Rrihet dhe kërcënohet me jetë Gentian Bardhoshi, policia nuk pranon denoncimin

I vranë xhaxhanë, më pas e rrahën dhe kërcënuan me jetë. Kjo është ajo çfarë i ndodhi 23-vjeçarit nga Hasi, Gentian Bardhoshi mbrëmë në Tiranë, ndërsa ngjarja nuk është pasqyruar ende në raportin ditor të policisë.

I riu me origjinë nga Hasi ishte duke lëvizur në rrugicat e lagjes “Allias” teksa për arsye ende të pazbardhura nga policia është bërë pre e një sulmi fizik dhe kërcënimesh nga disa persona.

Nuk dihen ende shkaqet e ngjarjes, ndërkohë që Bardhoshi shprehet se personat në fjalë e kanë kërcënuar se do ta vrisnin atë dhe familjen e tij.

Familja nga Hasi nuk ka mundur të bëjë denoncim në polici duke pretenduar se oficerët e policisë gjyqësore nuk ia kanë pranuar. Rrahman Bardhoshi, babai i të riut shprehet se kanë informacione që dhunimi i të birit është bërë nga pjestarë të një grupi të njohur kriminal në zonën e Hasit, të cilët kanë lidhje edhe me policinë.
“Ky është edhe shkaku se përse nuk na e pranojnë denoncimin dhe tani jemi detyruar që ta shpresim shqetësimin tonë në media. Ne ndjehemi të kërcënuar, pasi as shteti nuk na mbron më. Kemi patur kërcënime edhe në vitet 1997-1998, na vunë dhe tritol në shtëpi, por policia nuk na mbrojti as atëhere”, shprehet Rrahman Bardhoshi.

Gjithçka për familjen Bardhoshi nis në vitin 1996, kur xhaxhai i Gentian Bardhoshit, R.B, atëhere 32 vjeç u ekzekutua nga një bandë e njohur për veprimtarinë e saj kriminale në zonën e Hasit dhe Kukësit. /Albeu.com