Rrëfimi i dhimbshëm: Koçi Xoxe i premtoi nënës se do i falej jeta, por si e pushkatuan

Kjo eshte historia e panjohur e Zalo Xhomaqit nga rrethi i Kolonjës, i cili pasi diplomua në Liceun Francez të Korçës, gjatë periudhës së pushtimit të vëndit, shërbeu si sekretar tek zyra avokatore e vëllezërve Kokalari në Tiranë dhe më pas u inkuadrua si pjestar i çetave nacionaliste të Ballit Kombëtar në zonën e Kolonjës, duke marrë pjesë në shumë luftime si kundra forcave pushtuese italiane, ashtu dhe atyre partizane.

Largimi i Zalos pas pushtimit gjerman të vëndit për t’i shpëtuar hakmarrjes së komunistrëve dhe puna si sekretar në Gjykatën e Prizrenit, nga ku më pas u kthye në Tiranë dhe me ndihmën e mikut të tij, zv/ministrit të Punëve të Brendëshme, kolonel Myftar Tare, mundi që të fillonte punë si sekretar teknik në trupën gjyqësore të Kolegjit Ushtarak në Tiranë.

Dëshmia e rrallë e vëllait të tij, Sybi Xhomaqi, se si i ndihmonte Zalo të burgosurit antikomuniste kur ata dilnin në gjyq dhe trakti që ai hodhi në Tiranë, pas procesit gjyqësor të 10 gjimnazistëve të Tiranës: Islam Lleshi, Viktor Dosti, Haziz Jareci, Besnik Duro, Petrit Toto, Bujar Doku, Kujtim Koculi, Ylber Gimjani, Adem Petrela dhe Mikel Popa, të cilët akuzoheshin për veprimtari antikomuniste. Si u zbulua Zalo si ai ishte autor i atij trakti që alarmoi regjimin komunist dhe pushkatimi i tij më 17 korrik të vitit 1947 në bregun e lumit, ku fjala e tij e fundit, ishte “Rroftë Shqipëria”.

“Aty nga ora 6 e mëngjesit të 18 korrikut të vitit 1947, në hetuesinë e Tiranës, ku Zalo mbahej prej disa muajsh nën tortura, Prokurori Kapiten Petrit Hakani, doli nga zyra e tij dhe kaloi në koridorin e ngushtë ku flinin disa nga të burgosurit e atij grupi që ishte gjykuar ato ditë. Aty nga fundi i koridorit, ai goditi me shkelm Abdulla Berberin që ishte duke fjetur dhe i tha: A të shkon mëndja se ku jam nisur këtë mëngjes të errët? Po shkoj të vras me dorën time, shokun tënd, tradhtarin dhe dekonspiratorin tonë, Zalo Xhomaqin”.

Dëshmon për herë të parë për Sybi Xhomaqi, i cili rrëfen të gjithë historinë e vëllait të tij, Zalo Xhomaqi, apo siç njihet ndryshe me mbiemrin Bejkova. Ai ishte ish pjestar i çetave nacionaliste nacionaliste të Ballit Kombëtar, dhe më pas sekretar teknik i trupës gjyqsore të Kolegjit Ushtarake në Tiranë, në vitet 1945-1946, që më pas u arrestua, gjykua dhe dënua me vdekje, duke u pushkatuar në prillin e vitit 1947, pasi kishte hedhur trakte me përmbajtje antikomuniste në gjimnazet e kryeqytetit.

Po kush ishte Zalo Xhomaqi, nga ç’familje rridhte dhe si mundi ai që të punonte si sekretar në Gjykatën Ushtarake të Tiranës, pasi më parë kishte qënë pjestar me çetat naciolaliste të Ballit Kombëtar?! Çfarë shkruhej në ato trakte që Zalo i hodhi në gjimnazet e Tiranës, dhe cilët ishin fjalët e fundit që tha ai para Prokurorit?! Lidhur me këto dhe ngjarje e fakte të tjera nga jeta e tij, na njeh dëshmia e vëllait, Sybi Xhomaqi, I cili dëshmon ekskluzivisht për Memorie.al.

Kush ishte Zalo Xhomaqi?

