Të pathënat, kur gjeneral Spiro Moisiu refuzoi Enverin dhe nuk shkoi në Pallatin e Brigadave

Publikohet historia e panjohur e Spiro Moisiut, ish-ushtarakut të karrierës që edhe pse në “Revolucionin e Qershorit” kishte marrë pjesë në rradhët e forcave fanoliste përkrah kolonelëve Kasem Qafzezi e Rexhep Shala që marshuan drejt Tiranës dhe rrëzuan qeverinë, kryeministri Ahmet Zogu e thirri përsëri për të dhënë kontributin e tij në rradhët e Ushtrisë Kombëtare të Monarkisë, ku ai shërbeu me besnikëri në të gjitha detyrat që i’u ngarkuan deri në prillin e vitit 1939 kur tentoi organizimin e rezistencës ndaj agresionit fashist italian.

Largimi i major Spiro Moisut nga fronti i luftës italo-greke së bashku me Batalionin “Tomorri” që ai komandonte dhe dënimi me vdekje nga Gjykata Ushtarake italiane, e cila i’a zbuti më pas dënimin.

Përse e pranoi major Moisiu ofertën e krerëve më të lartë të Partisë Komuniste për t’u vënë në krye të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe konfliktet e tij me Enver Hoxhën pas mbarimit të Luftës, pasi ai s’pranoi asistencën e jugosllavëve në Ushtrinë Shqiptare, dhe si “i implikuar me Grupin e Deputëtëve”, ai u nxor në lirim në moshën 47 vjeçare dhe më pas u la në detyra e poste honorifike, deri sa ndërroi jetë në vitin 1980.

Ka qenë 10-korriku i vitit 1978, kur në “Pallatin e Brigadave” teksa pritej që të mbërrinte udhëheqja e lartë e Partisë së Punës që do të merrte pjesë në ceremonitë e mëdha të festimeve jubilare të 35-vjetorit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, dikush u kujtua se në protokollin zyrtar ishte harruar dhe mungonte një nga emrat kryesorë që duhej të ishte prezent në atë ceremoni. Pas pak nga dera kryesore e “Pallatit të Brigadave”, doli një makinë luksoze e cila pasi e përshkoi me shpejtësi të madhe bulevardin kryesor të Tiranës, “Dëshmorët e Kombit”, ndaloi përballë një vile të vjetër në Rrugën “Fortuzi”. Personi që doli nga makina pasi trokiti disa herë në portën e shtëpisë, i’u drejtua atyre që i hapën derën, duke u thënë:

“A është shoku Spiro këtu, se e kërkon Komandanti, shoku Enver, për të ardhur në ceremoninë e përvjetorit të Ushtrisë”? Ata që hapën derën e vilës, u vunë në siklet të madh pasi nuk dinin se ku mund ta gjenin kryefamiljarin e tyre, i cili kishte dalë që në mëngjez herët nga shtëpia. Ndërsa në “Pallatin e Brigadave” çdo gjë ishte gati e të gjithë personalitetet e larta të Partisë e të shtetit, si dhe të ftuarit e tjerë kishin zënë vëndet e caktuara nga komisjoni i festës dhe pritej vetëm ardhja e Komandantit, Enver Hoxhës, makina luksoze e Komitetit Qëndror me familjarët e vilës vazhdonin të kërkonin nëpër lokalet e Tiranës, ish-Komandantin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, gjeneral-major Spiro Moisiun!

Kur ata pothuaj i kishin humbur të gjitha shpresat se mund ta gjenin njeriun që kërkonin, dikush u kujtua që të shikonin në një nga lokalet e periferisë, që ai kishte filluar ta frekuentonte kohët e fundit. Dhe nuk ishin gabuar, ndërsa makina frenoi vrullshëm tek dera e lokalit, personi i panjohur zbriti me të shpejtë dhe pasi u afrua tek një tavolinë ku po pinin katër burra të moshuar, i’u drejtua njerit prej tyre, duke i thënë: “Më falni, shoku Spiro, ju kërkon Koamdanti, shoku Enver, që të vini në festën e jubileut të Ushtrisë”. Ish-Komandanti i Përgjithshëm i partizanëve shqiptarë, ngriti gotën e vogël të rakisë dhe pasi e toku me tre shokët e tij, ish-partizanë të vjetër, i’u përgjigj të porsaardhurit: “Po ja…, edhe ne 10 korrikun po festojmë…”. Po kush ishte Spiro Moisiu, cila ishte origjina e familjes së tij dhe ku ishte shkolluar ai?

