Si u shtrembërua historia e filmit “Vajzat me kordele të kuqe”, Nexhmija e bëri shoqen e saj spiune

Tomorr Dosti është i biri i Hasan Dostit, ish-kreut të Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të dalë nga Konferenca e Mukjes në vitin 1943, dhe eksponent kryesor i organizatës nacionaliste, “Balli Kombëtar”, i cili në fundin e vitit 1944, u detyrua të largohej nga Shqipëria prej hakmarrjes së Enver Hoxhës, dhe të vendosej në SHBA, ku për shumë vite drejtoi “Komitetin Shqipëria e Lirë” që e financonin dhe e mbështeste qeveria e SHBA-vë. Hasan Dosti ka një histori të trishtë familjarë që daton që para luftës së dytë botërore dhe vazhdon edhe më tej për 8 dekada me radhë.

Po çështë kjo histori?

Në fakt bashkëshortja e diktatorit Hoxha është përfolur se ka patur një rol të rëndësishëm në vendimarrjet e Enver Hoxhës gjatë kohës së diktaturës. Kjo është një nga ato histori ku Nexhmije Hoxha thuhet se ka qenë e pamëshirmshme me miken e saj më të ngushtë. Miqësi që Nexhmija nuk është kursyer as të realizoj një film sic është ai i “Vajzat me kordele të kuqe”.

Historia e panjohur e “Vajzave me kordele të kuqe” e cila vjen nëpërmjet dëshmive të rralla, të 90 vjeçarit Tomorr Dosti, i biri i Hasan Dostit, ish-Ministër i Drejtësisë në qeverinë e Mustafa Krujës nën pushtimin Italian dhe kreu i Komitetit për Shpëtimin Kombëtar i dalë nga Konferenca e Mukjes. Ai në ’44-ën u largua nga Shqipëria bashkë me Mithat Frashërin dhe u vendosën në SHBA, ku pas vdekjes së Mithatit në 1949-ën, ai drejtoi për shumë vite Komitetin “Shqipëria e Lirë” që mbështetej nga qeveria e SHBA-ve, duke përfaqësuar Shqipërinë në të gjitha Kongreset e “Popujve të robëruar” që mbaheshin në Europë dhe SHBA.

E gjithë historia tragjike e familjes së Hasan Dostit, njeriun që morri me vete Enver Hoxhën në vitn 1936 në Shkodër për të marrë eshtrat e Çerçiz Topullit e Muço Qullit, duke i dhënë të lexonte edhe fjalimin e tij nga ballkoni i Bashkisë së Shkodrës, dhe për afro shtatë vite nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe ajo e pushtimit të vëndit, mbajti në shtëpinë e tij në Tiranë, Nexhmije Hoxhën, Nefo Puto Myftiun e Naxhije Dumen, shoqe klase të bijës së tij, Shanisha Dostit, për të cilat vite më vonë u realizua filmi “Vajzat me kordele të kuqe”!

Së pari, Nexhmije Hoxha para se të ishte “vajza me kordele të kuqe”, kishte qenë me “kordele të zezë” si anëtare e Partisë Fashiste, gjë e cila ka dalë dhe është bërë publike vetëm pas viteve ’90-të (nga ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Rendit, historiani i njohur, Kastriot Dervishi”), dhe së dyti, “Zonjusha Gajtani” personazhi negativ te “Vajzat me kordele të kuqe”, nuk ka qenë një vajzë spiune ashtu siç ka dashur dhe ka baltosur, Nexhmije Hoxha, por një nga shoqet e veta më të ngushta, për gjatë gjithë kohës që ato kanë qenë bashkë në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” në Tiranë, dhe krejt e kundërta e asaj ç’ka paraqitet në atë film! Madje ajo, jo vetëm që nuk i ka spiunuar kurrë shoqet e saja, “vajzat me kordele të kuqe”, por i ka mbajtur ato me bukë në shtëpinë e saj, si gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, ashtu dhe gjatë pushtimit të vëndit, ku edhe pse ato ishin “të reja komuniste”, i priste në shtëpinë e saj ku dhe bënin mbledhje, ndërsa babai, ishte Ministër i Drejtësisë në qeverinë e asaj kohe.