Zalo Xhomaqi u lind në vitin 1921 në fshatin Bejkovë të Kolonjës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Ai ishte fëmija i parë nga katër fëmijët e Vait Xhomaqit, i cili në atë krahinë, ka qënë tepër i njohur për qëndrimin që mbajti në luftën italo-greke, në vitin 1940, kur u internua në Mitilini të Greqisë. Që kur ishte i vogël, Zalo shoqërohej me Sali Butkën dhe i recitonte atij vjershat e Naim Frashërit.

Pasi mbaroi gjimnazin në Tiranë në 1942, Zalo u kthye në Kolonjë dhe punoi si sekretar i një avokati në Ersekë. Pas disa kohe, ai u rikthye përsëri në Tiranë, dhe punoi po si sekretar tek vëllezërit Kokalari (me origjinëë nga qyteti i Gjirokastrës), të cilët në atë kohë kishin një zyrë të njohur avokatie. Tek Kokalarët, ai punoi deri në vitin 1943, dhe u rikthye përsëri në Kolonjë, ku u bashkua me çetat nacionaliste të Ballit Kombëtar, që vepronin në atë krahinë.

Qazim Prodani që ishte një nga udhëheqësit kryesorë të Ballit, e caktoi Zalon si sekretar në qëndrën e asaj organziate politike, në sektorin e Propagandës. Në atë sektor ai u mor shumë kohë me përgatitjen e trakteve dhe shkrimeve të ndryshme. Gjithashtu më pas ai doli vullnetar dhe u inkuadrua në çetën e Sefedin Dumes (kushëri i Petrit Dumes) që në atë kohë ishte një nga krerët ballistë më të njohur të asaj krahine.

Lidhur me këtë, vëllai i tij Sybiu, dëshmon “Në përbërje të saj çete, Zalo mori pjesë në disa luftime si kundër forcave italiane, ashut dhe kundër atyre partizane, që vepronin në atë krahinë. Pas kapitullimit të italianëve dhe pas ardhjes së gjermanëve, Zalo largohet nga Kolonja ku i rrezikohej jeta nga komunistët dhe filloi punë si sekretar gjykate në Gjykatën e Prizrenit në Kosovë. Kur brigadat partizane shqiptare u futën në Kosovë, Zalo, u takua me mikun e tij Myftar Tare, dhe ky i fundit e ndihmoi që të kthehej në Tiranë dhe të fillonte punë si sekretar teknik në Gjykatën Ushtarake të Tiranës”, dëshmon Sybi Xhomaqi, për të vëllanë e tij.

Ndihmon të burgosurit antikomunistë

Ndonëse Zalo Xhomaqi filloi punë në Gjykatën Ushtarake të Tiranës, ai nuk i ndërroi bindjet e tij nacionaliste dhe gjatë asaj periudhe, ai u mundua dhe ndihmoi disa nga të burgosurit antikomunistë që kalonin në gjyqet e asaj gjykate. Lidhur me këtë, Sybiu dëshmon “Në prillin e vitit 1945, Sigurimi i Shtetit arrestoi një grup të madh nxënësish nga gjimnazet e Tiranës, të cilët gjatë viteve të Luftës, ishin inkuadruar në organziatën e Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit.

Disa prej tyre ishin: Abdulla Berberi, Baftjar Kokona, Riza Kosova, Xhevat Alimerko, Asllan Cenaj, etj. Një prej tyre, Abdullai, më ka treguar se gjatë seancave të gjyqit që u zhvilluan nga data 5 deri në 26 korrik, Zalo i’u drejtua njëri prej tyre, Rudolf Eiberit që ishte i prangosur, duke i thënë: Unë jam një shok i juaji anti-komunist si ju. Gjatë këtyre ditëve do tju sjellin për t’ju gjykuar në këtë sallë, dhe do të jem unë që do t’ju heq prangat. Mendoj që ne duhet të mbajmë kontaktet, dhe për çdo gjë do t’ju vë në dijeni sepse jam bashkëpuntori juaj”, dëshmon Sybi Xhomaqi, vëllai i Zalos.

Hedh trakte në gjimnazet e Tiranës

Në atë kohë, përveç atij grupi të rinjsh anti-komunistë, ku bënte pjesë dhe Abdulla Berberi, në Prillin e vitit 1945, ishte arrestuar dhe një grup tjetër të rinjsh gjimnazistë të Tiranës midis të cilëve, Islam Lleshi, Viktor Dosti, Haziz Jareci, Besnik Duro, Petrit Toto, etj. Gjithashtu të rinjtë e këtij grupi kishin qënë pjesmarrës në Ballin Kombëtar dhe Legalitetin, apo u përkisnin familjeve të njohura që kishin aderuar në këto formacione politike që me krijimin e tyre.

