Vrasja e Hekuran Billës, lirohen nga qelia dy autorët e dyshuar

Gjykata e Tiranës ka nxjerrë nga qelia Viktor Markun dhe Sebastian Malin, dy të arrestuarit si të dyshuar për vrasjen e Hekuran Billës.

Marku u arrestua me akuzën e ekzekutimit të Billës, kurse nipi i tij Sebastian Mali dyshohet se ka larguar vrasësin nga vendi i ngjarjes.

Për ta është caktuar masa e sigurisë “Arrest  shtëpie” për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit

Kujtojmëse 40-vjeçari Hekuran Billa u vra me 11 qershor 2020, rreth orës 22:00, te zona e Komunës së Parisit në Tiranë, ndërsa  po lëvizte me makinën e tij të llojit “BMW X6”.

Kush ishte Hekuran Billa?

Hekuran Billa rezultoi të ishte një person me precedentë penal. Në vitin 2008, rezulton të ketë kryer një vrasje me armë zjarri. Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata Angleze, lexohet se Billa është dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e një personi të identifikuar si Prel Marku.

Në atë kohë, Billa, ishte 28 vjeç, ndërsa viktima, 22. Vendimi i Gjykatës së Anglisë është njohur nga drejtësia shqiptare, dhe për pasojë, biznesmeni me origjinë nga Kukësi është ekstraduar drejt Shqipërisë, në vitin 2015.

Por për arsye të pashpjegueshme, 40-vjeçari ka dalë nga burgu dhe ka vijuar jetën e tij, deri në mbrëmjen e 11 qershorit 2020, ku u ekzekutua me silenciator tek Komuna e Parisit. Sipas kërkimeve në faqet zyrtare të QKR-së, biznesmeni Hekuran Billa rezulton të ketë aktiv një biznes të tijin në Tiranë, ku jep makina me qira. “Car rent Albania”, quhet biznesi që administronte viktima. Gjithashtu, mësohet se Hekuran Billa është i përfshirë në trafikun e drogës në Angli./albeu.com


Shtuar 27.09.2021 14:30