Shqiptarja rrëfen si humbi familjen në aksident: I pashë teksa digjeshin të gjalla!

Një grua shqiptare që jeton në Kanada, ka treguar në gjykatë historinë e trishtë të familjes së saj, ku humbi jetën nëna e saj, motra dhe mbesa. Ajo rrëfen se gjithçka ndodhi si pasojë e një aksidenti rrugor, ndërsa ajo vetë mbeti e plagosur.

Blerta Vokshi i ka treguar të gjitha gjatë një seance gjyqësore ndaj shoferit Sarbjit Matharu, i cili në vitin 2016 shkaktoi në një autostradë në Toronto të Kanadasë një aksident të rëndë që i mori jetën disa shqiptarëve.

Vokshi ka deklaruar se imazhet e “nënës së saj teksa i digjeshin krahët, mbesës që po digjej e gjallë dhe motrës që i digjej çdo cep i trupit”, po i shkaktojnë traumë të rëndë.

Familja Vokshi po kthehej në shtëpi pas një udhëtimi në Ëonderland në Kanada dhe u përfshinë më 24 Qershor të vitit 2016 në një aksident të rëndë së bashku me 10 makina. Gjithçka nisi kur kamioni i Matharu përplasi fillimisht një Hyundai, që drejtohej nga një qytetare e huaj 27-vjeçare e cila humbi jetën. Kjo përplasje shkaktoi një seri të tjera përplasjesh dhe shpërthimesh që përfunduan me vdekjen e Xhemile Vokshit, 55 vjeçe, Valbona Vokshit, 35 vjeçe dhe Isabela Kuçit, 5 vjeçe.

Blerta Vokshi po ashtu u përfshi në aksident. Ajo ndodhej në një makinë tjetër së bashku me djalin, por fatmirësisht shpëtuan vetëm me disa dëmtime në trup. Në deklaratën e saj para gjykatës, ajo rrëfeu se si vuan nga ankthi për shkak të stresit post-traumatik që ka pësuar nga ngjarja që ka parë teksa anëtaret e familjes të ndërronin jetë para syve të saj.

Shoferi i kamionit që shkaktoi aksidentin ishte në përfundim të udhëtimit prej 2100 kilometrash, por kishte falsifikuar të dhënat e tij për të fshehur mungesën e gjumit. Gjatë këtij viti, gjykatësi Michael Code e shpalli Matharu-n fajtor për neglizhencë që shkakton vdekje dhe dëmtime në trup, shkruan panorama.

Sipas asaj që transmetojnë mediat e huaja, ai ka qenë në udhëtim për 26 orë pa fjetur dhe ka qenë në telefon duke folur me miqtë e tij për periudha të gjata kohore. Ai është justifikuar me faktin se industria e kamionëve i bën presion shoferëve që të thyejnë ligjin në mënyrë që të respektohen afatet kohore të dërgesave.

 


Shtuar 23.06.2021 18:54