“Nuk qeshte” Rama tregon takimin e parë me Erdoganin: Më tha se Shqipërinë dhe Kosovën i kishte në zemër

Kryeministri Edi Rama së bashku me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan ndodhen në Laç ku do të dorëzohen shtëpitë e rindërtuara me financim të qeverisë turke, në Kurbin, pas tërmetit të 26 nëntorit.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka treguar takimin e parë me Erdogan dhe zbuloi se çfarë i kishte thënë aso kohe, kur ai ishte kryeministër i Turqisë, ndërsa Rama ende jo kreu i qeverisë shqiptare.

“Kjo është një ditë e veçantë dhe unë do të flasë sa më shkurt pasi sot të gjithë duan të dëgjojnë mikun e madh të Shqipërisë, mikun tim të çmuar Presidentin Erdogan.  Sot dua të tregoj një episod që nuk kam për ta harruar kurrë nga takimi im i parë fare me presidentin që aso kohe ishte kryeministër i Tuqisë. Të them të drejtën isha i ndrojtur sepse e njihja vetëm nga televizori, dhe nga aty nuk dukej i buzëqeshur. Edhe kur u takuam dhe ishim ulur ballë për ballë, më shikonte por nuk më buzëqeshte. Unë akoma nuk isha bërë kryeministër, dhe më thotë: Dëgjo këtu, Shqipëria dhe Kosova janë në zemrën time. Shqiptarët janë në zemrën e popullit turk. Unë, tha, dëshiroj që ti të jesh vëlli im, por unë do të të them vëlla atëherë kur ti, si kryeministër i vendit tënd, të meritosh respektin e tyre. Historisë pak a shumë të gjithë e dini, dhe unë jam shumë krenar që mund ta quaj veten mik të Erdogan. Madje një gazetare gjermane para disa kohësh ё pyeti në një konferencë, tha është e vërtetë që ju jeni miku i Erdogan dhe e keni vërtet mik? Jo i thashë, nuk është e vërtetë, e kam shumë mik, jo mik. E kam frikë këtë terxhumanin se nuk e di si mi përkthen fjalët turqisht, por nuk kam rrugë tjetër, duhet t’i besoj se turqishten jam në moshë të thyer për ta mësuar. Tani u bënë vite që kam privilegjin e kësaj detyre dhe kam kohë që kam dëgjuar burrat e mëdhenj të shteteve për shkak të detyrës, dhe është e vërtetë që shpeshherë janë kuriozë për miqësinë tonë. Dhe, zakonisht priren ta shohin si çështje konspiracioni”, tha Rama./albeu.com


Shtuar 17.01.2022 12:26