Po kush është “Zonjusha Gajtani”, cila është historia e saj, ku ka jetuar ajo dhe përse e kaluara e saj e trishtë është mbajtur e fshehtë dhe e mbuluar me mister për afro tetë dekada?!

Lidhur me këtë dhe gjithë historinë e saj, na njeh në këtë intervistë ekskluzive për Memorie.al, z.Tomorr Dosti, i biri i Hasan Dostit, ish-kreut të Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të dalë nga Konferenca e Mukjes në vitin 1943, dhe eksponent kryesor i organizatës nacionaliste, “Balli Kombëtar”, i cili në fundin e vitit 1944, u detyrua të largohej nga Shqipëria prej hakmarrjes së Enver Hoxhës, dhe të vendosej në SHBA, ku për shumë vite drejtoi “Komitetin Shqipëria e Lirë” që e financonin dhe e mbështeste qeveria e SHBA-vë.

Ndërsa z.Hasan Dosti ndodhej në emigrim si azilant politik së bashku me një nga djemtë, shtatë fëmijët e tjerë, mbetën në internime dhe në burgje nga viti 1944 deri në 1991-in, edhe pse ata duhet të ishin “Familje dëshmori”, pasi nënën e tyre dhe njëkohësisht bashkëshorten e Hasan Dostit, e pushkatuan gjermanët më 16 nëntor të vitit 1944, bashkë me vëllanë e tij, Kutbi Dostin.

Lidhur me këtë histori të trishtë dhe tragjike të familjes së tyre, me z.Tomorr Dosti që është vëllai i Shanisha Dostit, “vajzës me kordele të kuqe”, ish-shoqes së ngushtë të Nexhmijes në Institutin Femnor, “Nana Mbretneshë”, kemi biseduar që nga fillimi i viteve ’90-të kur ai ish-nënkryetar i Partisë Demokratike dhe deputet i Parlamentit shqiptar, dhe më pas, por ai nuk ka dashur kurrë që ta bëja publike në shtyp.

Zoti Dosti tashmë në moshën 90-vjeçare, me një shëndet dhe memorie për t’u pasur zili, ka preferuar që të qëndrojë në heshtje ashtu siç ka qëndruar prej këtyre tre dekadave e gjithë familja e tyre, e cila ka qenë dhe vazhdonë të jetë “meka” ku “falen” të gjithë ish-të përndjekurit dhe burgosurit politikë të Shqipërisë që nga shëmbja e regjimit komunist.

Por kjo u bë e mundur vetëm pas insistimit tonë të gjatë, dhe pas disa takimeve me z. Dosti, këto ditë që atij iu nda nga jeta edhe i vëllai, Ernesti, (i fundmit që jetonte ende), dhe kjo duke marrë shkas edhe nga libri i fundit i Nexhmije Hoxhës, që prej ditësh po përcillet pothuaj nga i gjithë shtypi i shkruar dhe media të ndryshme onlie.

Cila ishte gjendja ekonomike e familje suaj në ato vite?

Fakti që ne ishim ne shtepi me qera dhe nuk patëm kurrë një shtëpi tonën në Tiranë, edhe pse babai ishte në funksione të larta të organeve të Drejtësisë në Gjykatën e Lartë, apo më pas si Ministër, tregon më sëmiri gjëndjen tonë ekonomike. Ne ishim në gjëndje jo të mirë ekonomike dhe jetonim vetëm me rrogën e babait dhe atë të xhaxhait tonë, i cili sakrifikoi dhe nuk krijoi familje, vetëm për të na ndihmuar ne që ishim tetë fëmijë.

Dhe megjithë atë, shoqet e motrës suaj i prisnit dhe i përcillnit rregullisht…?

Patjetër dhe me kënaqësinë më të madhe pasi ato, që nga Nefo, Nexhmija, Xhorxhina, etj., ishin si vajzat e shtëpisë. Kujtoj Anenë, (siç i thërrisnim ne nënës sonë), kur vinte fundi i javës që do vinin vajzat në shtëpi, i thoshte vëllait, “Tori, na u mbarua vaji, me ça do u gatuajmë vajzave që na vinë sot…”?! Pra kjo ishte gjëndja në shtëpinë tonë.

Sa kohë qëndroi babai juaj Hasani, në postin e Ministrit dhe përse u largua?

