Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, është nderuar të dielën me çmimin “Çelësi i Qytetit” të Prishtinës, nga kryetari i kryeqytetit të Kosovës, Përparim Rama. Rama tha në një postim në Facebook se ia ndau këtë çmim Kandiqit si një shenjë mirënjohjeje për “jetën që ia kushtoi drejtësisë, të vërtetës dhe pajtimit”.
Kandiç e themeloi Qendrën për të Drejtën Humanitare në vitin 1992 për të dokumentuar shkeljen e të drejtave të njeriut që janë bërë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Rama tha se Kandiq është një nga ato zëra të rrallë që “nuk heshti, edhe kur bota zgjodhi të mbyllte sytë”.
“Me guximin e saj të palëkundur, ajo i dha zë dhimbjes, i dha drejtësi kujtesës dhe nder viktimave pa dallim kombi apo gjuhe. Puna dhe përkushtimi i saj na kujtojnë se pa të vërteta nuk ka paqe të qëndrueshme, as në Kosovë, as në rajon”, shkroi ai.
Duke folur gjatë ceremonisë së pranimit të çmimit, Kandiq tha se ka menduar se si do ta pranojë këtë nderim më 27 prill, pikërisht në një datë kur në Kosovë përkujtohet masakra e Mejës, ku u vranë 376 njerëz në vitin 1999.
“Kam menduar shumë si ta pranoj çelësin pikërisht sot. Ka qenë shumë e vështirë të mendoj për këtë”, theksoi Kandiq.
Në Kosovë më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e të Zhdukurve nga lufta e fundit 1998-1999.
“Të gjithë e dimë çfarë ndodhi më 27 prill. Të gjithë ne që sot ishim në Mejë pamë familjet pranë varreve, qirinjtë e ndezur, dhe e dimë që ende janë 15 persona të zhdukur, të cilët janë parë për herë të fundit më 27 prill dhe ende nuk dihet fati i tyre. Dua të besoj që nuk do të vijë prilli tjetër, 27 prilli tjetër, pa pasur familjet e tyre një varr ku të vendosin një qiri”, tha Kandiq.
Sipas të dhënave zyrtare, 1.617 persona konsiderohen të zhdukur me forcë që nga lufta e fundit në Kosovë. Gjatë luftës në Kosovë u vranë rreth 13.000 njerëz, kryesisht shqiptarë.
Kandiq ka kaluar vite të jetës së saj duke dokumentuar krimet e luftës në Kosovë dhe në vende të tjera të ish-Jugosllavisë. Në vitin 2018, Kandiq ishte nderuar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj me çmimin “Harta e Artë të Kosovës”./ REL
Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në Himarë. Partia Socialiste, ka fituar bindshëm përballë Partisë Demokratike. Partia Socialiste, ka…
Dy incidente janë regjistruar në Qarkun e Kukësit, ku një 19-vjeçar është proceduar nga policia për shkeljen e fshehtësisë së…
Babai i kandidates së PSD-së, Limonera Bozhës u arrestua gjatë natës, pasi akuzohet nga SPAK për “dhënie parash në këmbim…
Ka përfunduar numërimi i votave në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) në Has, ku janë përpunuar të gjitha…
Ka përfunduar procesi i numërimit të fletëve të votimit në bashkinë Memaliaj, Libohovë dhe Këlcyrë. Rezultati i numërimit është si…
Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali, ka folur për mediat nga Vora. Spiropali tha se…