Qëllimi kryesor i arretsimit të tyre, ishte që t’i detyronin ata nëpërmjet gjyqit, që Ballin Kombëtar dhe Legalitetin, t’i konsideronin si organizata tradhtare. Edhe në këtë gjyq, Zalo, do të shërbente si sekretar dhe lidhur me këtë, i vëllai Sybiu, dëshmon: “Gjatë seancave gjyqësore që filluan në 10 prill të vitit 1946, Zalo u indinjua pa masë nga padrejtësitë dhe akuzat fallso që i’u bëheshin atyre të rinjve nga ai gjyq i montuar. Duke mos duruar dot, teksa shihte shokët e tij të idealit me të cilët kishte luftuar së bashku gjatë periudhës së pushtimit fashist, Zalo vendosi që të shtypte një trakt, dhe ta shpërndante atë nëpër Tiranë.

Atë trakt ai e shtypi me makinën e tij të shkrimit, ku denonconte atë proçes gjyqësor dhe regjimin komunist që e kishte inskenuar. Në këtë trakt, ai merrte në mbrojtje shokët e tij, të cilët i quajti si “10 shqiponja të lidhur me zinxhirë”. Pasi e shtypi traktin, Zalo u’a dha atë familjarëve të personave që po gjykohehsin dhe këta të fundit, u morën me shpërndarjen e tij në gjimnazet e Tiranës” dëshmon Sybiu.

Arrestimi dhe pushkatimi

Shpërndarja e atij trakti në Tiranë, bëri bujë të madhe dhe alarmoi Sigurimin e Shtetit, i cili pas shumë përpjekjesh, arriti që të identifikojë dhe të arrestojë “njeriun e tyre” që ishte pikërisht Zalo Xhomaqi. Për këtë ngjarje, i vëllai Sybiu dëshmon: “Që gjatë seancave gjyqësore të grupeve antikomuniste ku Zalo kryente detyrën e sekretarit të gjyqit, kishin lindur dyshime për të. Dhe kjo, pasi Zalo ishte tip impulsiv dhe e shprehte atë që mendonte. Duke parë edhe sjelljet krejt të buta të tij ndaj të burgosurve politikë, atë e transferuan në qytetin e Shkodrës, po me të njëjtën detyrë. Gjatë kohës që ai kishte hedhur traktin, Sigurimi i Shtetit vazhdonte që të kërkonte autorin e tij. Zalo ishte në Shkodër, ku më 23 dhjetor të vitit 1946, u bë dhe arrestimi i tij.

Gjatë hetuesisë, atij i’a vërtetuan që ai trakt ishte shtypur nga makina e tij e shkrimit, dhe ai e pohoi këtë gjë. Gjyqi ndaj tij u bë në Tiranë, me dyer të mbyllura dhe ai u akuzua se: “kishte qënë në rradhët e Ballit Kombëtar, kishte dhunuar veprimet ligjore të Gjykatës Ushtarake, dhe kishte afishuar një trakt ku fliste kundër Drejtësisë Popullore”. Si përfundim, Zalon e dënuan me vdekje. Në atë kohë, si mësuam lajmin e dënimit të tij me vdekje, nëna u nis nga Kolonja për në Tiranë, dhe takoi Ministrin e Brëndshëm, general-leitnant, Xoxe. Ajo i’u lut atij që t’i falte jetën Zalos.

Ministri Xoxe pasi e dëgjoi, i tha nënës që: të shkonte pa merak, pasi Zalos do t’i falej jeta. Nëna, po atë ditë erdhi në fshat dhe na dha lajmin e mirë që Zalos i ishte falur jeta. Pak minuta më pas, erdhi dhe korrieri i fshatit. Mirëpo, gëzimi që ndjemë pas lajmit që na solli nëna, nuk zgjati shumë, sepse korrieri na dha një telegram, që xhaxhai jonë në Tiranë na e kishte dërguar, ku njoftonte për pushkatimin e Zalos.