Babai qëndroi tre katër muaj në postin e Ministrit të Drejtësisë, dhe gjatë asaj kohe ai mundi që të shpëtonte nga vdekja disa eksponentë të Lëvizjes Komuniste, si Hasan Reçi, Sinan Gjoni etj. Në fundin e majit ’42, babai dha dorheqjen nga posti i Ministrit të Drejtësisë, pasi nuk pranoi që të firmoste për pushkatimin e komunistëve Nikolla Tupe, Ferit Xhajku e Hamdi Mëzezi, të cilët u kapën nga autoritetet italiane gjatë udhëtimit me një makinë në të dalë të Fierit. Ai dha dorëheqjen pasi nuk ishte dakort për dënimin kapital që ishte caktuar për tre nga gjashtë komunistët që vepronin në Fier. Për tre prej tyre ishte dakord dhe kryeministri Mustafa Kruja t’i falte, por Hasani bashkë me Jup Kazazin, ngulnin këmbë dhe insistonin që t’u falej jeta të gjithëve. Dhe pasi kjo nuk ndodhi, ai u largua duke dhënë dorëheqjen.

Ku punoi më pas babai?

Në vitin 1942, me hapjen e Institutit Shqiptar të Studimeve Shkencore, (ku Kryetar ishte Patër Anton Harapi) Hasani u caktua nënkryetar për Studimet Historike së bashku me Aleksandër Xhuvanin (që ishte për Letërsinë) dhe Odhise Paskalin (për Artet).

Të kthehemi tek lidhjet e familjes suaj me Nexhmije Hoxhën, kur mund të ketë ardhur ajo për herë të fundit tek shtëpia juaj?

Po e sigurtë që ajo ka ardhur deri nga viti 1942, kur motra, Shano ende nuk kishte shkuar për studime në Itali, mos të them dhe më vonë.

Ç’ndodhi me familjen tuaj pas mbarimit të Luftës dhe ç’farë qëndrimi mbajtën më pas Nexhmija me Nefon e shoqet e tjera ndaj jush si familje dhe personalisht, motrës suaj, Shanos?

Mbarimi i Luftës rezultoi si mos më keq për familjen tonë. Babai, Hasani, nisur nga funksionet dhe angazhimet që kishte pasur gjatë Luftës, pra: si Ministër i Drejtësisë, Kryetar i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar në Mbledhjen e Mukjes, u detyrua të largohej nga Shqipëria në nëntorin e vitit 1944. Ai mori me vete dhe Luanin, vëllanë (që është pas Viktorit dhe para meje), dhe nga shëtpia ikën pa mbaruar Lufta në Tiranë, pra diku nga fillimi i muajit nëntor, e me 25 nëntor ata u larguan nga Shqipëria nëpërmjet Shkodrës për në Mal të Zi, me eksponentët e tjerë nacionalistë. Por ndërsa babai me Luanin kishin ikur nga shtëpia, ditën e fundit që forcat gjermane u larguan nga Tirana, na vranë nënën, (Anenë) dhe xhaxhanë, Kutbiun, ngjarje e cila tashmë është e njohur publikisht.

T’i kthehemi edhe njëherë shkurtimisht asaj ngjare, si dhe pse ndodhi ajo gjë?

Nga fundi i vitit 1944, ne ishim shpërngulur nga shtëpia te rruga “Kont Urani” dhe banonim, te shtëpia e Agjah Libohovës, pasi ai ishte mik i ngushtë i babait dhe aty nuk paguanim qera. Tre katër ditët e fundit para çlirimit të Tiranës, pra që nga datat 15,16 dhe 17, në Rrugën e Kavajës ku banonim ne, vazhdonte tërheqja e autokollonave gjermane që vinin nga Rruga e Elbasanit dhe shkonin drejt Veriut. Atë ditë, pra ditën e fundit që ata po largoheshin, pikërisht më 16 nëntor, dikush, ndonjë partizan që ishte fshehur në ndërtesat afër shtëpisë ku banonim ne, i qëlloi gjermanët që po tërhiqeshin dhe ata zbritën duke bërë kontroll, në disa shtëpi nga erdhën plumbat që u qëlluan ata. Dhe në shenjë hakmarrje ashtu siç dhe e kishin ata ligjin e Luftës, bënë raprezalje duke hyrë në disa shtëpi të asaj lagje, si tek ne, ku pushkatuan nënën dhe xhaxhanë, Kutbiun. Po kështu nga plumbat dhe zjarri që i vunë shtëpisë, u plagos në krah dhe motra, Veronika dhe u përzhit pak nga flakët teksa tentonte të dile nga shtëpia, si dhe vëllai Viktori, që gjermanët deshën ta pushkatonin fillimisht. Kjo ishte e gjitha, pra një fatkeqësi e madhe që na ra pikërisht në momentet e fundit që gjermanët po largoheshin nga Tirana dhe nënën e xhaxhanë ne i varrosëm fillimisht në oborrin e shtëpisë, pasi nuk dihej se sa do zgjaste Lufta.