Cila ishte karriera ushtarake e tij, si u zgjodh ai në krye të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe përse pas mbarimit të Luftës ai u konfliktua me Enver Hoxhën? Si dhe përse e mënjanoi Enveri komandantin e famshëm të ushtrisë partizane, duke e nxjerrë në pension në moshën 47-vjeçare, për ta lënë më pas në funksione honorifike?! Lidhur me këtë dhe fakte e ngjarje të tjera nga jeta dhe karriera ushtarake e gjeneral-major Spiro Moisiut, po njihemi në këtë shkrim për të cilin jemi bazuar në dëshmitë e disa prej njerëzve që e kanë njohur nga afër ish-komandantin e partizanëve shqiptarë.

Kush ishte Spiro Moisiu?

Spiro u lind në vitin 1900 në qytetin e vogël të Kavajës në familjen e njohur të Moisive prej nga rridhte dhe aktori i madh me famë botërore, Aleksandër Moisiu. Spiro mbeti jetim në një moshë fare të re, pasi babai i tij u vra në vitin 1913, nga forcat rebele që kërkonin rrëzimin e qeverisë së Vlorës të kryesuar prej Ismail Qemalit. Pasi mbaroi shkollën unike në qytetin e Kavajës dhe Durrësit, Spiro u dërgua për të ndjekur gjimnazin në kryeqytetin austriak, Vienë.

Pas kthimit nga Austria, aty nga viti 1918 -‘19, ai mbaroi një kurs disa mujor në shkollën e Plotësimit të Oficerëve në Tiranë, e cila asokohe drejtohej nga instruktorë gjermanë e austriakë, ku dhe mori gradën e nëntogerit. Një vit më pas, Spiro Moisiu mori pjesë në përbërje forcave qeveritare që u caktuan në mbrojtje të Kongresit të Lushnjes, dhe po atë vit ai u caktua me detyrën e shefit të shtabit të grupit në luftimet që zhvilluan në Kaptinë të Martaneshit, kundra forcave serbe. Në vitin 1923, ai mbaroi në Tiranë kursin tjetër një vjeçar të oficerëve, që asokohe drejtohej nga ushtarakët gjermanë, ku dhe mori gradën e togerit. Në Kryengritjen e Qershorit të vitit 1924, Spiro u rreshtua përkrah ushtarakëve të komanduar nga kolonelët Rexhep Shala dhe Kasëm Qafzezi, të cilët u bashkuan me forcat fanoliste. Po kështu në dhjetorin e vitit 1924, Spiro Moisiu me gradën e togerit, mori pjesë me forcat qeveritare që dolën në Shkallën e Tujanit, për të penguar kthimin e Zogut në Shqipëri. Pas ardhjes së Ahmet Zogut në pushtet, Moisiu nuk u largua jashtë vëndit ashtu si shumë fanolistë të tjerë, por ai qëndroi në Shqipëri dhe përfitoi nga amnistia që Zogu dha për pjesën dërmuese të atyre që morën pjesë pjesë në Lëvizjen Qershorit.

Ushtarak i Monarkisë së Zogut

Në vitin 1925, duke pasur parasysh aftësitë e tij si ushtarak tepër i aftë, Kryeministri Ahmet Zogu e rithirri toger Spiro Moisiun, duke e titulluar përsëri oficer në Ushtrinë Kombëtare. Karriera ushtarake e Moisiut erdhi në ngritje pas viteve 1929-‘30-të, kur ai mbaroi me rezultate të shkëlqyera në Tiranë shkollën e Perfeksionimit të Oficerëve që drejtohej nga instruktorët italianë, ku ndër 43 pjesmarrësit e atij kursi, ai u rendit i pari duke marë gradën e kapitenit. Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, Moisiu shërbeu si ushtarak i karrierës në disa rrethe të vëndit dhe në vitin 1935 kur shpërtheu Kryengritja e Fierit, ai u gjend në atë qytet përkrah oficerëve besnikë ndaj detyrës dhe Mbretit, që e shtypën atë lëvizje.

