Categories: kosovë

Aleanca i kërkon LVV-së seancën konstituive: Shtatë votat tona për presidentin mbeten në dispozicion

Aleanca i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që ta mbledhë sa më parë seancën konstituive të Kuvendit, në mënyrë që të krijohen kushtet për zgjedhjen e një presidenti konsensual. Përfaqësuesit e saj deklaruan se shtatë votat e deputetëve të Aleancës për këtë proces janë në tavolinë, por kërkuan miratimin e gjashtë pikave të tyre, mes të cilave edhe çështja e gazit amerikan.

Të lidhura

None found

Në një konferencë për media të mbajtur të hënën, kreu i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, e akuzoi LVV-në se po e vonon me qëllim ngritjen e institucioneve, me synimin që zgjedhjet e reja të caktohen në fund të vitit.

Tahiri tha se Aleanca është e gatshme t’i japë votat për presidentin dhe kërkoi që kjo çështje të procedohet pa humbur kohë. Sipas tij, partisë së tij nuk duhet t’i kërkohen vetëm votat, por duhet të merren edhe vendime të ligjshme që konfirmojnë hyrjen e gazit amerikan në Kosovë, realizimin e investimeve dhe përmbushjen e gjashtë pikave të paraqitura prej tyre.

Duke folur për Gjykatën Kushtetuese, ai kujtoi se diskutime kishte pasur edhe natën kur Aleanca kërkoi mbajtjen e seancës. Tahiri tha se një natë më herët kishin konstatuar shkelje të Kushtetutës, ndërsa tani po i referohen afatit 48-orësh të përcaktuar në rregullore. Sipas tij, vendi nuk po përballet me krizë kushtetuese, por me një krizë politike të imponuar Kosovës si pasojë e synimit politik të LVV-së për t’i mbajtur nën kontroll tri pozitat.

Ai ritheksoi se Aleanca nuk do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e moskonstituimit të Kuvendit. Po ashtu, bëri të ditur se deputetët e ish-opozitës nuk kanë ndërmarrë ende ndonjë nismë për sigurimin e dyzet nënshkrimeve të nevojshme për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.

Tahiri sqaroi se aktualisht nuk ekziston një iniciativë për seancë të jashtëzakonshme me dyzet nënshkrime dhe se, për sa kohë ajo mungon, nuk mund të japë përgjigje për një skenar hipotetik. Ai shtoi se, nëse paraqitet ndonjë ide që e nxjerr vendin nga kriza, Aleanca do t’ia ofrojë menjëherë nënshkrimet LDK-së ose PDK-së, apo do t’i marrë ato prej tyre. Megjithatë, sipas tij, tani për tani nuk ka një kauzë të tillë.

Sipas Tahirit, synimi është që afati për konstituimin e Kuvendit të zgjatet, duke i dhënë Kurtit më shumë kohë për ta vendosur datën e zgjedhjeve sipas dëshirës së tij. Ai vlerësoi se krijimi i institucioneve do të ishte mjaft i lehtë nëse Kurti do ta dëshironte këtë, pasi numrat janë të ditur dhe ka pajtim për emra konsensualë. Tahiri tha se Kosova ka mjaft emra seriozë dhe se mund të ndërtohet një platformë serioze, por kjo mund të vihet në funksion vetëm pasi të dihet përbërja e Kuvendit.

Në vijim, Tahiri paralajmëroi ngritjen e kallëzimeve penale ndaj kabinetit qeveritar për ato që i cilësoi si vendime të kundërligjshme të mbledhjes së fundit. Në atë mbledhje janë formuar 18 komisione, të cilat, sipas tij, synojnë emërime në agjenci ekzekutive e qeveritare, si dhe në poste publike.

Në përfundim, ai kërkoi që të ndalet kapja e Administratës Shtetërore, duke theksuar se ajo nuk i përket asnjë partie, por Kosovës dhe zyrtarëve të saj. Tahiri bëri thirrje që ndaj zyrtarëve të mos ushtrohet presion për shkeljen e ligjit ose marrjen e vendimeve që në të ardhmen mund të kenë pasoja penale. Ai kërkoi gjithashtu që institucionet shtetërore të mos përdoren si zgjatim i partive, duke nënvizuar se Kosova nuk është dhe nuk ka qenë pronë e asnjë subjekti politik, përfshirë LVV-në.

të fundit

Liga Premier ndryshon katër rregulla për sezonin e ri dhe eliminon pushimet e hidratimit

Sezoni i ri i Ligës Premier nis këtë javë me përballjen mes Arsenalit dhe Coventryt të premten, ndërsa organizatorët kanë…

5 minutes ago

Valmir Matoshi arrin marrëveshje personale me Sturm Grazin

FC Thun dhe Sturm Graz kanë nisur zyrtarisht negociatat për transferimin e mesfushorit ofensiv kosovar, Valmir Matoshi.Klubi austriak tashmë ka…

5 minutes ago

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj K.Xh. për kanosjen e Kurtit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj K.Xh., se ka kanosur kryeministrin në detyrë,  Albin Kurti. Sipas…

7 minutes ago

VLEN: Nervozizmi në BDI rritet, ndërsa Ahmeti përballet me dilemën e Grubit

Komunikata e plotë e VLEN Në BDI tashmë nuk mund ta fshehin nervozizmin. Madje edhe njerëz nga radhët e tyre…

14 minutes ago

Dita e shtatë e betejës me zjarret në Lurë, 150 forca në terren, vatrat drejt izolimit

Situata nga zjarret në Lurë vijon të jetë nën monitorim, ndërsa vatrat e zjarrit po shkojnë drejt izolimit. Në terren…

15 minutes ago

Shtrenjtohen derivatet e naftës në Maqedoninë e Veriut

Komisioni Rregullator i Energjetikës, i Shërbimeve të Ujit dhe i Shërbimeve të Menaxhimit me Mbeturina Komunale i Republikës sëMaqedonisë së…

16 minutes ago