Në ditët që vijuan ç’ndodhi me familjen tuaj?

Të mbetur pa prindër, ne mbetëm si mos më keq dhe u shpërndamë ku të mundeshim tek njerzit tanë, pasi nisur nga fakti se ishim fëmijët e Hasan Dostit, na urdhëruam të iknim nga Tirana dhe të vendoseshim në Durrës. Aty na strehoi Esat Derraca, (një i afërmi i babait nga Gjirokastra), i cili na liroi një barake, ku u strehuam ne të gjashtë vëllezër e motra, pasi siç ju thashë, Luani kishte ikur me tim atë.

Para se t’ju pyes se si vijoi jeta e familjes suaj nën regjimin komunist, kur e mësoi babai juaj, Hasani, se ishin vrarë bashkëshortja dhe vëllai, Kutbiu?

Im atë e ka mësuar këtë lajm disa muaj më vonë kur ishte në kamp në Itali, ku një nga miqtë e ngushtë të tij, e ngushëlloi duke ia treguar ngjarjen… (përlotet).

Kthehemi tek ju, pra katër vëllezrit dhe tre motrat që shkuat në Durrës, ç’ndodhi me ju më pas?

Që në vitin 1945, arrestuan vëllanë, Viktorin, së bashku me disa shokë të tij dhe i dënuan për agjitacion e propagandë etj. dhe Viktori bëri pesë vite burg. Nisur nga gjëndja e vështirë ekonomike, pasi ishim pa asnjë të ardhur, unë shkova në Gjirokastër tek disa të afërm të babait. Të tjerët vazhduan qëndruan në Durrës, duke jetuar vetëm me një rrogë të vogël që merrte motra e madhe, Shano, që punonte punëtore, në Ndërrmarrjen Komunale të Durrësit. Ishin në atë gjëndje sa as bukën e gojës nuk e siguronin dot.

Nisur nga kjo situatë ku ndodheshit ju në atë kohë, a u shkoi ndërmënd që t’i kërkonit ndihmë Nexhmije Hoxhës, apo Nefo Myftiut që tashmë kishin zënë poste të larta në atë pushtet…?

Neve si vëllezër e motra as nuk e kemi biseduar kurrë me njëri tjetrin këtë gjë dhe normalisht as nuk na ka shkuar ndërmënd, pasi do ta kishim biseduar.

Po Nexhmija a dinte gjë, pra a kishte dijeni për situatën ku ndodhej familja juaj, për humbjen e nënës dhe xhaxhait, apo burgosjen e Viktorit dhe ju të tjerëve që ju kishin hequr nga Tirana…?

Po. Nexhmija e dinte të gjithë atë çka kishte ndodhur në familjen tonë dhe situatën e vështirë ekonomike ku ndodheshim, pasi atë ia kishte thënë duke ia treguar me hollësira, një nga shoqet e saj dhe të motrës sonë gjithashtu, Polikseni, (me origjinë nga Saranda, mbiemri nuk po më kujtohet tani), e cila pa i thënë njeri, kishte shkuar vetë dhe e kishte takuar Nexhmijen në zyrën e saj në Tiranë. Pasi ia kishte treguar, edhe pse Nexhmija e kishte pritur ftohë kur ajo i hapi bisedën për familjen tonë, në fund, Polikseni i kishte thënë: Ça mund të bësh ndonjë gjë për Shanon, se po vdesin për bukë, pasi nënën dhe xhaxhanë ja vranë gjermanët?

Cila ishte përgjigjia që i dha Nexhmija?

