BE konkurron Kinën me 300 miliardë euro në botë, investimet që përfiton Shqipëria

Bashkimi Evropian ka shpalosur planin për investimet botërore në vlerë prej 300 miliardë eurosh, që do të bëhen gjatë shtatë viteve të ardhshme.

Blloku evropian dëshiron që të investojë jashtë territorit të saj, nga Ballkani Perëndimor e fqinjësia lindore, deri tek Afrika e Azia. Investimet do jenë të fokusuara kryesisht në autostrada dhe hekurudha. Gazetarja e ABC Erisa Zykaj gjatë një raportimi në Radarin Informativ në Abc me Jonida Shehun dha detaje lidhur me projektet që përfshijnë edhe Shqipërinë.

“Projektet e planit ekonomik dhe investimeve të Bashkimit Europian për Shqipërinë, që synohen të realizohen brenda mandatit aktual të Komisionit Europian; deri në 2024 janë Hekurudha që lidh kryeqytetet e Tiranës dhe Podgoricës është një projekt kyç për rajonin. Do të përmirësohet nëpërmjet rehabilitimit të 120 km linjë hekurudhore në Shqipëri drejt kufirit me Malin e Zi.
Do të ndërmerren hapa të mëdhenj për të përfunduar “Autostradën Blu” përgjatë bregdetit nga Kroacia deri në Greqi: do të përfundojë bypass-i i rrugës së Tiranës dhe dy seksione të tjera në Shqipëri, si dhe Bypass-i i Budvës në Mal të Zi do të avancohen ndjeshëm.

Për tranzicionin energjetik nga energjia e qymyrit në energji të rinovueshme: mund të mbështetet: Përfundimi i rehabilitimit të hidrocentralit të Fierzës në Shqipëri dhe do të avancohet me ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, me qëllim rritjen e potencialit energjetik për vendin dhe synimin për të rritur eksportin e energjisë elektrike të pastër në rajon. Si pjesë e Gazsjellësit Trans Adriatik, do të përfundojë ndërtimi i gazsjellësit Fier-Vlorë në Shqipëri dhe do të ketë përparësi gazsjellësi Jon-Adriatik përgjatë bregdetit, duke lehtësuar një diversifikim më të madh të burimeve të furnizimit me gaz në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Menaxhimi i ujërave të zeza: Do të krijohen sisteme të integruara rajonale të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, duke shkuar paralelisht me mbylljen e landfilleve që nuk janë në përputhje me standardet europiane. Investime të ngjashme duhet të ketë edhe gjetkë në rajon në të ardhmen, duke përfshirë menaxhimin më të mirë të mbetjeve në zonat ndërkufitare”, tha Zykaj mes të tjerash.

Siç deklaroi Zykaj kjo është hera e parë BE angazhohet për një paketë strategjike. Qëllimi i këtyre investimeve është që BE-ja të rrisë ndikimin e saj nëpër botë, duke konkuruar Kinën, e cila ka rritur investimet e saja. Një tjetër synim është që të ndihmojë në ndërtimin e një infrastrukture e cila do të lidhte më mirë botën. Disa nga fushat e tjera ku pritet të investojë BE janë ruajtja e mjedisit dhe energjia e pastër./abcnews.al


Shtuar 1.12.2021 19:56