Sherri mes bznesmenëve në Ksamil/ Arrestohen tre persona, procedohet edhe një i mitur (EMRAT)

Policia ka arrestuar tre persona, në lidhje me konfliktin e ndodhur ditën e djeshme në Ksamil, ku u dhunua Albert Pashaj, ndërsa një 17-vjeçar është proceduar.

Procedohet penalisht edhe bashkëshortja e 46-vjeçarit të dëmtuar, pasi shkaktoi dëme materiale në “beach bar”-in e njërit prej të arrestuarve.

Në vijim të zbardhjes së plotë të rrethanave të konfliktit të ndodhur ditën e djeshme, në Ksamil, dhe dokumentimit të plotë të ngjarjes, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:

Agim Taraj., 43-vjeç, banues në Berat, Silvjan Sulku., 18-vjeç, banues në Dibër dhe Aldo Zeqiraj., 35-vjeç, banues në Durrës.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një shtetas i mitur, 17-vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.

Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, pranë një plazhi publik në Ksamil, shtetasin A. P., 46-vjeç, banues në Tiranë, duke i shkaktuar dëmtime trupore.

Gjithashtu, lidhur me këtë ngjarje, u referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Shkatërrimi i pronës” dhe nisi procedimi penal për shtetasen O. P., 40-vjeçe, pasi pas konfliktit kjo shtetase ka dëmtuar ambientin duke shkatërruar pajisje dhe sende të tjera në “beach bar”-in e shtetasit të arrestuar A. T.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.