Nuk do e besoni, po ajo i tha shprehimisht vetëm këto fjalë: “Akoma nuk ka ngordhur. As nuk dua t’ja di fare për të, sepse ajo na tradhëtoi”? Kjo ishte përgjigja e Nexhmijes që Polikseni na e solli ne nëpërmjet një njeriu të afërm të familjes sonë.

Për çfarë tradhëtie e kishte fjalën Nexhmija?

Po çfarë tradhëtie…., ja për atë që babai, Hasani, e dërgoi Shanon për studime në Itali dhe që ajo nuk doli në mal partizane si ato!

Si mendoni, a mund t’ju ndihmonte Nexhmija kur dihej se çfarë emri kishte Hasan Dosti në atë kohë për regjimin komunist?

Nuk bëhej fjalë që të na ndihmonte dhe as që i kishim kërkuar ndihmë, gjë të cilën ia kishte sqaruar edhe Polikseni asaj, pra i kishte thënë Nexhmijes që kishte shkuar pa dijeninë tonë, por po e bëntë atë nisur nga fakti se Shanon e kishin pasur shoqe të ngushtë dhe në shtëpinë tonë kishin ndenjur për disa vite si në shtëpinë e tyre.

Kur ua thanë përgjigjien e Nexhmijes, si reagoi motra juaj, Shano?

Çuditërisht nuk i bëri shumë përshtypje dhe tha vetëm këto fjalë: “Nuk e mendoja kurrë që ajo Nexhmije, të bëhej kaq e egër”?!

Po në vitet më pas kur binte fjala për Nexhmijen, çfarë thoshte Shano?

Për të mos thënë se nuk e kemi përmëndur kurrë Nexhmijen, pasi dihej se ajo mund të përbënte rrezik për ne, se fjalët tona mund të transformoheshin, në ndonjë rast të rrallë që mund ta kemi përmëndur kur ishim në internim, Shano nuk thoshte asnjë fjalë tjetër, përveç atyre që kishte thënë njëherë: Pra që nuk e kishte menduar kurrë që ajo Nexhmije do bëhej kaq e egër?!

Po përveç Nexhmijes, ju si familje ju ka njohur dhe Enveri Hoxha, apo më saktë babanë tuaj, Hasanin, pasi në vitin 1936 Enveri ka qenë në Shkodër për të marrë eshtrat e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit!

Po ky është fakt i njohur që Enveri na njihte, por ajo që nuk është thënë kurrë është fakti se im atë, Hasani, e përfshiu atë në delegacionin që shkoi në Shkodër për të marrë eshtrat e dy patriotëve të mëdhenj, Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit. Në atë kohë unë kam qenë gjashtë veç dhe babai me ka marrë me vete në Shkodër dhe kam qenë prezent në të gjitha ceremonitë që u zhvilluan atje. Ajo ngjarje është fiksuar në disa foto ku vetëm në njërën, është dhe fotografia ku kam dalë unë dhe Enveri ndodhet afër nesh…! (Zoti Dosti na tregon një foto që po e publikojmë në këtë shkrim)

Konkretisht si ka ndodhur kjo ngjarje ku Enveri përveçse është tek kjo foto që po na tregoni, ka dhe një tjetër ku ai është duke mbajtur një fjalim te ballkoni i Bashkisë së Shkodrës. A e kujtoni ju këtë ngjarje dhe fjalimin që ka mbajtur Enveri, pasi dihet tashmë se kjo foto te ballkoni i Bashkisë, është e retushuar?

Po e kujtoj shumë mirë dhe është shumë e vërtetë që Enveri ka folur aty në emër të “Djemurisë gjirokastrite”, por Enveri mbajti fjalimin që kishte përgatitur im atë, Hasani, për të mbajtur ai vetë, pasi im atë u sëmur dhe atë fjalim që kishte përgatitur, ja dha Enverit, se ai ishte dhe më i riu në të gjithë atë delegacion.

Po tjetër gjë mbani mënd nga ajo ngjarje, a bënte biseda Enveri me Hasanin?

