Pas kritikave të forta nga Ambasada Britanike dhe ajo Gjermane, në lidhje me qëndrimin e mazhorancës për të mbrojtur Belinda Ballukun, ka reaguar kryeministri Edi Rama.
Me anë të një postimi në X, Rama i është “kundërvënë” Gjermanëve dhe Britanikëve, duke deklaruar se vendimi që mori sot Kuvendi ishte i drejtë, ndërsa theksoi se Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion.
Në vazhdën e mbrojtjes dhe bllokadës që ka krijuar për të mos iu prekur as “qimja e flokut” Belinda Ballukut, Rama thotë se hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor’.
“Shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen. Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë”, shkruan Rama.
Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë votoi sot (12 mars), mes kaosit dhe debateve, kundër heqjes së imunitetit të deputetes së Partisë Socialiste Belinda Balluku, duke rrëzuar kërkesën e SPAK i cili kërkon ta arrestojë.
Kërkesa mori 47 vota pro, 0 abstenim dhe 82 vota kundër. 82 votave të maxhorancës iu bashkuan votat e PSD-së së Tom Doshit, ndërsa në sallë munguan deputetët socialistë Fatmir Xhafaj, Elisa Spiropali, Blendi Gonxhe, Eduard Shalsi e vetë Belinda Balluku.
Reagimi i Ramës:
Përshëndes deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me parimet e shprehura në të cilat jemi të gjithë shumë dakord, 100%.
Por duke qenë se që të dyja dolën sot, kur Kuvendi me plot të drejtë refuzoi heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të plotë të kushteve për ta ndërmarrë një hap të tillë ekstrem dhe, njëkohësisht, duke qenë se Shoqata e Molotovarëve të Tiranës ka filluar të flasë edhe në emër të Gjermanisë, përfitoj nga rasti të theksoj:
Kjo shumicë qeverisëse e ka mendjen të ndarë dhe busullën të palëvizshme: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian
Reforma në Drejtësi nuk kthehet mbrapa, pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për SPAK-un mbetet e palëkundur.
Lufta reale kundër korrupsionit vazhdon, më këmbëngulëse se kurrë, siç e tregon qartë edhe pasqyra objektive e përditësuar Komisionit Europian.
Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor.
Shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen. Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë.
Sot ne i kemi respektuar plotësisht ato norma dhe kush pretendon të kundërtën, ka të drejtën e vet të padiskutueshme, po s’ka argumenta të mjaftueshëm për ta fituar debatin mbi ekzistencën ose jo të kufirit mes pushteteve të pavarur kushtetues, të cilin parlamenti i Shqipërisë e mbylli sot duke treguar se dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike, të cilat e bëjnë kurën më të rrezikshme se sa sëmundja që duhet të luftojë!
Përshëndes deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me parimet e shprehura në të cilat jemi të gjithë shumë dakord, 100%.
Por duke qenë se që të dyja dolën sot, kur Kuvendi me plot të drejtë refuzoi heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të plotë…
— Edi Rama (@ediramaal) March 12, 2026
Reagimi i Ambasadës Gjermane
Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë Tiranë kritikoi Partinë Socialiste duke deklaruar se goditja e korrupsionit në rangun e lartë është kusht për integrimin.
“Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve.
Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces.”– thuhet në deklaratë.
Reagimi i Ambasadës Britanike
Ambasada Britanike reagoi para nisjes së seancës duke i dhënë një goditje fytyrës Edi Ramës. Në reagim, Amabasada Britanike theksoi se imuniteti nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit, por as kjo nuk e ndaloi Ramën të vijojë me planet e tij.
“Ambasada Britanike thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore, dhe njeh progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore që nga viti 2016, përfshirë krijimin e SPAK-ut.
Ekzekutivi, Gjyqësori dhe Legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE.
Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, shkroi Amabasada Britanike.
