Nis mbledhja e këshillit bashkiak të Vlorës, Leli jo i pranishëm në sallë

Ka nisur mbledhja e kërkuar nga Këshilli Bashkiak i Vlorës, për t’u takuar me kryebashkiakun Dritan Leli. Këtë herë Leli nuk është paraqitur fizikisht, por online.

Mësohet se, mbledhja po zhvillohet në një prej sallave të universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, ndërsa këshilltarët nuk kanë pranuar të hynë në takimin online, edhe pse Leli jua ka dërguar linkun e ZOOM-it.

Në rendin e ditës është diskutimi dhe miratimi i projektvendimit për sekretarin e këshillit, të cilin kryebashkiaku Leli nuk e ka kategorizuar te rastet urgjente për mbledhjen e këshillit. Ai thotë se nuk ka nxitim, pasi nuk është larguar nga puna, por ka dalë në pension.

Kujtojmë se, ata këshilltarët kanë kërkuar mbledhje t’i kërkuar llogari kryebashkiakut Leli në lidhje me shqetësimin e komunitetit vlonjat për gjendjen e shërbimeve vendore, situatën e shërbimeve bazike të pastrimit, mirëmbajtjes si dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve.

Në mbledhjen e thirrur disa ditë më parë Leli nuk u paraqit, prandaj u organizua një tjetër takim. Që në mars, marrëdhëniet e kryeministrit Rama dhe PS-së me Lelin janë ftohur, pasi ky i fundit nuk pranoi të dorëhiqej nga posti i kryeebashkiakut për të kandiduar për deputet në zgjedhjet e 25 prillit./albeu.com

 


Shtuar 18.06.2021 10:12