Nuk mund t’ju them konkretisht, pasi unë kam qenë i vogël dhe kjo ngjarje ka ndodhur para 84 vitesh, por ata normalisht që kanë biseduar me njeri tjetrin. Dhe atë që Enveri mbajti fjalimin e babait, e kam mësuar disa vite më vonë, konkretisht nga periudha e fundit e Luftës, nga vjeshta e vitit 1944 pak kohë para se im atë të largohej nga Shqipëria, në bisedat që beheshin në shtëpinë tonë. Madje kujtoj, se ata përmëndnin emrin tim, duke thënë se më kishin dërguar mua për ta thirrur Enverin kur babai me ata shokët e tij, si Prefekti i Shkodrës, Javer Bej Hurshiti, Daut Çarçani etj., vendosën që fjalimin ta lexonte Enveri, si më i riu i delegecionit.

Po tjetër çfarë kujtoni për Enverin?

Biseda konkrete nuk mbaj mënd, por më kujtohet se kur shkuam atje në Fushën e Shtojit ku u bë ç’varrimi i eshtrave të Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit, Enveri gjithë kohën më mbante mua për dore. Këtë gjë e kujtoj shumë mirë, por biseda të tij me pjestarët e delegacionit nuk kujtoj. Por nuk e besoj që t’i binte rradha Enverit të bisedonte me ata, të cilët ishin personalitete, si ministra, deputetë, prefektë etj.

Të kthehemi tek periudha juaj në Durrës, sa kohë qëndruat atje?

Në Durrës ne qëndruam deri në vitin 1949, kur pas goditjes së “Grupit të Koci Xoxes”, unë dhe Shano u lejuam që të punonim në arsim. Unë bërë një kurs dhe më emëruan mësues në fshatrat e Tepelenës, kurse Shano meqë kishte bërë dhe dy vite universitet në Itali (për farmaci), nuk bëri kurs, por u fut direk si arsimtare. Por kjo punë, nuk zgjati veçse disa muaj, pra më pak se një vit dhe ne na hoqën përsëri jo vetëm nga puna, por na larguan edhe nga Durrësi.

Çfarë ndodhi, pse ju hoqën?

Në atë kohë, Mehmet Shehu si ministër i Punëve të Brendëshme kishte mbajtur një fjalim ku kritikonte Ministrinë e Arsimit, duke thënë se kishte ulur vigjëlemcën, duke lejuar të punojnë në arsim, fëmijët e Hasan Dostit. Kaq u desh dhe ne na hoqën.

Kush ju kishte ndihmuar në të vërtetë për të filluar në arsim dhe ku ju dërguan më pas?

Në fakt ne na ndihmoi, Kadri Baboçi, zv/ministri i Arsimit, me të cilin kishim krushqi. Pasi na hoqën nga Durrësi, unë shkova disa kohë në Fier, te ca të afërm të babait, kurse tre motrat dhe tre vëllezërit, (Leka, Ernesti dhe Viktori që u lirua nga burgu në vitin 1950, u internuan në Gradishtë të Lushnjes. Viktori qëndroi pak kohë aty, pasi e internuan përsëri fillimisht në Kuç të Vlorës dhe më pas në Porto Palermo. Në vitin 1951, motrën, Shanon e lejuan të vinte në Tiranë, ku ajo punoi përsëri në Komunale, si punëtore. Pas pak kohësh, Shanon e hoqën përsëri nga puna dhe nga Tirana, duke e sjellë në internim në Gradishtë, ku sollën dhe Viktorin nga Porto Palermo.

Sa kohë qëndruat në Gradishtë?

Unë me Lekën deri në vitin 1953 që na morën ushtar në Tiranë në Xhenjo, dhe kur kishim bërë afro 9 muaj ushtri, na arrestuan dhe pasi na mbajtën disa kohë në hetuesi, na dënuan me nga 25 vite burg me akuzën “agjitacion e propagandë dhe tentativë arratisje”. Bashkë me ne ishte dhe një shoku ynë që u dënua me 20 vjet.

A qëndronin akuzat që iu bënë juve?