Përpara se ta pushkatonin, Prokurori e kishte pyetur Zalon për dëshirën e tij të fundit. Dhe ai i kishte thënë: Kjo qeveri e quan veten të fortë me ekzekutimin tim, jep të kuptojë se edhe vetëm për një sharje, derdh gjak njeriu. Unë di të them se nuk kam bërë faj, dhe kështu e quaj dhe veprën time. Rroftë Shqipëria dhe Demokracia”, kujton Sybiu, fjalët e fundit të vëllait të tij, para se ta pushkatonin, atë mëngjes të 18 korrikut të vitit 1947, në bregun e lumit të Tiranës. Ky vënd në atë periudhë do të bëhej “banesa e fundit” për dhjetra kundërshtarë politikë anti-komunistë të regjimit të Enver Hoxhës.

Trakti i Zalo Xhomaqit që u shpërnda në Tiranë

Ai që e nisi qeverimin me gjakderdhje dhe terrorizëm, është i shtrënguar fatalisht ta vazhdojë ashtu si e nisi, s’kthehet dot mbrapsh më, futet thellë e më thellë sa vete dhe është i dënuar të mbytet në pellgun e gjakut që ai vetë krijoi.

10 prill 1945, mesnatë.

Në Tiranë 8 shtëpi të rrethuara, secila nga dyzina partizanë të udhëhequra (prejardhje) prej atdhemosnjohësve të mallkuar, të cilët me zhurmën e tyre çakajsh, zgjojnë nga gjumi i ëmbël i prillit, 8 studentë, 8 filiza, pa mbaruar së rrituri, mandej i lidhin dhe i rrëmbejnë nga gjiri i nënave, për t’i futur në burgun e tmerrshëm të Tiranës, që imperializmi fashist ndërtoi dhe që Koçi Xoxe e zmadhoi. Pas disa javësh dhe dy të rinj të tjerë u shtohen 8 të rinjëve në burg.

10 Prill 1946.

Pas 365 ditësh burgimi, 10 të rinjtë, gjykohen përpara Gjykatës Ushtarake të Tiranës, para gjyqit të terrorit më të zi që ka parë historia e njerzimit, të terrorit të kuq. Po pse gjykohen këta student 19-vjeçar? Ç’faj kanë bërë? Pse mbahen të lidhur me zinxhirë dy e nga dy, Besnik Duro dhe Viktor Dosti, Bujar Doku dhe Islam Lleshi, Kujtim Koculi dhe Ylber Gimjani, Adem Petrela dhe Haziz Jareci, Mikel Popa dhe Petrit Toto, më i vogli?!

Se pse janë 10 bijë të Shqipërisë, 10 të rinjë që u qëndruan besnik idealeve më të shtrenjta të tyre, duan lirinë, me shpirtin e tyre djaloshar, mbajnë të pastër dhe të papërlyer, ndjenjën e nacionalizmit. Sepse dy ditë para se të arrestoheshin qenë zgjedhur këta të rrinj prej bashkënxënësve të Liceut të Tiranës, kryetar dhe përgjegjësa të këshillave të klasës dhe jo Bijtë e Stalinit, siç e quajnë veten agjentët e G.P.U.

10 yje të akuzuar, pas tyre 10-15 roje të Koçi Xoxes me automatik në duar, pas automatikëve, motrat, nënat dhe të afërmit e të akuzuarve dhe sehirxhinjë të rastit. Përpara në tribunën e gjakut, në tribunën e turpit më të madh që do të shkruajnë fletët e historisë së shqiptarëve. Zilja tingëllon. Gjykimi fillon, 10 shpirtrat tuaj o djelmosha student, sa të qetë dhe të patrembur që janë.

Sytë tuaj xixëllojnë, faqja juaj shkëlqen, ndërgjegja juaj ndriçon. Dhe ja apologjia: ”Nuk mund të gjykohet ati im Hasan Dosti, në personin tim, luftën vëllavrasëse nuk e shikoja me sy të mire – përgjigjet Viktor Dosti.

-S’po më gjykoni si sabotator, po ndryshe – flet Ylber Gimjani.

-U zgjodhëm përgjegjës të klasës nga shokët bashkënxënës.Po të mos kishim marrë pjesë në Këshilla, do të na quanin sabotatorë. Edhe që morëm, ju të njëjtën akuzë po na bëni. Komunist nuk jam- përgjigjet Bujar Doku.

-Nuk e dimë përse jemi arrestuar. Populli është me nacionalizmin dhe ky fakt do të vërtetohet, deklaron Aziz Jareci.