Duke parë aftësitë e tij të rralla si ushtarak, (në atë kohë ai fliste gjermanisht, italisht, greqisht dhe serbisht) në vitet 1937-‘38 Moisiu u dërgua dhe mbaroi kursin e lartë të oficerëve madhorë që drejtohej nga ushtarakët italianë në Tiranë, ku ai doli përsëri me rezultate të shkëlqyera dhe mori gradën e majorit. Në prillin e vitit 1939 kur Italia kreu agresionin fashist ndaj Shqipërisë, major Spiro Moisiu shërbente me detyrën e Komandantit të Kufirit në Prefekturën e Shkodrës. Në atë detyrë, ai përgatiti dhe organizoi forcat që komandonte për të bërë rezistencë të armatosur trupave ushtarake italiane, duke i dërguar ato deri në Shëngjin.

Por, duke parë se si rrodhën e precipituan ngjarjet dhe për të mos i dorzuar ushtarët e oficerët që komandonte në duart e italianëve, major Moisiu u tërhoq së bashku me ta jashtë kufjive të Shqipërisë dhe u strehua në Jugosllavi, ku qëndroi si emigrant deri aty nga fillimi i vitit 1940. Në atë kohë ai u kthye në Shqipëri, duke i’u përgjigjur thirrjes për të shërbyer përsëri në rradhët e Ushtrisë Kombëtare. Në fundin e vitit 1940, major Spiro Moisiu në krye të Batalionit “Tomorri”, u dërgua për të marrë pjesë në luftën italo-greke, por ai nuk pranoi të luftonte dhe u tërhoq nga fronti, së bashku me major Prenk Përvizin, duke nxitur dhe dezertimet në rradhët e ushtarëve shqiptarë që u dërguan në frontin e luftës me Greqinë.

Pas kësaj, ai u transferua në një repart në fshatin Laç të Kurbinit, ku dhe u mbajt nën survejim deri sa Gjykata e Lartë Ushtarake Italiane, e dënoi me vdekje për dezertim nga fronti i luftës. Ky dënim u zbut më pas, për arsye se italianët kishin frikën e ndonjë rebelimi të ushtarakëve shqiptarë që vazhdonin ende të shërbenin në rradhët e tyre.

Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare

Pas nxjerrjes në lirim, në vitet 1941-‘42 major Spiro Moisiu me familjen e tij u vendos në zonat e Lushnjes dhe Beratit duke hyrë në lidhje me disa ish-ushtarakë të tjerë të Monarkisë së Zogut, që kishin filluar organizimin e ngritjen e çetave të para partizane. Duke pasur parasysh të kaluarën e tij të papërlyer dhe aftësitë e rralla si ushtarak i karrierës, në korrikun e vitit 1943, krerët e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe personalisht Enver Hoxha, e thirrën atë në Labinot të Elbasanit, ku dhe i propozuan detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Lidhur me këtë, kolonel Edip Ohri, ish-Komandanti i Përgjithshëm i Aviacionit Luftarak të Shqipërisë në vitet 1951-1975, na tregonte: “Gjatë gjithë periudhës së Luftës, si për ne partizanët e thjeshtë ashtu dhe për kuadrot drejtuese, emri i major Spiro Moisiut si Komandant i Përgjithshëm, u bë tepër i njohur dhe në atë kohë Enver Hoxha nuk njihej fare. Të gjitha udhëzimet dhe urdhërat e Luftës, mbanin vetëm firmën e major Spiro Moisiut. Ai pati gjithë meritën e organizimit të ushtrisë partizane, duke mbledhur rreth vetes ish-ushtarakë të Monarkisë së Zogut, si Dali Ndreun, Tahir Kadarenë, Bedri Spahiun, e shumë të tjerë, të cilët i emëroi në krye të formacioneve të mëdha luftarake partizane.

Duke pasur parasysh emrin dhe famën e madhe që kishte krijuar Spiro Moisiu si Komandant i Përgjithshëm, në Kongresin e Përmetit më 24 maj 1944, të gjithë ne menduam se përveç asaj detyre, ai do të zgjidhej edhe në funksionin e Kryeministrit të Qeverisë Provizore. Por në fakt ndodhi e kundërta, sepse Enver Hoxha i përqëndroi të gjitha funksionet në duart e veta, duke u bërë edhe Komandant edhe Komisar i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe Spiro Moisiun e la vetëm me detyrën e Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm.

Në atë kongres, grada e parë gjeneral-major për kuadrot e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, i’u dha Spiro Moisiut. Gjatë viteve të Luftës, familja e Spiro Moisiut, (bashkëshortja e tij Aspasia dhe tre fëmijët: Alfredi, Arqileja dhe Jolanda), qëndruan në ilegalitet, duke strehuar në Tiranë tek familja e Sotir Manastirliut dhe më pas nga Kubatët u përcollën për në Arbanë”, kujtonte koloneli në pension Edip Ohri, lidhur me kontributin e gjeneral-major Spiro Moisiut në Luftën Antifashiste.

Kundërshton Enverin për jugosllavët

Pas mbarimit të Luftës në vitin 1945, Enver Hoxha e thirri në shtëpinë e tij gjeneral Moisiun dhe në prani të Koci Xoxes, i parashtroi atij idenë e tij, në lidhje me forcimin e modernizimin e ushtrisë shqiptare sipas modelit jugosllav, gjë e cila do të bëhej me ndihmën e instruktorëve ushtarakë jugosllavë që do të vinin në Shqipëri. Gjeneral Moisiu e kundërshtoi propozimin e Enverit, duke i thënë: “Po çfarë do të mësojmë ne nga jugosllavët, kaçakë ne, kaçakë ata, partizanë ne, partizanë ata. Çfarë do të mësojmë ne nga ata, hiçgjë…” Pas kësaj debati u acarua dhe Spiro Moisiu u largua nga shtëpia e Enverit, duke e lënë atë në shoqërinë e Koci Xoxes.

Pak ditë pas kësaj, në një letër që Vukmanoviç Tempo i dërgonte Josif Broz Titos, ndër të tjera i shkruante: “Enver Hoxha ka vënë në krye të Shtabit të Përgjithshëm një ish-major të Xhandarmërisë së Zogut, i cili e ka mbushur ushtrinë me oficerë të Monarkisë Zogiste dhe është kundër dërgimit të instruktorëve tanë atje”. Lidhur me këtë, kolonel Edip Ohri na tregonte: “Gjeneral-major Spiro Moisiu kishte të drejtë që e kundërshtoi Enver Hoxhën për sjelljen në Shqipëri të instruktorëve jugosllavë, sepse shumica e tyre ishin agjentë të UDB-së dhe nuk kishin asnjë lidhje me punët e ushtrisë.

Gjatë asaj kohe që Moisiu ishte në krye të Shtatmadhorisë, ai qëndroi idesë së tij kundër ardhjes së jugosllavëve në Shqipëri dhe ai ishte për lidhjet me sovjetikët, që në atë kohë ishin shumë të përparuar. Në këtë kuadër ai nxorri urdhërin dhe na dërgoi të studjonim në Akademitë e Bashkimit Sovjetik, shumë oficerë nga lloje të ndryshme armësh. Por ai nuk e pati mundësinë që ta çonte deri në fund planin dhe idetë e tij për forcimin e modernizimin e ushtrisë shqiptare, sepse në vitin 1946, Enver Hoxha e shkarkoi nga detyra.

Një nga shkaqet kryesore për këtë gjë u bë “Grupi i deputetëve” që dolën në gjyq në atë kohë, pasi gjatë hetimeve, njeri prej tyre kishte deponuar, duke thenë se; ‘për rrëzimin e qeverisë së Enver Hoxhës, ata kishin me vete dhe Spiro Moisiun’. Nuk e di sa e vërtetë ka qenë kjo gjë, por ishte fakt se Spiro Moisiu kishte miqësi të ngushtë me disa nga krerët kryesorë të ‘Grupit të deputetëve’ që u dënuan në atë kohë, siç ishin Shefqet Beja dhe Enver Sazani”, dëshmonte Edip Ohri, lidhur me shkaqet që çuan në prishjen e Enverit me Spiro Moisiun.

Ndonëse gjeneral-Moisiu ishte akoma në detyrën e Shefit të Shtatmadhorisë, me porosi të veçantë të Enverit, ai u vu nën survejim nga Sigurimi i Shtetit. Kështu në një letër që ministri i Brendshëm Koci Xoxe i dërgonte sekretarit të parë të Qarkut të Beratit në fillimin e vitit 1946, midis të tjerash i shkruante: “Nesër në qarkun tuaj vjen për vizitë gjeneral-major Spiro Moisiu, të merren masa urgjente dhe të survejohet pasi ka mundësi që në pyllin e Ardenicës ku ai do shkojë për gjah, të takohet me Hamit Matjanin dhe forcat e tij. Për çdo gjë, të veprohet sipas udhëzimeve tona”.

