Vuçiç rizgjidhet president, merr urimin e veçantë nga Biden, kërkon kompromis me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka pranuar një mesazh urimi nga presidenti i SHBA-së, Joseph Biden, me rastin e zgjedhjes së tij në mandatin e dytë presidencial, njoftoi Presidenca serbe.

Biden përmes një letre ka inkurajuar Serbinë që të ndërmarrë hapa proaktivë, dukë përfshirë kompromisin për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me ju, Prishtinën dhe partnerët tanë të Bashkimit Evropian për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm”, tha Biden, shkruan beta.rs, transmeton Gazeta Express.

“Unë ju përgëzoj për rizgjedhjen tuaj si President i Serbisë. Mezi pres që gjatë mandatit tuaj të dytë të kem mundësinë për të thelluar bashkëpunimin tonë të ngushtë në avancimin e integrimit evropian të Serbisë, zgjerimin e lidhjeve tona dypalëshe të sigurisë dhe ekonomike dhe promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit rajonal“, thuhet në mesazhin e urimit.

Biden e ka falënderuar Vuçiçin për bashkëpunimin me ambasadorin e ri të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill.

Ambasadori Hill dhe ekipi në ambasadën tonë janë të gatshëm të mbështesin përpjekjet tuaja për të vazhduar forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit, diversifikimin e burimeve të energjisë në Serbi dhe përmbushjen e synimeve klimatike, si dhe përpjekjet tuaja për të thelluar bashkëpunimin ekonomik rajonal në një mënyrë që promovon integrimin me Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në letër.