Pavarësisht se Spanja mbetet ndër pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ajo ka sinjalizuar se nuk do të bëhet pengesë për afrimin e vendit me bllokun evropian. Këtë qëndrim e shprehu shefi i diplomacisë spanjolle, José Manuel Albares, gjatë Forumit për Zgjerim të BE-së që u zhvillua në Bruksel më 15 dhe 16 nëntor.
Në kuadër të bisedimeve për zgjerimin, Albares theksoi se Madridi nuk ka ndërmend të bllokojë as rrugën evropiane të Kosovës, as dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
None found
“E kemi bërë të qartë gjatë këtij viti se asnjëherë nuk do të jemi pengesë për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe asnjëherë nuk do të jemi pengesë që Kosova t’i afrohet BE-së”, u shpreh kryediplomati spanjoll.
Si dëshmi e këtij qëndrimi, Albares përmendi heqjen e vizave për qytetarët kosovarë si dhe vendimin e Spanjës për t’i njohur pasaportat e Kosovës si dokumente të vlefshme udhëtimi.
Këto deklarata të ministrit të Jashtëm spanjoll kanë hapur debat rreth mundësisë së një qasjeje më konstruktive nga Madridi ndaj Kosovës, por edhe për ndikimin e mundshëm që ky qëndrim mund të ketë te vendet e tjera të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë.
Publicisti Fadil Lepaja dhe profesori Nijazi Halili e shohin si një zhvillim pozitiv diplomatik këtë deklaratë. Lepaja mendon se qëndrimi spanjoll mund të kontribuojë në tejkalimin e pengesave për integrimin evropian, duke vënë theksin te rëndësia që Serbia të respektojë Marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit të vitit 2023, sidomos zotimet për të mos e penguar Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe në BE. Sipas tij, orientimi i qeverisë së re serbe do të dëshmohet pikërisht përmes zbatimit të këtyre marrëveshjeve.
Ndërsa Halili thekson se deklarata spanjolle është një sinjal pozitiv, por që duhet mbështetur me veprime konkrete në proceset vendimmarrëse të BE-së. Ai kërkon një ofensivë të re diplomatike të Kosovës ndaj pesë shteteve mosnjohëse, angazhim më të madh të aleatëve evropianë dhe shqyrtimin e aplikimit për anëtarësim. Halili e konsideron shqetësuese edhe mosftesën e Kosovës në Forumin për Zgjerim në Bruksel, duke kërkuar trajtim të barabartë me vendet e tjera të rajonit.
“Deklaratë pozitive që i hap rrugën Kosovës”
Publicisti Fadil Lepaja vlerëson deklaratën e ministrit të Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, se Spanja nuk do të pengojë afrimin e Kosovës me BE-në.
Sipas tij, ky qëndrim mund të ndihmojë në kapërcimin e pengesave që lidhen me mosnjohjen e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së.
Lepaja shton se vëmendja tani duhet të përqendrohet edhe te qeveria e re serbe dhe gatishmëria e saj për të respektuar marrëveshjet e arritura me Kosovën në Bruksel dhe Ohër në vitin 2023.
“Deklarata e kryediplomatit spanjoll është padyshim pozitive dhe i hap rrugën që Kosova duhet të ndjekë për të tejkaluar pengesën kryesore drejt anëtarësimit në BE, e cila është mosnjohja nga pesë anëtaret e BE-së. Pa dyshim, arsyet e këtyre vendeve për mosnjohje nuk kanë të bëjnë fare me vetë Serbinë apo ndikimin e saj, por me problemet e tyre të brendshme të natyrës së njëjtë apo të ngjashme”, thotë Lepaja.
Duke folur për marrëveshjet e vitit 2023, publicisti thekson se Serbia duhet të respektojë zotimet për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe për të mos e penguar atë në rrugën drejt BE-së. Sipas tij, zbatimi i këtyre pikave mund të ndikojë edhe në qëndrimin e shteteve skeptike ndaj Kosovës.
“Qeveria e re në Beograd do të përballet me çështjen e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe një nga sfidat kryesore për të do të jetë respektimi i Marrëveshjes në pikat që e detyrojnë Serbinë të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, duke specifikuar qartë se me këtë marrëveshje asnjëra palë nuk mund ta përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Gjithashtu është thënë qartë se asnjëra palë nuk do ta pengojë tjetrën në procesin e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Duke pasur parasysh këto pika të Marrëveshjes së vitit 2023 në Bruksel dhe Ohër, deklarata e kryediplomatit spanjoll merr rëndësi të veçantë, pasi hap rrugë që, me njohjen formale dhe faktike të kësaj marrëveshjeje nga ana e qeverisë së re serbe, vendet skeptike të hapin rrugë për fillimin e negociatave me Kosovën”, shprehet ai për “Bota sot”.
