Morata shpaguan veten

Alvaro Morata tejkaloi pengesën që kishte me një rol kyç në kalimin dramatik të Spanjës në çerekfinale të “Euro 2020” pas një kohe të vështirë me ekipin kombëtar, ku tifozët e fyen dhe kërcënuan atë me familjen e tij.

Sulmuesi i Juventusit, Morata, shënoi një gol të shkëlqyeshëm në minutën e 100-të, në një ndeshje epike në “Parken Stadium” në Kopenhagë për ta çuar Spanjën në epërsi 4:3, pasi “La Roja” e mbylli kohën e rregullt ndaj Kroacisë me shifrat 3:3, me gjithë që ishte në avantazh prej dy golave deri në shtatë minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Morata qetësoi nervat e spanjollëve me një lloj qetësie që i kishte munguar në turne deri në atë moment, duke e zbutur krosimin e Dani Olmos me këmbën e djathtë përpara se të gjuante me të majtën për ta mposhtur portierin e Kroacisë, Dominik Livakoviq.

“Është e vërtetë që kam përjetuar gjëra që nuk më pëlqejnë, por shumica e njerëzve në Spanjë janë me mua. Goli është për bashkëshorten dhe fëmijët e mi. Gjithashtu, është edhe për ata që më kanë mbështetur. Duhet të vuajmë për të jetuar momente të tilla të bukura”, ka thënë Morata.

Mikel Oyarzabal e konfirmoi fitoren e Spanjës dhe kalimin në çerekfinale tre minuta më vonë, por ishte Morata që u vlerësua pas ndeshjes nga përzgjedhësi Luis Enrique.

“Unë po ua tregoja të gjithëve këtë për muaj me radhë, se ne nuk varemi nga një lojtar i vetëm për të shënuar gola”, u tha Luis Enrique gazetarëve pas ndeshjes.

“Unë nuk mendoj se ka një trajner të vetëm në botë që nuk do të admironte ose nuk do të kishte vetëm lavdërime për një lojtar si Alvaro Morata”.

Pas shënimit të golit Morata ngriti grushtin për tifozët e Spanjës të mbledhur në cepin jugor të “Parken Stadium” dhe u prit nga duartrokitje të mëdha, një kontrast i plotë me abuzimin që ai e mori pas barazimit të Spanjës 1:1 me Poloninë, të cilin ai tha se e mbajti për nëntë orë pa gjumë gjatë natës.

Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, i cili tha të dielën se policia duhet të hetojë abuzimin ndaj Moratas, ishte plot me lëvdata për cilësitë e qendërsulmuesit.

“Ai është në gjendje t’ju japë superioritet në fushë, ai mund të mbrohet sikur të ishte një qendërmbrojtës, ai dominon në ajër, ai shënon gola dhe ai është i fuqishëm fizikisht”, insistoi Enrique. “Ne duhet të jemi mirënjohës që ai është spanjoll dhe që kemi Alvaron në ekipin tonë”.

Spanja tani do të përballet me Zvicrën në ndeshjen çerekfinale në St. Petersburg pas eliminimit shokues të Francës në penallti, duke ia dhënë Spanjës një rrugë teorikisht më të lehtë për të arritur deri në finale.

Sidoqoftë, spanjollët do të duhej të hiqnin gabimet nëse duan të kalojnë zviceranët, të cilët treguan të hënën se janë po aq të aftë sa Kroacia për të ndëshkuar vetëkënaqësinë. Dhe nëse eliminojnë Zvicrën, atëherë Spanja nuk do të ketë asnjë diferencë gabimi në gjysmëfinale, ku do ta presë fituesin e duelit ndërmjet Italisë dhe Belgjikën.

Spanja jo vetëm që lejoi që t’i shkrihet epërsia 3:1 ndaj Kroacisë pas dominimit në kohën e rregullt, por gjithashtu ua mundësoi kroatëve që të shënojnë të parët në ndeshje, falë një autogoli të çuditshëm që iu dha përfundimisht Pedrit.

Kthimi i topit prapa nga 18-vjeçari disi u rrokullis mbi këmbën e Unai Simonit dhe u fut në portën e tij, pasi portieri nuk arriti të kontrollonte topin. Sidoqoftë, Luis Enrique refuzoi të merrte parasysh gabimin e Simonit, i cili gjithashtu pati disa pritje të shkëlqyera gjatë ndeshjes.

“Gabimi i vetëm që bëmë në ndeshje ishin dhjetë minutat e fundit të lojës, kur po fitonim 3:1”, këmbënguli trajneri Enrique. “Ne duhet të kishim vazhduar të luanim ashtu siç kishim luajtur më parë dhe të mos vendosnim të shkonim me topa të gjatë dhe të luanim një lojë mbrojtëse, sepse kjo nuk është mënyra që unë dua të luaj. Por unë jam i kënaqur që fituam një shans të dytë dhe ishim në gjendje të fitonim ndeshjen”.


Shtuar 29.06.2021 15:31