-Okupacioni fashist më 7 prill më gjeti në Sarandë, isha i vogël 10-11 vjeç dhe s’kisha ç’të bëja unë – u thotë egërsirave Petrit sypatrembur. Vajtëm në Kosovë për të mbrojtur kufijtë e atdheut, e quaj një detyrë të shenjtë, shkova të luftoj kundër shovinizmit serb dhe jo kundër partizanëve, se këta i kisha në Dajt, – u thotë këlyshëve të jugosllavëve.

Bihori është vëndi ku çetnikët serbë më 1942 masakruan mijra shqiptarë – i kallzon trupit gjykues Islam Lleshi, se Meladini ende s’ka treguar Bihorin, bastardëve të Kombit shqiptar. Islami gjakftohtë vazhdo: – S’jam akuzuar t’ju kallzoj punët e të tjerëve. S’kam bërë gjë të keqe të kuptoj dëm ose faj. Po të jetë se detyra e antarit të Këshillit të klasës që m’u ngarkua është një krim, unë e pranoj. Po unë e mora përsipër këtë barrë për t’i shërbyer rregullit të klasës.

-Okupatori fashist më gjeti më 7 prill në klasën e dytë të Liceut të Korçës, dhe si çdo shqiptar i ndershëm më hidhëroi, dhe me urrejtje e prita. Në kohën e okupacionit desha dhe unë të kontriboja kundra zaptuesit për të mirën e atdheut. I përgjigjet Prokurorit se edhe Balli Kombëtar e kishte parrullën luftë kundër okupatorit: dhe mua andej më hodhi gërmadha,-kështu shprehet fytyra e ndritur e Besnikut.

Kështu u përgjigjët ju o idealista 19-vjeçar, se ishit të frymëzuar nga idealet dhe veprat e Oso Kukës, të Çerçiz Topullit, të Ismail Qemalit, të Petro Ninit dhe të Naimit. Dhe ja pas apologjisë, dëshmia e akuzës:”E pashë Petrit Toton, me flamurin e kuq e zi në ballë (dëshmitari komunist Spiro Naço) dhe i thashë: Akoma e mban atë flamur, ai është i zhytur në tradhëti, hidhe poshtë”, Por Petriti m’u përgjigj: ky më dallon që jam shqiptar, ti ç’e ke atë yll në kokë?”

-Këta kanë luftuar kufijtë e Shqipërisë, kundër Titos-akuzon i dyti dëshmitar komunist. Diell e Hënë, Qiell e Dhe, pse s’përmbyseni, pse s’ktheheni së prapthi? Qysh duroni të ketë mbi dhe njerëz kaq të verbuar ndërgjegjësisht, kaq të shitur, kaq të pa shpirt dhe gjakatar?

Tokë e Kastriotit, pse nuk shëmbesh po qëndron ende nën thundrën e Xhenxhiz Khanëve e të Timurlandëve të shekullit të XX-të? Nuk shemben jo – oshëtin toka shqiptare – se jam kryelart që kam pjellë dhe që kam nxjerrë dragonj dhe shqiponja që më duan që më mbrojnë, që do më shpëtojnë përgjithmonë.

Mbajini zemrat lart o 10 bijtë e Shqipërisë, o doktor Stokanet e shqiptarizmës, se ju flisni me ndërgjegje të qetë, po uqërit e stepave të Siberisë që të terrorizojnë sot popullin tonë, edhe në kolltukët më të lartë, edhe në “Dajt” dhe në “Kontinental”, edhe kur dëfrejnë me shoqet e tyre, përqafojnë marshallin Tito, hija e Makbethit nuk i lë të qetë, gjersa shpata do t’ju bjerë mbi zverk.

Jini krenare ju o nëna shqiptare, që keni lindur bij si 10 shqiponjat e 10 prillit. Ata do të dënohen, do të rrijnë mbyllur në burgun që ndërtoi fashizmi i mallkuar dhe që zmadhoi liria kriminale e Koçi Xoxes. Por ora e hesapeve po afron dhe dita e shpëtimit, dita e lirisë Kombëtare së shpejti do të agojë dhe shpendrat, hithrat dhe ferrat, shqiponjat do t’i qërojnë. Është zëri i një populli të martirizuar”.

“Koha”, Tiranë. Prill 1946

Dashnor Kaloçi/ Memorie.al


Shtuar 1.07.2020 07:21