Më tej, Lepaja vlerëson se qëndrimi i qeverisë së re në Beograd ndaj këtyre marrëveshjeve do të tregojë nëse Serbia është e gatshme për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën apo do të vazhdojë politikën e mëparshme nacionaliste.
“Pra, varet nga Qeveria e re serbe nëse me të vërtetë është e përcaktuar për normalizim të marrëdhënieve mbi bazën e marrëveshjeve të arritura, apo do të vazhdojë edhe më tej me kleronacionalizmin e ish-presidentit serb dhe koalicionit të tij nacional-socialist.
Kjo i hap rrugë Kosovës që t’i referohet kësaj marrëveshjeje dhe të kërkojë hapjen e negociatave me BE-në, ndërkohë që zbatimi i pikave të tjera të jetë objekt i vazhdimit të bisedimeve me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, thekson publicisti.
Në fund, ai e sheh deklaratën e Spanjës si një sinjal inkurajues për dialogun dhe për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Duke qenë se tradicionalisht politika kleronacionaliste shpresonte në qëndrimin e ngurtë të Spanjës, Greqisë dhe Rumanisë për mosnjohjen e Kosovës, deklarimi i kryediplomatit të vendit më me ndikim nga pesë anëtaret që nuk e njohin Kosovën, sipas mendimit tim, është trimërues për dialogun dhe për një marrëveshje historike për fqinjësi dhe rrugë evropiane për Kosovën dhe Serbinë.
Megjithatë, orientimi i vërtetë i qeverisë së re serbe do të shihet pikërisht në vullnetin e saj të mirë për të respektuar këto pika të Marrëveshjes së vitit 2023, me çka indirekt do të bënte që vendet skeptike të votojnë hapjen e negociatave të BE-së me Kosovën”, përfundon Fadil Lepaja.
“Diplomacia e Kosovës duhet të ndërmarrë një ofensivë të re dhe shumë më serioze diplomatike”
Ndërkaq, profesori Nijazi Halili, në një prononcim për “Bota sot”, e vlerëson si sinjal pozitiv diplomatik deklaratën e ministrit të Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, se Spanja nuk do të jetë pengesë për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.
Megjithatë, ai thekson se kjo deklaratë nuk do të thotë ndryshim i qëndrimit të Madridit për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por mund të tregojë gatishmëri për të ndarë çështjen e njohjes nga procesi i integrimit evropian.
Sipas tij, qëndrimi i Spanjës duhet të provohet përmes veprimeve konkrete në proceset vendimmarrëse të BE-së, pasi deklaratat politike nuk mjaftojnë për të garantuar përparimin e Kosovës. Halili vlerëson se pesë shtetet mosnjohëse vazhdojnë të ndikojnë në pozitën e Kosovës brenda Bashkimit Evropian dhe se kjo përbën një sfidë serioze për integrimin e saj.
“Deklarata e ministrit të Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, se Spanja nuk do të jetë pengesë për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian, është një sinjal pozitiv diplomatik, por duhet të trajtohet me kujdes dhe realizëm. Kjo deklaratë nuk nënkupton se Madridi ka ndryshuar qëndrimin ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës, por mund të tregojë gatishmëri për të ndarë çështjen e njohjes nga procesi i integrimit evropian. Megjithatë, Kosova nuk duhet të kënaqet vetëm me deklarata politike. Kjo duhet të kërkojë që ky qëndrim të dëshmohet përmes veprimeve konkrete, sidomos në proceset vendimmarrëse të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, vlerësimi i ministrit irlandez se pesë shtetet mosnjohëse vazhdojnë të paraqesin pengesë për avancimin e Kosovës është një dëshmi se problemi mbetet serioz. Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia, pavarësisht dallimeve në qëndrimet e tyre, ndikojnë në pozitën e Kosovës brenda BE-së. Këtu qëndron edhe paradoksi evropian: Bashkimi Evropian deklaron se dëshiron zgjerimin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet pa statusin e vendit kandidat, ndonëse aplikimin për anëtarësim e ka dorëzuar që në dhjetor të vitit 2022”, deklaron Halili.
Duke folur për hapat që duhet të ndërmarrë Kosova për të kapërcyer këtë situatë, profesori vlerëson se diplomacia e Kosovës duhet të intensifikojë angazhimin me pesë shtetet që ende nuk e njohin pavarësinë e saj. Ai kërkon një strategji të veçantë për secilin prej tyre, duke identifikuar interesat, shqetësimet dhe mundësitë e bashkëpunimit. Po ashtu, thekson rëndësinë e angazhimit në nivelin më të lartë politik, diplomacisë parlamentare dhe bashkëpunimit ekonomik.