Ne mund të kishim shprehur ndonjë pakënaqësi, por nuk kishim bërë asnjë plan për arratisje dhe çdo gjë ishte e montuar, thjesht se ne duheshim dënuar si djemtë e Hasan Dostit, i cili që nga viti 1949, pas vdekjes së Mithat Frashërit, ishte kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” në SHBA, ku kishte një jetë shumë aktive në politikë, si p.sh., duke përfaqësuar Shqipërinë në Kongreset e “Popujve të Robëruar” që mbaheshin herë pas here në vënde të ndryshme si Europë e SHBA. Pra gjithçka që ndodhte me ne, bëhej si presion ndaj tim eti, që ai të mos merrej me politikë dhe “me veprimtari armiqësore” kundër Shqipërisë. Madje, kur kemi qenë në Burgun e Burrelit, ne na kanë ardhur nga Tirana dhe na kanë kërkuar që t’i shkruanim letër Hasanit, që ai të mos merrej me politikë, por ne nuk pranuam dhe ata u larguan pa na lutur shumë.

Ku e vuajtët dënimin dhe kur u liruat nga burgu?

Unë u lirova nga burgu më 9 korrik të vitit 1967 pasi kisha fituar ulje dënimi me amnisti dhe një vit me punë. Kurse Leka u lirua një vit pas meje dhe të dy shkuam prapë në Gradishtë. Por ndërkohë që ne ishim në burg, në vitin 1960 ishte arrestuar dhe motra, Shano, në Gradishtë, e cila u dënua me pesë vite burg politik për agjitacion e propagandë.

Ç’farë kishte ndodhur që e dënuan…?

Gjithçka ishte e sajuar, madje kujtoj se deri edhe disa njerëz nga rrethi ynë fisnor, thonin se Shanos i kishte gjetur Sigurimi i Shtetit, një radio marrëse-dhënëse që e kishte fsheur në një pemë, ku shkonte natën dhe komunikonte me babanë e vëllanë, në SHBA. Këto ishin legjenda që i përhapte Sigurimi i Shtetit dhe njerzit e shkretë i besonin, apo thjesht i përcillin ato siç i dëgjonin.

Po pa daljes nga burgu, si rrodhi jeta e Shanos?

Shano u lirua nga burgu i Kosovës së Lushnjes në vitin 1965 dhe pasi qëndroi disa vite në internim aty në Gradishtë ku dhe u njoh e u martua me Ibrahim Sokolin, (vëllanë e profesorit dhe etnomuzikologut të njohur, Ramadan Sokoli), i cili u kthye në internim pasi kishte qenë disa vite në burg, me babanë, Jusufin, Ramadanin dhe vëllanë, Hodo Sokoli, i cili u lirua nga fundi kur regjimi komunist po rrëzohej. Ibrahimi pasi mabaroi internimin u lejua të kthehej në Shkodër bashkë me Shanon, ku të dy punuan përsëri si punëtorë në Komunale.

Deri kur kanë jetuar Shano me Ibrahimin?

Ibrahimi ndërroi jetë në vitin 1997 në Shkodër dhe pas vdekjes së tij, Shano u kthye tek ne këtu në Tiranë, pasi ata u martuan të mëdhenj në moshë, e nuk patën fëmijë. Me lekët që shiti shtëpinë në Shkodër, Shano bëri këtë bibliotekë që kemi ne këtu, pasi në atë kohë na erdhën librat e babait nga SHBA-ja. Kurse Shano ndërroi jetë në korrikun e vitit 1999.

Po dy motrat e tjera, Tefta me Veronikën, krijuan familje?

Po të dyja u martuan në internim, Veronika me të birin e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fiqiri Dines, kurse burri i Teftës ishte nga Gjirokastra.

Po Viktori me Lekën dhe Nestin?

Viktori u martua dhe krijoi familje në internim, me të bijën e Abaz Kupit, Hyrijen, një zonjë e vërtetë që ne e kemi respektuar si të parën e shtëpisë tone edhe pas vdekjes së Viktorit, deri ditën që ndërroi jetë para pak muajsh. Edhe Ernesti që ka ndërruar jetë vetëm para tre javësh, krijoi familje po në internim, kurse Leka që ka ndërruar jetë para disa vitesh, nuk mundi që të krijonte dot familje, pasi i shkoi jeta burgjeve dhe internimeve.

Sa kohë vazhduat ju të tjetër të qëndronit në internim dhe kur u kthyet në Tiranë?

