Mësueset nisën sherrin me karrige e armë te “Çajupi”, Kushi vizion gjimnazin: Këtu kanë spikatur talente

Të hënën në mëngjes, mësueset nisën një sherr në afërsi të shkollës “Andon Zako Çajupi” për një vendnqëndrim në lokal.

Pjesë e këtij sherri u bënë edhe familjarët e dy mësuseve (tashmë të pezulluara) dhe ngjarja agravoi në përplasje me karrige dhe të shtëna me armë në ajër.

Nga ngjarja mbetën disa të lënduar lehtë dhe një person përfundoi në spital.

Kjo skenë e pahijshme ndodhi para syve të gjimnazit dhe nxënësit panë gjithçka.

Gati një javë pas kësaj ngjarjeje, ministrja e Arsimit ka vizituar shkollën dhe përmes një postimi në Facebook shkruan se, në këtë shkollë përherë kanë spikatur talente dhe se figura e mësuesit duhet të ngrihet gjithmonë lart.

Postimi i Evis Kushit:

Të gjitha profesionet janë të nderuara, por mësuesi mbetet në çdo kohë e në çdo vend figura më e dashur dhe më e respektuar për të gjithë. Vlerat që ai mbart janë të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme në mirëedukimin e fëmijëve tanë.

Nisur nga ngjarja e rëndë ku të përfshira ishin dy mësuese të gjimnazit “Andon Zako Çajupi” në Tiranë, dje zhvillova një vizitë pranë kësaj shkolle, e cila ndër vite ka spikatur përherë me talente e rezultate pozitive në çdo fushë.

Pasi i urova fillimisht shumë suksese e mbarësi nxënësve në këtë fillim viti shkollor, bashkëbiseduam gjerësisht me mësuesit për çështje shkollore që kanë nevojë për adresim, për lartësimin më tej të figurës së mësuesit, si dhe forcimin e vazhdueshëm të Komisioneve të Etikës dhe Disiplinës, për të garantuar vetëm mbarëvajtje në proceset e shkollës.

Si ndodhi ngjarja?

Nga veprimet hetimore rezulton se në një lokal pranë shkollës, fillimisht janë konfliktuar verbalisht, për motive të dobëta (për vend qëndrimi në lokal) shtetasja Elida Qenami, 46 vjeçe dhe Domenika Toptani, 53 vjeçe, të dyja më profesion mësuese.

Më pas janë përfshirë në konflikt duke përdorur sende të forta, të afërmit përkatës të tyre, konkretisht shtetasit Edmond Faja, Enrik Qenami., 41 vjeç, Ndriçim Qefalija, 43 vjeç dhe Laert Duri, 41 vjeç (të afërmit e shtetases Elida Qenami.) dhe shtetasit Elton Kasaj, 30 vjeç, Enea Kovaçi, 32 vjeç dhe Alvaro Toptani, 27 vjeç (të afërmit e shtetases Domenika Toptani). Si pasojë e konfliktit është dëmtuar me sende të forta shtetasi Enea Kovaçi, 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka vënë në pranga Edmond Fajën, i cili qëlloi në ajër me armë zjarri dhe ka proceduar penalisht 6 të tjerë. Në kërkim është spallur Alvaro Toptani./albeu.com


Shtuar 16.10.2021 10:24