Vjedhja e parë një banke në Shqipëri

Nga Hasan Bello 

Historia e vjedhjes së bankave në Shqipëri, për herë të parë fillon në vitin 1931. Ajo ka ndodhur në degën e Bankës Kombëtare në Durrës. Mënyra si ka ndodhur ngjason shumë me ditët e sotme.

Të shtunën e 12 shtatorit 1931, arkëtari Dhimitër Maksakuli nga fshati Korpodhit i Delvinës, pas përfundimit të punës u nis drejt Tiranës për të dëfryer në kabaret e kohës.

Në mbrëmje ai hipi në taksi për ty kthyer në Durrës. Rrugës i ndaloi një polic, i cili për t`i verifikuar i shoqëroi në zyrat qendrore. Pas marrjes në pyetje, oficerët e policisë i shtuan dyshimet dhe vendosën të ballafaqonin deklaratat e arkëtarit me ato të Drejtorit të degës së Bankës në Durrës. Ky i fundit i informoi ata, se depozitës bankare i mungonin 120.000 fr.ari. Kjo i shtoi dyshimet mbi arkëtarin.

Oficerët e policisë vendosën t`i kontrollonin banesën. Atje gjetën një shokun e tij, i cili deklaroi se arkëtari kishte shkuar në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik arkëtarit iu gjetën një sasi të hollash, që dyshohej se ishin vjedhur në Bankë. Policia e Durrësit arrestoi dhe disa persona, me të cilët arkëtari kishte lidhje gjaku e shoqëri, si: Jorgji Maksakulin dhe Vasil Keron. Gjithashtu, ata kërkuan dhe Harallamb Martopulin, por nuk e gjetën.

Nga frika, arkëtari u “zbërthye” dhe i deklaroi policisë se në Bankë kishte vjedhur 14.000 fr.ari, shumë të cilën e dispononte në momentin e ndalimit. Ai mohoi të kishte bashkëpunëtorë. Por gjatë marrjes në pyetje, ndryshoi qëndrim. Sipas tij, shuma e vjedhur ishte 50-60.000 fr.ari dhe se një pjesë të saj ia kishte dhënë personave të lartpërmendur.

Policia e Durrësit i kërkoi të arrestuarve të pranonin bashkëfajësinë dhe të tregonin se ku i kishin fshehur paratë. Jorgji Maksakulit iu gjetën 60.000 fr.ari, ndërsa Vasil Keros 1200 fr.ari së bashku me një zarf drejtuar Bankës për depozitë, i cili kishte 8.040 fr.ari. Harallamb Martopuli deklaroi se arkëtari i kishte dhënë 10.000 fr.ari, të cilat i kishte dërguar në Tiranë. Për të sjellë këtë shumë në Durrës, ai u shoqërua nga dy policë.

Por në mbrëmjen e së dielës, rreth orës 20:00, kur policia e Tiranës po transportonte me dy makina drejt Durrësit arkëtarin, dy shofera, Harallamb Martopulin dhe të zotin e shtëpisë ku ky kishte fshehur paratë, ndodhi diçka e rëndë.

Në afërsi të Rashbullit kur makinat po ecnin me 60 km në orë, arkëtari u hodh papritur. Autokolona ndaloi dhe policët filluan kërkimet. Por arkëtari u zhduk. Autoritetet dyshuan se ai kishte rënë në ndonjë gropë e kishte vdekur, ose ishte vetëvrarë. Kjo, sepse gjatë marrjes në pyetje, ai kishte tentuar të priste damarët.

Të hollat e mbledhura nga policia ishin 90.000 fr.ari, ndërkoh që dega e Bankës Kombëtare në Durrës, zyrtarisht deklaroi se ishin vjedhur 120.000 fr.ari.

Nga hetimet rezultoi se arkëtari, kishte paguar dy persona për një plan të detajuar. Pas kthimit nga Tirana, ai do të rihynte në Bankë për ta vjedhur totalisht. Meqenëse e diela ishte pushim, kjo do t`i jepte kohë që të arratiseshin drejt Jugosllavisë.

Edhe në këtë rast, ashtu si sot, policia nuk arriti që ta mblidhte të gjith shumën e vjedhur në bankë./Albeu.com/