Sipas Halilit, Kosova duhet të mobilizojë edhe aleatët e saj brenda BE-së, veçanërisht Gjermaninë, Francën dhe Italinë, për të ushtruar ndikimin e tyre në zhbllokimin e procesit. Ai kërkon gjithashtu që aplikimi i Kosovës të shqyrtohet dhe të nisë procesi teknik i vlerësimit, pa u mbajtur peng nga mospajtimet politike ndërmjet shteteve anëtare.
“Mendoj se diplomacia e Kosovës duhet të ndërmarrë një ofensivë të re dhe shumë më serioze diplomatike. Nuk mjafton që institucionet tona të bëjnë deklarata për orientimin evropian; duhet të zhvillojnë një strategji të veçantë për secilin prej pesë shteteve mosnjohëse, duke identifikuar interesat, shqetësimet dhe mundësitë e bashkëpunimit me secilin prej tyre. Nevojitet angazhim në nivelin më të lartë politik, diplomaci parlamentare, bashkëpunim ekonomik dhe mobilizim i aleatëve tanë brenda BE-së, veçanërisht Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në mënyrë që këto shtete të ushtrojnë ndikimin e tyre për zhbllokimin e procesit. Njëkohësisht, Kosova duhet të kërkojë që aplikimi i saj të shqyrtohet dhe të fillojë procesi teknik i vlerësimit, pa u mbajtur peng pafundësisht nga mospajtimet politike ndërmjet shteteve anëtare. Është e rëndësishme që të kërkohet edhe një angazhim më i qartë i Komisionit Evropian dhe i shteteve që e mbështesin Kosovën”, shprehet profesori.
Ndërkaq, duke komentuar faktin se Kosova nuk u ftua as në edicionin e dytë të Forumit për Zgjerim në Bruksel, Halili e cilëson këtë si zhvillim shqetësues dhe sinjal negativ politik. Ai thekson se është kontradiktore që Kosova të përfshihet në diskutimet për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, por të mos ftohet në forumet ku trajtohet pikërisht kjo çështje.
Profesori vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë shpjegim zyrtar nga Brukseli dhe të insistojnë në trajtim të barabartë me vendet e tjera të rajonit. Ai nënvizon se vendi nuk duhet të heqë dorë nga perspektiva evropiane, por as të mbështetet vetëm në deklaratat e partnerëve ndërkombëtarë.
“Sa i përket faktit që Kosova për herë të dytë nuk është ftuar në Forumin e Zgjerimit në Bruksel, këtë e konsideroj një zhvillim shqetësues dhe një sinjal negativ politik. Është e papranueshme që Kosova të përmendet vazhdimisht si pjesë e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, ndërsa të lihet jashtë forumeve ku diskutohet pikërisht kjo perspektivë. Institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë shpjegim zyrtar nga Brukseli dhe të insistojnë në trajtim të barabartë me vendet e tjera të rajonit. Në fund, dua të theksoj se Kosova nuk duhet të heqë dorë nga perspektiva e saj evropiane, por as të mbështetet vetëm në deklaratat e partnerëve ndërkombëtarë. Na duhet diplomaci aktive, e koordinuar dhe me rezultate konkrete. Bashkimi Evropian duhet ta kuptojë se izolimi dhe lënia e Kosovës në një status të paqartë politik nuk i shërben stabilitetit të rajonit. Ndërsa Kosova duhet të dëshmojë përmes reformave, sundimit të ligjit dhe forcimit të institucioneve demokratike se është e gatshme për integrim. Kosova nuk po kërkon privilegj, por të drejtën për të ecur përpara në rrugën evropiane mbi bazën e meritave dhe kritereve të njëjta që zbatohen për vendet e tjera të rajonit”, përfundon Halili.
Numri i aeroplanmbajtëseve amerikane që mbështesin operacionet ushtarake kundër Iranit ka zbritur sërish në dy, pas largimit të USS George…
Miliarderi amerikan Elon Musk ka shprehur keqardhje për shumat e mëdha që shpenzoi për të mbështetur kandidatët republikanë në zgjedhjet…
Të shtunën, më 21 nëntor, nga ora 12:00 deri në 14:00, në Ohër do të mbahet një protestë paqësore civile…
Milani ka synime të mëdha për afatin kalimtar të janarit dhe tashmë ka etiketuar një transferim të madh në mesfushë,…
Xherdan Shaqiri ka folur sërish për festimin e famshëm me shqiponjë në ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë në Kupën e…
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë thirrje për forcimin e bashkëpunimit mes Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar…