Leonardo komenton afrimin e Zidane te PSG

Nuk ka asnjë takim të drejtuesve të PSG me Zinedine Zidane, skuadra do të vazhdojë përpara me Mauricio Pochetinon.

Pavarësisht zërave të shumtë mediatike, parizienët nuk do të ndryshojnë trajner. E konfirmon vetë drejtori sportiv Leonardo, për të cilin u fol se në ditët e kaluara ishte takuar me ish trajnerin e Realit të Madridit.

“Kam shumë respekt për të, por as e kam parë dhe as nuk e kam kontaktuar Zidane”, – tha Leonardo që më pas siguroi se në drejtim do të mbetet Pochetino duke u shprehur, – “Nuk duam që ai të largohet, dhe ai vetë nuk na ka kërkuar të largohet”.

Me këto fjalë Leonardo ka dashur të largojë retë e dyshimeve në lidhje me drejtimin e PSG, pas zërave për një tratativë në aksin Manchester-Paris që kanë përfshirë në ditët e fundit si Pochetinon ashtu dhe Zidane.

Trajneri argjentinas sipas tyre ishte favoriti i Manchester United për të zëvendësuar të pushuarin Solskjaer duke e arsyetuar dëshirën për tu larguar nga Parisi me vështirësitë e menaxhimit të treshes Mbappe, Neymar Messi. Në vend të tij PSG do të merte Zidane. Të gjitha këto hipoteza që janë hedhur poshtë publikisht tanimë nga Leonardo.


Shtuar 28.11.2021 09:46