinancimin prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes, ndërsa vendi ka marrë përsipër 111 hapa reformues në fusha si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe digjital, si dhe kapitali njerëzor. (eeas.europa.eu)”, shprehet Gashi për “Bota sot”.
Gashi thotë se vonesat në krijimin apo funksionalizimin e institucioneve mund të prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta.
Ai e sheh mesazhin e Palatovës edhe më të rëndësishëm për shkak se vjen në një periudhë kur vendet e tjera të rajonit po ecin përpara në kuadër të Planit të Rritjes.
“Prandaj, vonesa në krijimin ose funksionalizimin e institucioneve mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta. Ajo e dobëson kapacitetin e Kosovës për të miratuar ligje, për të zbatuar reforma, për të negociuar me BE-në dhe për të dëshmuar seriozitet politik. Në praktikë, kjo mund të përkthehet në vonesa të pagesave, humbje të afateve reformuese dhe rrezik për mosshfrytëzimin e plotë të fondeve evropiane. Mesazhi i Palatovës është edhe më i rëndësishëm sepse vjen në një kohë kur vendet e tjera të rajonit po lëvizin përpara në kuadër të Planit të Rritjes. Komisioni Evropian ka miratuar lirime fondesh për vende si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, çka tregon se konkurrenca rajonale për përfitime konkrete nga BE-ja është reale”, thekson Gashi.
Në përfundim, ai nënvizon se Kosova rrezikon të humbasë jo vetëm mjete financiare, por edhe ritmin politik.
Sipas Gashit, nëse kriza vazhdon, kostoja nuk do të kufizohet vetëm te politika, por do të jetë edhe financiare, zhvillimore dhe strategjike.
“Në këtë kuptim, Kosova rrezikon të humbasë jo vetëm para, por edhe ritëm politik. Në procesin e zgjerimit, momentumi ka rëndësi. Një vend që nuk arrin të krijojë institucione funksionale dërgon sinjal pasigurie te Brukseli, investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë. Përfundimisht, mesazhi i BE-së mund të përmblidhet kështu: Kosova ka mundësi reale për të përfituar nga fondet dhe dinamika e re evropiane, por këto mundësi nuk janë të garantuara. Ato kërkojnë institucione stabile, reforma të matshme dhe përgjegjësi politike. Nëse kriza vazhdon, kostoja nuk do të jetë vetëm politike; ajo mund të jetë financiare, zhvillimore dhe strategjike”, përfundon analisti.
Në Selanik është vënë në pranga një 43-vjeçar, i cili dyshohet se u përpoq të godiste mbesën e tij 9-vjeçare…
Nga 1 korriku, Presidenca e radhës e Këshillit të Bashkimit Evropian kalon te Irlanda për një mandat gjashtëmujor. Për Dublinin,…
Nga LSDM thonë se është gënjeshtër deklarata e Hristijan Mickoskit se ata nuk dëshirojnë që diaspora të votojë në zgjedhje."Pasi…
Rreth gjashtëdhjetë e gjashtë përqind e numrit të përgjithshëm të ekzaminimeve të kryera në Klinikën e Kirurgjisë Torakale janë kryer…
Sot mbahet seanca e radhës gjyqësore ndaj Ekrem Bajroviqit i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në periudhën e…
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së…