Shkarkimi

Pas disa konflikteve të vazhdueshme që Enveri pati me Shefin e Shtatmadhorisë gjeneral-major Moisiun, në vitin 1946 ai nxorri urdhërin e lirimit dhe e shkarkoi nga detyra, duke e nxjerrë atë në pension në moshën 47-vjeçare. Në vëndin e tij Enveri emëroi Mehmet Shehun, të cilin e thirri urgjent nga Moska ku ai vazhdonte studimet në Akademinë e Shtatmadhorisë dhe gjatë dorzimit të detyrës, çelsat e zyrës, Moisiu ia hodhi Shehut tek këmbët.

Për ta denigruar fare gjeneral-Moisiun, Enveri e caktoi atë në detyrën e Kryetarit të Shoqatave në Ndihmë të Ushtrisë (SHNU) dhe pas pak kohësh e emëroi në funksionin e Kryetarit të Gjuetarëve të Shqipërisë. Në këtë detyrë Moisiu qëndroi deri në vitin 1949, kur Enver Hoxha u prish me jugosllavët dhe në atë kohë ai u detyrua dhe e thirri përsëri Moisiun në Ushtri, por duke e lënë përsëri në detyra pa asnjë rëndësi, siç ishte ajo e Komandantit të Garnizonit të Tiranës.

Në vitet që pasuan, dalë nga dalë Enveri e la krejt në harresë gjeneral Moisiun, emrin e të cilit e hoqi edhe nga Historia e Shqipërisë e tekstet e tjera mësimore ku flitej për Historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, (të cilat hartoheshin nën kujdesin e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste që e drejtonte Nexhmije Hoxha), duke përvetësuar kështu edhe të gjitha meritat për drejtimin e Luftës Antifashiste. Gjeneral Moisiu u la formalisht në detyrën e deputetit dhe atë të antarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, të cilat për atë kohë nuk kishin asnjë lloj rëndësie, ku dhe ai rrallë shkonte.

Enveri s’pranon të vizitojë gjeneral Moisiun e sëmurë

Aty nga vera e vitit 1980, kur Enver Hoxha me bashkëshorten e tij Nexhmijen bënë një vizitë në klinikën e udhëheqjes, ku ishte i shtruar kryeministri Mehmet Shehu, kur po dilnin dëgjuan rënkimet e një pacienti të moshuar, që vinin nga një dhomë aty pranë. Pasi pyetën, dikush u tha se; aty ishte i shtruar dhe tepër i sëmurë edhe shoku Spiro Moisiu, i cili po dergjej nën ethet e forta të vdekjes.

Edhe pas atyre fjalëve, Enveri nuk bëri të ngjiste shkallët për një kat më lart, por u nis në drejtim të ashensorit për të zbritur nga kishte ardhur, duke i thënë Nexhmijes dhe atyre që e shoqëronin; “Do vijmë njëherë tjatër”. Spiro Moisiu ndërroi jetë pak ditë më vonë dhe në atë kohë të gjithë nxënësit e shkollave që dëgjuan njoftimin në Radio-Televizion, u habitën kur mësuan se Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare që ata kishin mësuar nëpër librat e historisë, kishte qenë gjallë deri në atë kohë. Si për të kompesuar disi harresën që Enveri i bëri komandantit të tij të parë gjeneral-major Spiro Moisiut, pak kohë më vonë, ai i emëroi të birin e tij, Alfredin, në funksionin e zv/Ministrit të Mbrojtjes Popullore.

Por ndonëse Alfred Moisiu ishte diplomuar dy herë në Akademitë e Bashkimit Sovjetik dhe ishte specializuar edhe në Kore, Francë dhe Zvicër, e konsiderohej si një nga ushtarakët më të përgatitur të ushtrisë shqiptare, në vitin 1982, Enver Hoxha e shkarkoi përsëri dhe e transferoi në qytetin e Burrelit, ku ai komandonte disa ushtarë dhe survejohej rregullisht nga Sigurimi i Shtetit./Memorie.al


Shtuar 25.07.2020 06:18