Ne kemi qenë në internim deri nga viti 1991 që u rrëzua dhe regjimi komunist, por qëndruam aty dhe disa muaj më shumë pasi nuk kishim ku të shkonim, pasi siç ju thashë, babai ynë, Hasani, nuk pati kurrë një shtëpi të tijën dhe gjithmonë ka jetuar me qera. Nisur nga ky fakt, kur erdhëm në Tiranë, me letrat me vlerë dhe dëmshpërblimet nga burgjet dhe internimet, privatizuam këtë magazinë duke e adaptuar për banese ku u mblodhën të gjithë, katër vëllezërit dhe tre motrat, me familjet tona.

Po babai dhe Luani deri kur kanë jetuar?

Babai ndërroi jetë në janarin e vitit 1991, në moshën 96 vjeçare në SHBA, pasi kishte mësuar se regjimi komunist në Shqipëri ishte në grahmat e fundit. Kurse Luani jetoi edhe një vit më shumë, por ai erdhi në Shqipëri dhe ne patëm fatin të takoheshim dhe të çmalleshim me njeri tjetrin. Pasi vetëm në vitin 1991 u mblodhëm të pesë vëllezërit dhe motrat bashkë, sepse që nga ’45-sa, ne nuk na binte të takoheshim të gjithë, pasi sa dilte njëri nga burgu, hynte tjetri.

Po para viteve ’90-të kur ishit në internime, a kishit dijeni apo informacion se ku ndodhej dhe si ishin babai, Hasani me vëllanë, Luanin?

Kishim informacione të cunguara dhe gjysëm të vërteta, pasi ku ishim ne në internim ishte shumë e vështirë që të gjeje dhe të komunikoje me njerëz që mund të dinin diçka rreth fatit të tyre. Por që babai jetonte, ne e mesonim nga fjalimet apo shkrimet e librat e Enver Hoxhës, pasi ai e përmëndëte atë jo rrallë, ndërsa e kundërta, babai me Luanin kishin informacion për ne, nga shqiptarët që arratiseshin dhe shkonin në Perëndim.

Po pas viteve ’90-të, Nexhmije Hoxha, apo ndonjë nga ish-shoqet e Shanos, a patën ndonjë shenjë brerje ndërgjegje po themi, apo pendesë, prej asaj që kishte ndodhur me ju?

Kur vdiq Luani në vitin 1992, një nga ish-shoqet e Shanos, i kishte thënë Nefo Myftiut, që të vinin tek ne për ngushëllim, por Nefo i ishte përgjigjur: “Nuk kemi fytyrë të shkojmë te Shano dhe te Dostët për ngushëllim, për çfarë u kemi bërë ne atyre”. Kurse Nexhmijen e ka takuar vëllai jonë, Viktori, nga viti 1993 kur ajo ishte në burgun e Tiranës, pasi Viktori në atë kohë së bashku me Arben Puton, ishin në krye të Komitetit të Helsinkit (Komiteti për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) për Shqipërinë.

Si ka qenë takimi mes tyre dhe çfarë kanë biseduar?

Viktori me kolegët e tij të Komitetit të Helsinkit, shkuan aty për të parë kushtet e burgut dhe të trajtimit të tyre, pas disa ankesave që bënin me shkrim ish-bllokmenët e arrestuar edhe për gazetarët e huaj dhe ato të Komitetit të Mbrojtjes së Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. Kur hynë te dhoma e Nexhmijes, ajo e njohu dhe e pyeti: “Tori ti je”? Pra, ju drejtua si një e njohur e vjetër, je me emrin Viktor, por shkurt, Tori!

Si iu përgjigj Viktori?

Po çfarë mund t’i thoshte Viktori, ai iu përgjigj sikur ta kishte një të njohur të vjetër, që na kishte bërë vetëm të “mira”, duke i thënë me buzagaz; “Po unë jam, por nga më njohe”? Dhe Nexhmija i tha se e kishte njohur nga zëri dhe kishte shtuar: “A të kujtohet kur të thoshte Aneja; Tori, po na mbarohet vaji, do vinë vajzat dhe nuk kemi me çfarë t’u gatuajmë”?! Dhe në fund të bisedës së tyre të shkurtër ajo me duket se e kishte ngushëlluar për vdekjen e vëllait, Luanit.

Po për Shanon, nuk i tha asgjë?

Apsolustisht, asnjë fjalë, si duket dhe Nexhmija vazhdonte ta konsideronte Shanon si tradhëtare./Memorie.al


Shtuar 31.01.2020 08:59